Pas raportimit të KALLXO.com, nisin punimet për ç'bllokimin e dyerve të familjes së vajzës në karrocë

Një ditë pas raportimit të KALLXO.com, në fshatin Nikadin të Ferizajt kanë filluar punimet për rregullimin e dyerve të familjes Selimi.

KALLXO.com ka raportuar më 08.05.2024, se kur u ndërtua nënkalimi në këtë fshat, familjes Selimi iu bllokuan dyert me ç’rast, familja që e kanë një vajzë në karrocë iu vështirësua hyrja dhe dalja nga shtëpia.

Zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci për KALLXO.com njoftoi se sot (09.05.2024) filluan punimet për rregullimin e kësaj problematike.

Nga viti 2022 kur u përurua ky nënkalim iu bllokuan dyert familjes Selimi.

Hedushe Selimi për KALLXO.com pati treguar se disa herë janë ankuar për këtë problematikë si dhe përkundër premtimeve asnjëherë nuk u ndërmorr asgjë.

“Nuk mundem pa e kap dy vetë”, thotë zonja Selimi kur tenton të dal nga dyert me karrocën e vajzës.

Ajo thotë se për të dalur jashtë shtëpie me vajzën e saj po detyrohen të kalojnë nëpër oborrin e fqinjëve.

“Mi kanë blloku dyert e oborrit. Kur jemi anku, nuk na kanë prit mirë, na thonin “hajdi nesër, hajdi masnesër””, deklaron Selimi.

Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt më 08.05.2024 pati deklaruar se zgjidhje kësaj familjeje do i ofrohet menjëherë”.

“Nesër(09.05.2024) do të del operatori prap në teren dhe do të bëj zgjidhjen e këtij problemi ashtu siç është kërkuar nga të apostrofuarit”, pati deklaruar Marevci.