Gjykata Themelore në Gjakovë | Foto: KALLXO.com

Paraburgim të Dyshuarve për Detyrim prej 500.000 Eurove

Gjykata Themelore në Gjakovë ua caktoi paraburgimin prej 30 ditësh dy të dyshuarve që me detyrim kërkuan nga një kompani turistike 500 mijë euro.

Personat me inicialet A.I. dhe N. S. dyshohen për kryerjen e veprës penale të detyrimit, ndërsa A. I. përveç për detyrim, dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.

“U caktohet paraburgimi në kohëzgjatje prej (një) 1 muaji të pandehurve A.I. duke filluar nga data 17.01.2017 deri me datë 17.02.2017 si dhe të pandehurit N.S. duke filluar nga data 16.01.2017 deri më datë 16.02.2017 për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale detyrimi , si dhe i pandehuri A.I. edhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve,” thuhet në vendimin e kësaj gjykate të siguruar nga KALLXO.com

Kërkesën për paraburgim e kishte dorëzuar në gjykatë Prokuroria Themelore në Gjakovë, ndërsa atë e miratoi gjyqtari i procedurës paraprake.

Nëse ky rast pas hetimeve shkon në proces gjyqësor, për kryerjen në bashkëpunim të veprës së detyrimit A. I. dhe N. S. mund të dënohen me gjobë, ose me burgim nga 1 deri në 10 vjet, ndërsa A. I. për armëmbajtje pa leje sipas Kodit Penal të Kosovës rrezikon edhe dënim me gjobë prej 7500 eurove, ose burg deri në pesë vjet.

Dje KALLXO.com shkroi për arrestimin e këtyre dy personave.

http://kallxo.com/dy-te-arrestuar-per-detyrim-prej-500-000-euro/