Dhuna që Duhet Ndaluar nga Shteti

Kjo vërtetohet edhe jashtë  rrëfimeve të nënave dhe gjysheve tona për trajtimin që kanë pasur nga burrat në familje. Konfirmimin e plotësojnë edhe rrëfimet krekosëse  nga disa burra kur janë në prani të shokëve të tyre duke besuar që fuqia fizike na qenka fuqia e tyre e vetme. 

Dhuna në familje e ka përcjellur shoqërinë tonë me shekuj për shkak të sistemit patriarkal. Gratë janë rrahur nga burrat e familjes, pa pasur guxim ta raportojnë atë. Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë prezente në shoqërinë kosovare.

Të dhënat e hulumtimeve të bëra nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF të cilat u patën publikuar në javën e parë të muajit prill 2015 tregojnë se për periudhën njëvjeҫare 2013-2014 mbi 42% e grave në Kosovë kishin raportuar se kanë pasur dhunë në familje. 

Sipas ligjit kundër dhunës në familje, dhuna nënkupton një ose më shumë vepra apo lëshime të qëllimshme që i bën një person personit tjetër me të cilin është ose ka qenë në marrëdhënie familjare. Pra, dhunë konsiderohet çdo formë abuzimi e ushtruar nga një person ndaj një personi tjetër, e cila rezulton me dhunim të integritetit të tij/saj fizik, psikologjik, moral, seksual, social apo edhe ekonomik. 

Përqindja e grave që e kanë raportuar dhunën është treguese se kjo dukuri në familjet kosovare është mjaft e pranishme por se nuk raportohet akoma nga shumë të abuzuara. Kjo për arsye se shumica e grave ngurrojnë të raportojnë babain, vëllaun, partnerin apo burrin në rast se ka ushtruar dhunë ndaj tyre. Me gjasë, kjo ndodhë për shkak të frikës nga pasojat apo mentalitetit që është krijuar në shoqërinë tonë.

Ligji kundër dhunës në familje i miratuar në vitin 2010 ka për qëllim parandalimin e dhunës në familje, duke përfshirë të gjitha format e saj me masa të përshtashme ligjore të pjesëtarëve të familjes që janë viktima të dhunës në familje. Po ashtu, ky ligj ka për qëllim edhe trajtimin e kryerësve të dhunës në familje dhe lehtësimin e pasojave ndaj atyre që kanë qenë viktima të dhunës. Në bazë të tij, policia dhe organet përgjegjëse mund të vendosin masa mbrojtjeje për viktimat përmes një procedure të shpejtë, të përballueshme dhe të thjeshtë. Megjithëse ligji e përcakton që dhuna në familje është e gabuar dhe kategorikisht e papranueshme, fatkeqësisht, nga disa ende konsiderohet si “çështje private familjare”. 

Shembull i kësaj është rasti i I.S. e cila  ishte dy herë viktimë e dhunës në familje. Në një raport të publikur në muajin shkurt 2015 nga agjencia e lajmeve ”Anadoly Agency” thuhet se I.S. fillimisht ishte viktimë e familjes së vet në Shqipëri e cila e kishte shitur për 1000 euro. 

Ajo kishte arritur të  ikë nga vendi ku e kishin shitur duke u kthyer përsëri tek familja e saj. Por, familja kishte filluar ta keqtrajtojë edhe më shumë duke mos i dhënë bukë as ujë. Atë, madje e kishin kërcënuar edhe me vdekje duke e detyruar të punojë në fusha tërë ditën që ta mbajë shpirtin gjallë. Duke mos pasur rrugëdalje tjetër, një kohë  ishte fshehur tek motrat e saj, ndërsa në vitin 2005 kishte vendosur të martohet me një njeri më të moshuar nga Kosova, për t’u strehuar dhe siguruar një copë bukë. 

Mirëpo, pas martesës ajo e kishte  kuptuar se burri i saj nuk kishte qenë  vejan sikurse ishte prezantuar, por se kishte gruan me katër fëmijë, si dhe tri të dashura tjera jashtë shtëpisë. Tri vite më vonë, pasi e kishte lindur djalin, burri kishte filluar ta rrahë dhe ta keqtrajtojë. “Më rrihte, më kapte për qafe, ka dashur të më vrasë. Djali është zgjuar dhe i ka thënë, babë mos e vrit nënën, ne do të shkojmë vetëm mos e vrit nënën… Deri sa hante,  unë me djalin e shikonim, më thoshte se do të ma marrë djalin… i thashë vetëm djalin mos ma prek …”, kishte rrëfyer për ”Anadoly ”Agency” I.S, viktimë e dhunës në familje.

Rritja e rasteve të dhunës në familje po tregon se tani është koha e duhur që Qeveria, Grupi Kordinues ndërministror, i cili ishte krijuar për luftimin e dhunës në familje, organizatat joqeveritare që merren me barazi gjinore dhe të drejtat e grave, si dhe Agjencia për Barazi Gjinore t’i kushtojnë më shumë vëmendje kësaj çështjeje duke i mënjanuar zbatimet e rregullave morale e duke filluar zbatimin e atyre ligjore. Kjo ngaqë moszbatimet e këtyre rregullave po ndikojnë që në disa familje të ushtrohet dhunë mbi gratë, e dhunuesit mos të ndiqen penalisht nga autoritetet që kanë për obligim t’i rregullojnë këto çështje.