Problemet e Trashëgimisë në Bizneset Familjare

Bartja e pronësisë tek pasardhësit përbën një dukuri problematike dhe mjaft të theksuar tek vendet në zhvillim.

Organizimi i jetës në këto vende bëhet në atë mënyrë që familja si tërësi të avancojë në mjedisin socio-ekonomik të vendit, por jo domosdoshmërisht të gjithë anëtarët e saj.

Familja, sipas përkufizimit të këtyre vendeve, konsiston në një institucion pothuajse të shenjtë, ku relacionet e afërta të brendshme tentohen të prezervohen nëpër gjenerata.

I shtyrë nga ky mentalitet kolektiv, kryefamiljari heziton që ta definojë qartë pronësinë e tij dhe transferimin e kësaj pronësie – gjithnjë nën supozimin se afërsia në mes të anëtarëve, pavarësisht gjeneratave, do mbetet e njëjtë.

Mos-përpjekja për ta projektuar qartazi trashëgiminë pronësore sjellë mjaft telashe tek pasardhësit.
Jo rrallë herë, në vend se të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve brenda familjes, i përkeqëson ato.

Kjo lloj kulture merr përmasa edhe më shqetësuese tek ata që posedojnë biznese të vëna në funksion dhe të udhëhequra nga familja, duke e penguar zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e tyre.

Vlen të potencohet se koncepti i pronësisë në rastin e bizneseve familjare nuk kufizohet vetëm në pasurinë fizike, por edhe në pasuri jo-detyrimisht të prekshme përfshirë këtu dijen, mënyrë e funksionimit (knoë-hoë), relacionet me bashkëpunëtorët dhe të ngjashme.

Për informim të lexuesit, ekonomitë familjare përbëjnë një shtyllë vitale të ekonomisë në vendet në zhvillim, ku kontributi i tyre në prodhimet dhe shërbimet e gjithmbarshme sillet nga 70-90 përqind.

Njëkohësisht, duhet thënë se të njëjtat janë përgjegjëse për afërsisht 60 përqind të të punësuarave në

këto vende. Ky lloj i organizimit të biznesit zakonisht i nënshtrohet një cikli interesant.

Në hapat e parë të zhvillimit të tyre, e gjithë përgjegjësia bie në duart e themeluesit. Ky i fundit,i mbështetur në besueshmërinë, harmoninë dhe vlerat e brendshme të familjarëve që i angazhon në punë,rëndom arrin t’i tejkalojë sfidat fillestare dhe të performojë suksesshëm.

Në fazat e mëtutjeshme, kur biznesi rritet dhe si rezultat i shtohet kompleksiteti i menaxhimit, i njëjti kalon nëpër shumë vështirësi; kryesisht si pasojë e mos përcaktimit të qartë të roleve dhe përgjegjësive.

Vështirësitë bëhen edhe me të theksuara kur udhëheqja e biznesit duhet të kalojë nga një gjeneratë në tjetrën. Me kalimin e kohës, pra kur ndërrohen gjeneratat, dobësohet lidhja në mes të anëtarëve të familjes, dhe përparësitë familjare që dikur e ndihmonin avancimin e biznesit,veniten.

Të dhënat e fundit me biznese familjare tregojnë se më shumë se gjysma e bizneseve pushojnë së vepruari kur kalojnë tek gjenerata e dytë apo e tretë e udhëheqjes.

Në mesin e shumë faktorëve ndikues që çojnë tek bankrotimi, është edhe mungesa e një plani konstruktiv të suksesionimit (trashëgimisë), i cili qartazi e specifikon udhëheqjen e firmës në të ardhmen.

Situata është analoge edhe në Kosovë. Ekonomitë familjare përbëjnë shumicën dërrmuese;mbi 80 përqind e bizneseve të regjistruara dhe funksionale janë biznese familjare.

Në një tentativë për ta analizuar zbatueshmërinë e principeve të qeverisjes korporative te këto biznese, Instituti Riinvest rishtazi e ka zhvilluar një studim, i cili zbulon se afërsisht 46 përqind bizneseve më të mëdha familjare kanë kaluar në gjeneratën e dytë të udhëheqjes që nga koha e hapjes.

Një numër i madh po ashtu janë në prag të tranzicionit për në gjeneratën e dytë. Këtu bëhet fjalë për bizneset e  themeluara në fillim të viteve 90-ta, në kohën kur regjimi i atëhershëm largoi masovisht punëtorët shqiptarë nga puna.

Për më shumë, i njëjti studim nënvizon se planifikimi i detajuar i bartjes së trashëgimisë është praktikë që shumë pak gjen aplikim tek bizneset familjare.

Marrë parasysh këtë kontekst, mund të thuhet se bizneset e mëdha familjare kosovare dalëngadalë po hyjnë në një cikël kritik. Ky realitet krijon nevojën imediate për  një plan të detajuar të suksesionimit. Në të kundërtën, barrierat menaxhuese dhe operacionale do të thellohen, dhe kjo si rrjedhojë do të ndikojë në ulje të performancës dhe potencialisht do të çojë deri tek mbyllja e bizneseve në fjalë.

Përgatitja e një plani të thuktë të suksesionimit, pra, do të bëjë që kalimi nga një gjeneratë në tjetrën tek kompanitë familjare të bëhet pa turbulenca. Njëkohësisht, do të sigurojë një qëndrueshmëri më të madhe për to, duke bërë që gjasat e mbylljes së tyre të reduktohen.

Thënë këtë, promovimi i një modeli të planit të suksesionimit, si dhe promovimi i përparësive që mbartë në vete ky plan, duhet të jenë në agjendë të akterëve që e kanë për qëllim avancimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.

Më pas, në periudhë afatgjate, do të jetë më e lehtë. Rezultatet pozitive të arritura nga bizneset që e adoptojnë këtë praktikë, do e kryejnë gjithë punën promovuese, duke i shtyrë bizneset familjare që pashmangshëm të kenë nxitje për përqafim organik të praktikave planifikuese.

(Autori ka përfunduar studimet e magjistraturës në UniversityCollegeLondon dhe është Hulumtues i Avancuar në Institutin Riinvest)