Mbroji Fëmijët, Mbroje të Ardhmen Tënde!

Fëmijët padyshim janë shtresa më e rëndësishme e një shoqërie. Por, sa janë të rëndësishëm ata në Kosovë?

Çdo ditë jemi dëshmitarë të shkeljeve të ndryshme të të drejtave të fëmijëve, po shohim në rrugë fëmijë të pambrojtur, të diskriminuar, fëmijë që janë të nxitur të punojnë fizikisht dhe nga ata fëmijë që janë të nxitur të shtrijnë duart për të kërkuar lëmoshë.

Madje, kjo është bërë aq e zakonshme, saqë jemi mësuar t’i shohim fëmijët viktima sa herë dalim në rrugë, në çdo vend, madje më së shumti nëpër kafene. Fëmijët e gjorë, nxiten dhe obligohen që të shkojnë nga një vend në një tjetër, nga një lokal në tjetrin dhe të kërkojnë “centa”.

Por ata janë të edukuar aq mirë nga nxitësit e tyre, sa që edhe në rastet kur u ofrohet ushqim ose pije ata refuzojnë, thënë ndryshe pranojnë vetëm të holla.
Për t’u trajtuar kjo problematikë, ky fenomen duhet padyshim një kohë e gjatë, një hulumtim i gjerë.

Por, mjafton të dilni vetëm njëherë dhe të shihni se në çfarë situate janë këta fëmijë. Mjafton të dilni.. Do të ndjeheni në faj për shumicën e atyre fëmijëve që do t’i shihni në rrugë, do të ndjeheni se duhet bërë diçka, por kur të shihni numrin shumë të madh të tyre, do të hidhni hap prapa. Një gjë është e sigurt, do të ndjeni dhimbje për ata, do të ndjeni keqardhje për ata dhe do të vazhdoni rrugën tuaj.

Nuk do të çuditesha nëse ky shkrim prek emocionet tuaja, fundja për të gjithë ju do të ishte e vështirë që fëmija juaj të gjendet në këso kushte.

Çuditem, çuditem shumë.. A thua ku e gjejnë këta fëmijë të gjithë këtë optimizëm se një ditë do të bëhet më mirë? A thua, me çfarë dëshire, me çfarë vullneti ngriten në mëngjes ata? A thua, nuk e meritojnë edhe ata një jetë luksoze, një shtëpi të ngrohtë, një sofër të mbushur, një çantë plot libra, dollap plot më rroba, më thoni a nuk e meritojnë?

Të më thotë dikush, çka kanë më pak këta fëmijë? Është obligim edhe i juaji, po po.. ju të cilët jeni duke e lexuar, të mendoni për ata, të bëni diçka për të zgjidhur këtë problematikë. E keni obligim moral që t’ua zgjatni dorën, në luftën për të mbrojtur të drejtat e tyre. Sepse, do të bënit njëjtë, do të sakrifikonit, nëse fëmija juaj do të ishte në atë pozitë.

Madje do të bënit fushatë, do të ftonit të tjerët të ju mbështesin, do t’u luteshit të tjerëve për të ju ndihmuar.

E kam një përshtypje që ky shkrim i imi, nuk do të bëjë një zgjidhje, por njëkohësisht shpresoj që të jetë vetëm pika e fillimit të një jete më të mirë për fëmijët, të jetë motivi i të gjitha shtresave për t’u ndihmuar, të jetë vullneti i fëmijëve për të besuar në një jetë më të mirë.

Të shkruarit për mbrojtjen e fëmijëve, për të drejtat e tyre, për rastet e regjistruara të shkeljeve të drejtave të tyre, për rastet ku fëmijët e mitur detyrohen të punojnë fizikisht, për rastet kur fëmijët nxiten të dalin për ta shtrirë dorën, qoftë edhe në kohët më të ftohta, edhe në kushtet më të rënda, do një trajtim shumë të gjerë, do shumë kohë, nuk përfundon asnjëherë. Por, duke kontribuuar të gjithë nga pak, mund të arrijmë deri në një rezultat të kënaqshëm, mund të arrijmë t’i përmirësojmë kushtet e fëmijëve tanë, të pasardhësve të këtij vendi.

Duke u bazuar në Projektin “Ndërgjegjësimi i Fëmijëve në Punët e Rrezikshme në Bujqësi”të  organizatës joqeveritare RDSA- Dega në Rahovec,  shkaqet kryesore pse fëmijët punojnë në bujqësi janë :
-Kushtet e rënda financiare.
-Trashëgimi i mentalitetit të punës nga prindërit.
-Moskujdesi i prindërve për fëmijët e tyre.

“Projekti ka pasur sukses, sepse ne kemi arritur të identifikojmë shkaqet kryesore të këtij fenomeni dhe kemi filluar me zbatimin e planit për ta përmirësuar këtë gjendje”, thotë koordinatori i këtij projekti, Bardhi Kamberi.

Krejt në fund, shkrimin do ta mbyllja me një apel e lutje për të gjithë njerëzit e këtij vendi, qytetarët, vendimmarrësit, prindërit dhe mësuesit e edukatorët.

Ju lus të gjithëve që këtë temë të ndjeshme ta trajtoni me më shumë kujdes, të bëni angazhimin që e keni për obligim dhe të kontribuoni me aq sa mundeni.

Mos harroni që edhe fëmija juaj mund të ishte në nevojë.