Fëmijëve nuk ka kush t’u shkruajë!

Në mbylljen e panairit të librit, që kulmoi me ndarjen e çmimeve, gazetarët raportuan se: Çmimi i librit më të mirë për fëmijë u anulua për mungesë prurjesh. Mora të lexoj menjëherë pas kësaj, intervistën që kishte dhënë Kryetari i Shoqatës së Botuesve, njëkohësisht organizator i panairit, me shpresën se do të gjeja një shpjegim më të argumentuar për këtë çështje.

Pyetja e fundit e intervistës (lexo: më e parëndësishmja) ishte pikërisht ajo që kërkoja. ‘Përsa i përket çmimit të letërsisë vendase për fëmijë, pse u anulua këtë vit’? Përgjigja: Jo nuk u anulua. Na ka ndodhur edhe vite të tjera, kur nuk ka prurje…por kishte shumë pak tituj dhe juria e gjykoi të mos e japë fare. U çudita, çfarë donte të thoshte me këtë tautologji:Jo, nuk u anulua, por nuk u dha fare?!

Prurje për fëmijë nga autorë vendas këtë vit nuk ka pasur. Me erdhi menjëherë në mendje moria e titujve gazetareskë, disa muaj më parë për skandalin me tekstet shkollore. Prindërit e irrituar nga tekstet e mbushura me injorancë, nxituan t’i postonin ato në Facebook. Media e ekzaltuar për mundësinë e të bërit ‘lajm interesant’ nxitoi ta raportonte.

Politikanët, të emocionuar nga kjo mundësi, nuk përtuan të dalin në ekrane televizionesh e të akuzojnë këdo që cenon të ardhmen e fëmijëve dhe dijen e tyre si gjënë më të shtrenjtë. E kështu si nisi kjo furi, kështu mbaroi e u harrua.

Por duhet të ketë një lidhje mes të dyja ngjarjeve. Patjetër që nëse nuk ka shkrimtarë vendas për fëmijë, nuk do të ketë as tekste shkollore të cilësisë së mirë për ta. Ndaj, përpara se politikanët të akuzonin “sistemin” për tekstet e gabuara shkollore, duhet të kërkonin pse ishte krijuar kjo gjendje me tekstet. Cilët ishin përgjegjësit? A kanë ata akoma detyra shtetërore?

Media, përpara se të bënte copy-paste statuse Facebook-u të prindërve, duhej të kritikonte gjendjen e krijuar nga politika, të zbradhte sisteme korruptive që çuan në këtë gjendje, t’i publikonte ato. Gjithashtu edhe prindërit, përveç gjetjeve duhej te denonconin këdo autor që i mësonte fëmijës së tyre të pinte lëng shkumësi apo çdo lloj marifeti tjetër të mbrapshtë. Emrat aty ishin, mjafton të lexoje kopertinën. Por kjo nuk ndodhi!

Në intervistën e kryetarit të Shoqatës së Botuesve thuhej edhe diçka tjetër shumë interesante. Pyetjes së gazetares se cilat aktivitete ishin parashikuar dhe nuk u kryen, ai i përgjigjet: Kishim parashkuar aktivitete me fëmijët e zonave periferike të Tiranës, për fëmijët në nevojë, aktivitete me nxënësit e gjimnazeve të Tiranës…po këto nuk u realizuan dhe nuk i parashikuam në program. Dhe pastaj vazhdonte të shpjegonte se si mungesa e mbështetjes financiare të ministrive përkatëse dhe Bashkisë, kishte çuar në anulimin e këtyre aktiviteteve.

Pyetja që kam në këtë moment është e thjeshtë. Po pse u sakrifikuan aktivitete të fëmijëve? Pse jo ndonjë aktivitet tjetër i ndonjë të rrituri? Pse u anulua pikërisht çmimi i letërsisë për fëmijë? Fakti që nuk ka pasur shumë prurje në këtë fushë do të ishte një arsye më tepër për ta promovuar, e për të inkurajuar ata shkrimtarë që kanë sjellë punime që të vazhdojnë e të shkruajnë më tej.

Një përgjigje e thjeshtë e pyetjeve më sipër do të ishte: sepse fëmijët janë më pak të rëndësishmit. Ata janë grupi par excellence i shoqërisë që nuk ka një zë në media. Sepse perceptohen të mos kenë asnjë rol politik. Roli i vetëm që kryejnë është ai objektit që simbolizon pafajësinë dhe që përdoret nga politikanët, sa herë këta duan të fitojnë simpatinë e publikut.

Fëmijët nuk flasin për çështjet e tyre, sepse nuk iu jep njeri hapësirë. Do kisha pritur që prindërit të paktën të ishin shqetësuar për mungesën e letërsisë vendase për fëmijët e tyre. Por u zhgënjeva kur pashë se si prindër politikanë, artistë, personazhe publikë qëndronin të qeshur përpara stendës së ndonjë gazetari, në pritje të një autografi. Kishin dhe fëmijët me vete, por ata, në pamundësi për të arritur të shikonin mbi stenda, u mjaftuan me shfletimin e librave që kishin përpara. Libra të të rriturve, sepse fëmijëve nuk ka kush t’u shkruajë!