Loja Me Shifrat e Papunësisë

Raporti i fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës mbi rezultatet e anketës së fuqisë punëtore të vendit për vitin e kaluar i publikuar në korrik 2014, më gëzoi.

Papunësia sipas Agjencisë kishte rënie. 

Lexova më pas raportet e të gjitha institucioneve tona të cilat merren me statistikat mbi punësimin. 

U habita nga rezultatet e tyre. 

Po filloj nga raporti i fundit i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës me shifra të sakta, komplete dhe të matshme. 

Sipas raportit, në Kosovë moshën për punë deri në vitin 2013 e kanë arritur 1 milion e 191mijë e 630 persona ( prej 15 deri 64 vjeç). 

Raporti më pas ndan këta individë në dy kategori. 

Kategoria e parë përfshinë  483 mijë e193 persona apo 40 për qind që llogariten si fuqi punëtore aktive për punë, ndërsa kategoria tjetër përfshin  708 mijë e 436 persona apo 60% që llogariten si persona joaktivë për punë. 

Persona ekonomikisht aktivë konsiderohen ata që e kanë një vend pune, ose e kërkojnë një të tillë, ndërsa joaktivë janë ata që nuk duan të punësohen, ose kanë hequr dorë nga kërkimi i vendeve të punës. 

E çuditshme është se shumica e personave që kanë arritur moshën për punë llogariten si fuqi joaktive . 

Raporti thekson se nga popullsia aktive prej mbi 480 mijë vetash, punojnë 338 mijë e 364 persona apo 70 për qind , e të papunë janë vetëm 144 mijë e 829 persona që i bie se papunësia në Kosovë është 30 për qind. 

Shifra tjera për papunësinë dalin nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. 

Kjo ministri në raportin vjetor të punës publikon se në vitin 2013 kanë qenë 266 mijë e 569 punëkërkues. 

Duke e krahasuar këtë numër me atë të personave aktivë në tregun kosovar të punës, papunësia sipas numrave të Ministrisë del në shkallën prej 55 për qind, ose 25 për qind më e lartë se ajo e kalkuluar nga Agjencia e Statistikave. 

Kjo agjenci duhet të tregojë se pse ekziston kjo mospërputhje, ose ku janë të punësuar 121 mijë e 740 persona që përbëjnë çerekun e popullsisë ekonomikisht aktive të Kosovës. 

Sidomos pasi Ministria e Punës raporton se brenda një viti mund të punësohen përafërsisht 8 mijë deri 9 mijë persona, e jo 121 mijë e 740 persona. 

Mos vallë këta njerëz kanë gjetur punë dhe nuk e kanë hequr emrin e tyre si punëkërkues nga listat e Ministrisë?! 

Edhe dy institucionet kryesore të cilat tregojnë saktë sa të punësuar janë ligjërisht dhe marrin paga të rregullta, kanë të dhëna tjera nga ato të Agjencisë së Statistikave dhe Ministrisë së Punës. 

Trusti Pensional  në raportin vjetor të punës raporton se kontribues aktivë në këtë institucion për vitin 2013 kanë qenë 277 mijë e 267 persona. Pra,  57 për qind e popullsisë aktive punojnë  dhe kontribojnë në Trust e që i bie se papunësia është 43 për qind. 

Por sipas Administratës Tatimore të Kosovës tatim në paga për vitin 2013 kanë paguar 274 mijë e 450 persona. Pra të dhënat e ATK-së zbulojnë se 56% e popullsisë aktive punojnë dhe paguajnë  tatim, ndërsa papunësia i bie të jetë 44 për qind. 

Nëse i krahasojmë këto shifra me ato të Agjencisë së Statistikave të Kosovës del se se 63 mijë e 914 veta apo 13% e popullsisë aktive janë të punësuar, por nuk janë të lajmëruar në Administratën Tatimore të Kosovës, e as nuk kontribuojnë në Trust!

Këta 63 mijë e 914 persona po punojnë se Agjencia e Statistikave të Kosovës i paska anketuar, por ligji nuk po i mbron se mos ndoshta punojnë “ në të zezë”? 

Nuk po e di a po ndjej keqardhje ndaj raportit të fundit nga Agjencia e Statistikave që nuk po i bën si duhet analizat e fuqisë punëtore, apo po brengosem për një kategori të njerëzve që (s)punojnë, e nuk mbrohen ligjërisht. 

Nuk e kuptoj pse duhet zbukuruar diçka që është evidente dhe esenciale për mirëqenien e qytetarëve-gjendja e tyre ekonomike. 

Por edhe numri i të punësuarve sipas Trustit dhe Administratës Tatimore ka shpërputhje. Trusti i konsideron të punësuar 277 mijë e 267 persona, ndërsa ATK-ja thotë se tatimin për pagat që marrin e kanë paguar 274 mijë e 450 individë. 

Prapë 2 mijë e 817 persona apo 1 për qind e popullsisë aktive kontribojnë në Trust e nuk pagujnë tatim në paga?

Apo janë të punësuar sezonalë e ende kontribojnë në Trust, ndërsa nuk paguajnë tatim në pagë? Si është e mundur kjo? 

Pikëpyetjet shtohen, ndërsa edhe numri prej708 mijë e 436 personave të popullsisë joaktive për punë është shumë i madh. 

Mos hyjnë këtu [te joaktivët] 25 për qind të punëkërkuesve në Ministrinë e Punës, pasi nga raporti i kësaj ministrie nxirret që 55 për qind të kosovarëve janë të papunë, ndërsa Agjencia e Statistikave numrin e të papunëve e konsideron 30 për qind?

Sinqerisht nuk po e di sa është papunësia në Kosovë, e institucionet tona duhet të na e sqarojnë a është papunësia 30 për qind sipas Agjencisë së Statistikave, a është 55 për qind sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, a është 43 për qind sipas Trustit Pensional, apo 44 për qind sipas Administratës Tatimore. 

Ndoshta dikujt i bie ndërmend të na tregojë se kush (s)po punon.