Verbërimi për Pushtet

Se bajraktarizmi ndër shqiptarët është pika më neurologjike që ndan vëllezërit, familjet, fiset, madje tërë popullin, është vërtetuar shumë herë dhe nuk do paraqiste një zbulim të ri në këtë sferë të jetës sociale kolektive. 

Ngushëllimi shpesh gjendet në arsyetimin se një gjë e tillë ndodh te çdo popull, madje si fenomen mund të haset ndoshta edhe më keq se te ne te të tjerët, por megjithatë gjithsesi jo sikur te ne kjo dukuri gjithnjë më shumë zë vend në kokat e të parëve. 

Fenomeni i bajraktarizmit nuk ka dyshim se shkon përtej mundësive dhe shpesh determinon verbërimin për pushtet, duke ndikuar te pushtetarët që të shohin në mënyrë monokromatike dhe të urrejnë secilin që nuk është me ata. 

Pa marrë parasysh se në këtë verbërim dhe urrejtje kanë të drejtë ose jo, nëse aplikohet ligji ose jo, të mos flasim nëse lëndojnë ndërgjegje, ose shkaktojnë dëme në shoqëri… thjesht asgjë mbi interesin e tyre. Fenomeni i largimit nga skena e të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, ose janë të rreshtuar në një subjekt që nuk është i njëjtë me pushtetmbajtësit, është mjaft i rrezikshëm dhe për pasojë  ka stagnimin, regresin, thellimin e përçarjeve dhe krijimin e urrejtjes. 

Doza e së keqes së këtij fenomeni në një mjedis homogjen ka rrezik të konsiderueshëm, por në një mjedis siç është Lugina e Preshevës, heterogjen dhe në varësi nga qeveria e Beogradit, fenomeni i përjashtimit të mendimtarëve ndryshe nga  skena, pushteti dhe vendimmarrja, shkon përtej verbërimit për pushtet dhe çon te dilema nëse ky skenar është produkt i pushtetmbajtësve, apo këta janë zbatuesit e kësaj ideje retrograde. 

Një ndër dukuritë e shumta është shkarkimi, pastaj emërimi i funksionarëve të ndryshëm, pa e analizuar punën e tyre, nivelin e profesionalizimit, shkallën e implementimit të një projekti të caktuar. 

Pastaj shkarkimi i këshillave të shkollave e me ta edhe i drejtorëve, përkundër të drejtave ligjore në kohën e funksionimit dhe afatin mandator që ata e gëzojnë.

I nisur si fenomen nga pushtetarët aktualë të Preshevës, e si model i kopjuar në Bujanoc, bile edhe përtej kufijve të Luginës, e që fatkeqësisht po vazhdon të jetë aktual, mund të konsiderohet si veprim që ka ndikuar drejtpërdrejt në krijimin e përçarjeve brenda kolektiveve të institucioneve të ndryshme, e më se e dhimbshme është përçarja  e institucioneve të  diturisë, institucioneve shkollore. 

Në këtë mënyrë po  përbuzet dinjiteti i këtyre individëve e edhe  kolektiveve të cilët jo më larg se para një dekade ishin frymëzuesit e ngritjes së vetëdijes kombëtare në parandalimin e makinerisë shfarosëse ndaj çdo gjëje shqiptare. 

Aplikimi i politikave të këtilla, jo vetëm në institucionet arsimore, por gjithkund ku pushteti lokal i limituar dhe tejet i varfër financiarisht, të lë përshtypjen dhe të futë frikën se këta pushtetarë lokalë, po të kishin fatin të qeverisin shtetin, vallë do të ishin ndryshe nga ata që shkaktuan luftërat apo,…

Ndjenja për pushtet totalitar është verbërim dhe si e tillë sjell fatkeqësi, ndaj kjo duhet ndërprerë dhe duhet hapur udhë atyre që meritojnë, atyre që dinë, munden dhe kanë vullnet për ndryshime, synojnë perspektivën dhe zhvillimin kolektiv të shoqërisë sonë shqiptare, në këto hapësira të pushteteve të varfra, pa i  marrë parasysh orientimet dhe rreshtimin e tyre në cilindo subjekt politik që tubon shqiptarët.