Kredi për të Blerë në Qendrën Tregtare

Përveç zgjedhjeve lokale, këto ditëve të fundit, Gjakova po lëkundet edhe nga një dukuri e re – hapja e disa qendrave të reja tregtare.

Lajmi për hapjen e këtyre qendrave u prit mjaft mirë nga shumë qytetarë për shkak se shpresonin në punësim. I njëjti lajm hidhëroi paska shumë tregtarë që kanë biznese të vogla me të cilat i mbajnë familjet. “Peshku i madh e ha të voglin”, thonë. Megjithatë, si kundër-argument, u përmenden numra e kalkulime të ndryshme për personat që do të punësohen në to.

Por, a do ta  ngjallin këto qendra tregtare ekonominë e “vdekur” të Gjakovës? Dhe, duke e ditur historinë industriale të Gjakovës, kjo pyetje na dërgon tek një pyetje edhe më bazike e më të përgjithshme: a do ta zëvendësojë tregtia prodhimin?

Industritë që dikur e mbanin gjallë qytetin sot nuk ekzistojnë. Dikush i kujton me nostalgji kohët kur rrugët e qytetit ishin të mbushura me njerëz në tri kohë të ndryshme sepse fabrikat punonin me tri ndërrime. E dikush provon ta dekonstruktojë atë nostalgji me argumente e shifra. “Kanë punuar me humbje,” ose “ato makina ose janë prishur ose nuk mund të jenë konkurrente me teknologjinë e kohë”, ose “nuk ka treg për këto industri.”

Por në fakt problemi qëndron dikund tjetër. Nëse kanë punuar me humbje, atëherë le të gjinden shkaktarët dhe le të evitohen humbjet dhe nëse janë prishur makinat ose janë vjetruar, le të blihen të rejat! Dhe, nëse atëbotë kur liberalizimi i tregut nuk ishte qëllimi kryesor i Europës ka pasur treg, si s’mund të ketë treg me gjithë këtë liberalizëm sot? Krejt këto tentime për dekonstruktim janë artificiale. Sepse, këtu ekonomia nuk është më problem teknik ose strategjik – është problem konceptual apo ideologjik.

Mendjësia e cila i krijoi fabrikat dhe industritë thoshte se prodhimi është kurrizi i ekonomisë. Prodhimi sjell bazën. Mendjësia e cila i krijon qendrat tregtare thotë se llojllojshmëria është ajo që ka rëndësi në ekonomi. Tregtia sjell diferencën. Pra, ky dallim konceptual është pikënisja e ndërtimit të ekonomisë. Dhe kështu rezultatet nuk do të jenë befasuese sepse modele të tilla kemi gjithandej botës.

Por, çka do të sjellin këto qendra tregtare? Vende të reja pune? Po disa, por jo në masë.

Llojllojshmëri? Nëse flasim për llojllojshmëri produktesh – ndoshta. Ama, nëse flasim për llojllojshmëri biznesesh, atëherë bizneset më të vogla do të ngulfaten nga këto qendra të mëdha.

Por, cili do të jetë ndikimi kryesor? Konsumerizmi. Jo vetëm këtu, por nëpër tërë botën shtëpitë e mallrave apo qendrat e mëdha tregtare kanë për qëllim që t’i ofrojnë të gjitha në një vend. “Është më praktike” thonë. Por, në fakt, qëllimi nuk është tek prakticiteti i konsumatorit, por tek sasia e cila i ekspozohet atij. Sa më shumë mallra në një vend, aq më e madhe mundësia për të blerë diçka. Dhe kështu, ne shpesh blejmë gjëra për të cilat në të vërtetë nuk kemi nevojë por ja që “paska lirim”, “ndoshta më duhet më vonë,” “është modeli më i ri në treg,” etj.

Aq më shlirë do të blejmë kur na ofrohet mundësia të paguajmë jo me para në dorë, por me kartela bankare! Sepse, kështu nuk i shohim paratë tek po largohen fizikisht, por e shohim veç një copë letër ku duhet të nënshkruajmë. 

Rritja e konsumerizmit nuk do ta ndihmojë eknominë e Gjakovës. Në fakt, ajo do ta thellojë në borxhe atë. Sepse dëshirat rriten, por mundësitë mbeten të njejta. Të papunët nuk kanë se si të bëhen konsumatorë sepse nuk kanë. Pensionistët nuk mund ta mbajnë as veten me pensionet tyre. Besa, as vetë punëtorët e këtyre qendrave tregtare nuk do të kenë mundësi të jenë konsumatorë të shitoreve ku punojnë për shkak të dallimit mes pagave që i marrin dhe çmimeve që janë në treg.

Por, nëse njerëzit nuk kanë të hyra atëherë si do të rritet konsumerizmi? A do të rritet vetëm dëshira për të blerë, ndërsa mundësia do t’i parandalojë ata? Jo. Edhe për këtë e ka “ilaçin” kjo “mendjësia” e re ekonomike. Zgjidhja do të gjendet tek huazuesit…bankat.

Bankat do të japin më shumë kredi…e më shumë kartela me të cilat mund të paguajmë edhe kur nuk kemi sepse nuk ka problem – do t’i kthejmë më vonë! Kështu i gjendet “qarja” konsumerizmit, por edhe i thellohet borxhi qytetarit.

Për hapjen e këtyre qendrave tregtare nuk mund t’i fajsoj pronarët e tyre. Faj ka mungesa e një vizioni të drejtë dhe plani konkret mbi ngjalljen e ekonomisë nga ana e pushtetit lokal.

Privatizimi e krijimi i mundësive të reja për konsum nuk janë zgjidhje. Privatizimi bëhet nga privati e për privaten. Ndërsa qytetari është më i madh se privati në numër e më i rëndësishëm se privatja në atë se çfarë përfaqëson. E krijimi i mundësive të reja për konsum pa pasur mbulesë nga prodhimi i thellon borxhet.

Gjakova ka nevojë së pari për forcim të institucioneve ligjore në mënyrë që të flet ligji e jo krimi. Vetëm atëherë investimi do ta zëvendësojë haraçin. Gjithashtu, ka nevojë për ndryshimin e mendjësisë ekonomike. Përderisa qendrat tregtare të jenë më prioritare se industritë prodhuese, konsumerizmi do të jetë dominues karshi prodhimit dhe borxhi i qytetarëve do të rritet bashkë me kapitalin e privatizuesve!