Biblioteka ç'ka qenë, ç’është dhe ç'do të bëhet

S’kam shkruar për t’i mbyllur sytë para këtij teksti, as për t’i mbyllur veshët askush. Absolutisht  as gojën. Së paku, jo njerëzit.

E kam shkruar për njerëzit, për ata që i lexojnë gazetat, revistat, portalet, për ata që informohen nga mjetet e informimit. 

E kam shkruar mbase në kohën e duhur, kur këtë javë (të hënën) filloi “Java e Bibliotekës” në Kosovë, kur gjendja e tyre më keq s’ka ku të shkojë. E kam shkruar se, ani pse duken sikur i kanë mbyllur sytë e veshët, gojën e mbajnë hapur.

E kam shkruar për njerëzit, për ata që i lexojnë gazetat, revistat, portalet, për ata që informohen nga mjetet e informimit. Armagedoni 

Përpos që hanë bukë me të, qajnë edhe halle për pagën tepër të ulët, edhe për shujtën, edhe për… Edhe pse shpresa u vdes e fundit, duket sikur u ka ndërruar jetë pas përfundimit të luftës, para 14 vjetësh. 

Ndjesë pastë ajo! Pasi s’shohin ditë më të mira për punën e bërë. Jetë paçin ata! 

Pasi punojnë edhe kështu e në këtë kohë. Dorën në zemër, e kanë humbur besimin edhe në ndikimin e medieve, pasi thonë se: edhe nëse flasin publikisht, nuk i merr kush parasysh fjalët e tyre, përpos që mund t’i marrë era e t’i endë kafeneve të kryeqytetit. 

Prandaj, heshtin bashkërisht, i madh e i vogël, po ka ndonjë që flet, pa ia shkruar emrin në tekst. 

Biblioteka, “fe” e njerëzimit

Kudo në botë biblioteka çmohet dhe konsiderohet vend i shenjtë, jo si kishat, xhamitë, teqetë etj. Pra, s’është kult i faljes e as i kërkimfaljes, por vend i leximit dhe i huazimit të librit. 

Megjithatë, ky vend i shenjtë s’është për shenjtorë as vetëm për ta. Është për filologë (shkrimtarë e gjuhëtarë), teologë, fizikanë, kimistë, matematikanë, ekonomistë, juristë, doktorë, arkitektë, psikologë, filozofë, sociologë, pedagogë, për dreqin e të birin, për ata që kanë qenë dikur dhe janë edhe sot dikush, që kanë shkruar diçka dhe që përmendën nga të tjerët sot për të mirë. 

Të gjithë këta, bibliotekës, vendit ku e kanë kaluar gjysmën e jetës duke lexuar ose marrë libra, i kanë thurur epitete të shkëlqyeshme, metafora, simbole e figura të tjera stilistike. E kanë çmuar shumë, se është vend për t’u çmuar dhe pasur respekt. E, jo vetëm kaq. 

Ndonjëri edhe ia ka lënë jo kishës, as xhamisë, por bibliotekës pasurinë e vet trashëgim, jo vetëm librat – bibliotekën personale, por edhe paratë, mjete të tjetra të vlefshme – pasurinë personale.

Ajo ka qenë dhe mbetet: “objekt fetar” i gjithë njerëzimit. 

Për biblioteka janë bërë edhe dokumentarë. Për shkrimtarë që kanë qenë të lidhur me biblioteka janë bërë edhe filma. E kur t’i shohësh ato biblioteka në dokumentarë e filma, nuk të mallëngjen puna e regjisorit as e skenaristit, por vendi ku kanë punuar punonjësit e ku kemi studiuar ne.

Askush, prej gjithë atyre që kanë qenë të lidhur me bibliotekën e sot janë dikush, s’e harrojnë shtëpinë e vet të librit, i cili, për shumicën prej tyre, konsiderohet tempull i dijes, tempull i kulturës dhe i shkencës. 

S’e harroj as unë bibliotekën, me të cilën në vitin e parë, të dytë, të tretë, atëkohë kur isha student i Filologjisë, nuk ia lëshoja derën. 

Zgjohesha rreth orës 7.00 për të ardhur dhe radhitur në radhët e gjata të studentëve, të cilët pritnin para hyrjes së saj për të gjetur një vend në sallat e leximit të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, e që kishte mundësi, edhe atëherë kur ishte dimër, të prisnim rreth një orë jashtë për të gjetur një vend për lexim brenda, që kur e zija, s’e lëshoja më deri kur i binte terri tokës, ndonjëherë edhe kur ia vënin drynin.

Pra, edhe në këtë mënyrë e respektoja dhe më dukej, sikur shumë të tjerëve, vend i shenjtë, se ma kapte më shumë mësimin në të sesa kur lexoja diku tjetër.

Ajo ka qenë dhe mbetet: “objekt fetar” i gjithë njerëzimit. 

S’e kujtoj vetëm unë bibliotekën, por të gjitha ata që i kanë kryer studimet në Prishtinë e kanë lexuar në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare me endje e kujtojnë këtë tempull.

Shpeshherë, kur takohem me njerëz më të moshuar, por edhe të gjeneratës sime, e kujtojmë këtë objekt. Disa i përshkruajnë sallat e leximit të saj, disa punonjëset e saj, disa skedarët e saj, disa amfiteatrot e saj, disa drejtorët e saj, disa punët e drejtorëve të saj, disa ambientin e jashtëm të saj, disa lidhjet e dashurisë, njohjet e ndarjet rreth e rrotull saj. 

Rrëqethen kur i kujtojnë ato kujtime, atë pjesë të rinisë, studimet, të cilat, mbase, mbahen mend më së shumti gjatë gjithë jetës. 

Flasin për shumëçka, po askush për pagat e punonjësve të saj, s’e nuk kanë njohuri sa i kanë. Megjithatë, mendojnë se i kanë të mira, si të profesorëve universitarë, se kanë përshtypjen se biblioteka ka kuadër arsimor dhe akademik.

Po sot, Bibliotekë, pa m’thuj si je?

Dikur, kur nuk ekzistonte Qeveria e Republikës së Kosovës, punonjësit e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës ishin zotërinj të vërtetë. 

Kishin respekt dhe pagë të madhe. Kjo i përket së kaluarës. As sot nuk u mungon respekti.

Ndokush ndonjëherë solidarizohet me ta me ndonjë thes miell, me mish, me ilaçe por, përpos solidarizimit, s’e kanë rrogën që e kanë pasur atëkohë, as gjysmën e saj, as një të tretën e saj, as një të katërtën, se nuk konsiderohen punonjës shkencorë e që, realisht, janë, por thirren si punonjës të administratës, shërbyes civilë, edhe pse nuk u pëlqen aspak emërtimi. Kjo i përket së tashmes. 

S’e harroj as unë bibliotekën, me të cilën në vitin e parë, të dytë, të tretë, atëkohë kur isha student i Filologjisë, nuk ia lëshoja derën. 

Duke qenë shërbyes civilë, paga më e ulët e tyre llogaritet me koeficient 4.5 (e bibliotekares është 140 euro) deri tek më e larta 10 (e drejtorit), që nuk arrin as 500 euro. 

Madje, në të kaluarën, edhe pse kanë pasur pagë të majme, respekt më të madh, shujtë ditore e qumësht nga një litër në ditë (punonjësit që punonin me libra të vjetër e të rrallë), punonjësit e saj sot ushqehen me para të rrogës së vet, edhe qumështin e pinë me para të xhepit të vet. 

Ndonjëri ose ndonjëra, kur niset për në punë, në çantë e merr bukën me vete, pasi nuk ka mundësi që nga 140 eurot të ndajë 1.20 euro çdo ditë për bukë, të ushqehet në bufenë e bibliotekës, e cila u shërben punonjësve të saj me çmime të lira. 

Absolutisht nuk u mungon respekti as nga drejtori, as nga udhëheqësia e bibliotekës, por mundësitë e saj, të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, janë shumë të kufizuara që t’ua sigurojë punonjësve të vet shujtën, por edhe rrogën më të lartë.

Ekziston edhe një Sindikatë e Punëtorëve të BKUK-së, e cila nuk ka kaçik të bëjë asgjë më shumë për punonjësit, përpos që ato para që i mbledh nga të anëtarësuarit, mbi gjysmën t’ia japë SBASHK-ut, kurse ato të mbeturat, në ndonjë rast nevoje për ndonjë punonjës të sëmurë të BKUK-së, t’ia japë atij për shërim, ose në rast të vdekjes së ndonjë anëtari të familjes të punonjësit të BKUK-së, të solidarizohet me të me 20-30 euro mallra, pa gëzuar kurrë të drejtën e SBASHK-ut, anëtar i së cilës nuk do të bëhem kurrë, se nuk punon për punonjësit, po për fytin e vet. 

Këta punonjës, nëse jo sa e kanë pasur në të kaluarën rrogën, pra atëherë kur nuk ekzistonte Qeveria e Republikës së Kosovës, së paku sot duhet të barazohen me punonjësit e Institutit Albanologjik, me punonjësit e Institutit të Historisë ose të profesorëve universitarë, e jo të mbesin në nivelin e pagës me bibliotekarët e bibliotekave komunale.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës i ka nën mbikëqyrje të gjitha bibliotekat komunale dhe ato pothuajse janë bija të saj, fakultet i tyre dhe fakultet për to, të cilat i furnizon rregullisht me libra të rinj, punonjësit/es e të cilave i aftëson vazhdimisht me ligjërata nga fusha e bibliotekës, bën ndarjen e librave në raftet e saj qoftë me kud, qoftë me alfabet, qoftë edhe me sistemin elektronik “Aleph 500”, organizon bibliotekën për to e të tjera punë edukative e shkencore. 

E për ata që s’e dinë, në bibliotekë nuk jepen letërnjoftime, as nuk aplikohet për vizë, as për patentë shofer. 

Biblioteka, e cila hëpërhë është edhe Kombëtare dhe Universitare, përpos institucion kulturor e arsimor, është edhe institucion shkencor, e cila, sikurse përmendëm, organizon trajnime nga fusha e bibliotekarisë, nga fusha e bibliotekës digjitale, organizon ligjërata për bibliotekat komunale nga programet e saj elektronike, harton bibliografi e nxjerr revistë kulturore, arsimore e shkencore. 

Këtij objekti të madh, e këtyre punonjësve të saj, u duhet përkrahje prej Ministrisë së Kulturës, patjetër edhe asaj të Arsimit. Kushtet e punonjësve të saj janë të mira, por puna e madhe e tyre paguhet shumë shumë pak. 

Biblioteka ç’do të bëhet?

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare është zvogëluar aq shumë sa tashmë është bërë divizion i Ministrisë, i asaj të Kulturës po, i Arsimit ende nuk dihet, pasi ende s’e ka në menaxhim. Prandaj i duhet qarë halli fort. Kaherë është folur se do të ndahet Biblioteka Kombëtare nga ajo Universitare. 

Edhe një objekt është nisur që sa së ndërtuari për Bibliotekë Universitare, por ende s’është përfunduar. Jo që nuk po e çojnë mirë bashkë këto dy biblioteka e këto dy institucione (Ministria e Kulturës me atë të Arsimit), mirëpo po mendohet t’u shërbehet më lehtë dhe më shpejt lexuesve/studentëve. 

E për ata që s’e dinë, në bibliotekë nuk jepen letërnjoftime, as nuk aplikohet për vizë, as për patentë shofer. 

E dyshimet rreth ndarjes së tyre, ndryshojnë edhe punët e bibliotekarëve. Megjithatë, askush nuk e di se cilët punonjës do të kenë rrogë më të mirë, ata të Bibliotekës Kombëtare apo asaj Universitare, por pothuajse të gjithë ata e dinë se, edhe pse do të bëhet kjo ndarje, nuk do të ngrehet rroga e tyre dhe titulli i tyre, as nëse i shërbejnë Bibliotekës Universitare, as asaj Kombëtare. 

Dihet vetëm se njëra (Biblioteka Kombëtare) do të jetë nën menaxhim të Ministrisë së Kulturës, tjetra (Biblioteka Universitare) nën menaxhim të Ministrisë së Arsimit. 

Ndërkaq, punonjësit e saj prapë do të mbesin shërbyes civilë, t’u shërbejnë studentëve, t’i përgatisin e mbajnë ato ligjërata për punonjësit e bibliotekave komunale, të hartojnë bibliografi e të botojnë revista e të mbesin të pakënaqur edhe më tutje, pa pasur mundësi të shprehin pakënaqësi në sy të ministrave, të kryeministrit e të të tjerëve se, kanë turp, u vjen keq të kahen para të tjerëve, kurse i qajnë hallet me njëri-tjetrin, duke shpresuar se ndonjë ministri do t’i bjerë ndërmend për ta e gjendjen e tyre ose do t’i dëgjojë fjalët e tyre.

Pra, një institucion administrativ këto punë shkencore që i përmendëm nuk i kryen. Edhe nëse kryen diçka, ato ua paguan punonjësve të vet me honorarë, që këtë privilegj nuk e gëzojnë punonjësit e tempullit të librit dhe të dijes. 

Ka, po ashtu, punonjës të saj që, ani pse kanë bërë pesë vjet përvoje punë, kanë kryer fakultetin e masterin, mbesin në koeficientin 6. S’u ka lëvizur kurrë prej që janë punësuar, ani pse vetës i kanë shtuar tituj shkencorë dhe i kanë kryer detyrat me përgjegjësi. 

Po pse ai sistem komunist kujdesej më shumë për punonjësit e këtij institucioni sesa ky shtet demokrat? Ka pasur kulturë apo respekt më shumë atëherë sesa tash për këta punonjës e këtë institucion? Kur bëhen këto pyetje shumëkush nga ta (punonjësit e saj) heshtin, se u vjen inat të thonë se më mirë ishte në të kaluarën sesa sot. 

Pra, kanë respekt për shtetin e vet, të cilin e kursejnë nga krahasimet. Por, përgjigje për këtë gjendje të tyre duhet të japin: Kryeministri, ministri i Kulturës, patjetër edhe ai i Arsimit, së bashku me atë të Financave, të cilët nuk e di nëse e kanë frekuentuar bibliotekën sa kanë qenë studentë, pasi ta lënë kaq të margjinalizuar, s’do shumë koment për ndërgjegjen e tyre!

Megjithatë, ka disa punonjës të BKUK-së që japin disa mendime, të cilat janë shumë të pranueshme kur merren faktet nga terreni. Ata thonë se punonjësit e saj, në kohën kur Kosova konsiderohej Jugosllavi, kishin pagë të madhe për shkak se të gjitha bibliotekat kombëtare në ish-Jugosllavi, jo ato rajonale, kanë pasur status të veçantë. 

Punonjësit e saj kanë marrë rrogë sa të profesorëve universitarë, sa të punonjësve të instituteve. S’e kanë pasur rrogën vetëm sa për të ngrënë bukë, e që u paguhej edhe shujta, edhe sigurimi shëndetësor, por me të jepej mundësia edhe të ndërtohej shtëpi, blije banesë, veturë, ta mbaje familjen etj. 

Nëse në atë kohë ishte kështu, edhe tash mund të bëhet ashtu. Nëse s’mund t’ia ndërrojnë emrin bibliotekës, ta emërtojnë fakultet, i cili propozim duket shumë paradoksal vetëm sa për t’ua rritur pagën punonjësve të saj, atëherë të dy ministritë, ajo e Kulturës dhe e Arsimit, duhet të bëjnë një status të veçantë për të. 

Ministria e Kulturës e ka një divizion për libër dhe publikime, e ka edhe një shef të sektorit të bibliotekave, i cili nga BKUK-ja ka zënë vend në atë ministri, po si duket ua ka zënë pritën punonjësve të BKUK-së kur ka shkuar aty pasi, edhe pse është bërë një ligj për bibliotekat, s’i ka shkuar mendja të mendojë për ish-kolegët e vet dhe të kaluarën e vet, atëkohë kur e merrte katërfshin e pagës që sot merr. 

Kurse Ministria e Arsimit mbase po mendon se, kur ta hapë Bibliotekën Universitare, të mendojë edhe për pagat e punonjësve të vet, të cilëve, ka mundësi, t’ua barazojë me të arsimtarëve të shkollave të mesme. 

Nëse veprohet kështu, është lajm i mirë për ta, pasi menjëherë u ngrehet paga për nja 100, dikujt 150 euro. Dmth., u afrohen me pagë kolegëve të tyre të Bibliotekës së Shqipërisë, të cilët pagën mujore e kanë mbi 500 euro. 

E bëmë këtë krahasim me Shqipërinë, por s’e bëmë me Kroacinë, Slloveninë, Maqedoninë, Rumaninë, punonjësit e bibliotekave kombëtare të të cilave e kanë pagën sa të profesorëve universitarë. E paga e atyre profesorëve universitarë është edhe më e madhe sesa paga e profesorëve tanë universitarë. 

Merreni me mend se si dhe sa vlerësohet puna e punonjësve të Bibliotekës Kombëtare dhe asaj Universitare në shtete të tjera, të cilat nuk janë shumë para nesh as me kulturë, as me të arritura në shkencë.  

Dihet vetëm se njëra (Biblioteka Kombëtare) do të jetë nën menaxhim të Ministrisë së Kulturës, tjetra (Biblioteka Universitare) nën menaxhim të Ministrisë së Arsimit. 

Kështu që, është koha që, pasi po bëhet edhe kjo ndarje e këtyre dy bibliotekave, memorandumi i së cilës është nënshkruar të hënën në amfiteatrin e BKUK-së, kur filloi edhe aktiviteti kulturor e shkencor “Java e bibliotekës”, të kenë një status të veçantë punonjësit e saj ndryshe nga ata të bibliotekave komunale. 

Po ashtu, është koha që, nëse Bibliotekën dhe punonjësit e saj Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i konsideron si në të kaluarën e nuk u jep privilegje sa kanë pasur, duhet të bëjë më shumë sesa ka bërë ajo ish-Jugosllavi për ta, pasi vetëm kështu mund ta paraqesë vetën, sigurisht për të mirë, në këtë raport krahasimi me të. 

Pasi janë bërë shumë punë të mira e shumë investime të mëdha kudo në Kosovë, janë ngritur rrogat e profesorëve universitarë shumë e të arsimtarëve goxha shumë, ju të tre, i nderuar kryeministër Hashim Thaçi e ministër Memli Krasniqi dhe ju, i nderuari ministër Ramë Buja, ngrehni rrogën edhe për punonjësit e tempullit të shenjtë: të BKUK-së. 

Barazojuani pagat me punonjësit e instituteve e të profesorëve universitarë! Gjendjen e tyre shpirtërore, sociale e ekonomike mund ta vlerësoni jo nga ato që dëgjoni, as nga ky tekst, por nëse vini jua zgjatni dorën atyre e i shihni në sy. Janë njerëz të thyeshëm, që ju zënë besë dhe ju kuptojnë kur nuk keni, sikurse i kanë zënë besë ministrit Enver Hoxhaj kur ishte ministër i Arsimit, i cili u pati premtuar pagë më të lartë e që, s’e morën kurrë më shumë.

Janë njerëz edhe të kulturuar, të cilët nuk e ngrehin e as e qesin vetën në rrugë e as në protestë për bukë të gojës (shujtë), as për pak para më shumë, e që është dashur dhe duhet ta bëjnë, herët a vonë. (Pikëpamjet në këtë tekst janë personale).