Depresioni

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) depresioni është tema e këtij viti për ditën botërore të shëndetit mendor, 10 tetorin. Vështirësitë  e shëndetit mendor janë realitet dhe mjaft  të përhapura edhe në vendin tonë.

Qendrat e shëndetit mendor tregojnë se numri i personave që kërkojnë ndihmë lidhur me shëndetin mendor është gjithnjë në rritje, sidomos nw mesin e adoleshentëve. Ndryshimet e shpejta të tranzicionit kulturor e social, pasojat psikologjike të luftës, gjendja e rëndë ekonomike, varfëria dhe papunësia, konsiderohen si indikatorë për rëndimin e gjendjes psikologjike të kosovarëve.

foto  
Blerta Sulhasi  

 

Buxheti i vogël i ndarë nga Ministria e Shëndetësisë dhe mungesa e statistikave për personat me çrregullime mendore në Kosovë, nuk duhet të na dekurajojë neve si shoqëri kosovare që të japim kontributin tonë qoftë vetëm me përkrahje dhe referim të rasteve në institucionet adekuate.

“Programi i Shërbimeve Psikologjike në Shkolla” (PSHPSH) në rrugën e përkushtuar të promovimit të shëndetit mendor, në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, me 10 Tetor, i bën thirrje shoqërisë kosovare që të angazhohemi sa më shumë në promovimin e shëndetit mendor.

PSHPSH është i përkushtuar të edukojw, lobojw dhe të ofrojw programe parandaluese e trajtuese për mirëqenien mendore të adoleshentëve kosovarë. Ne jemi duke u angazhuar që kjo të përhapet në sa më shumë vende të Kosovës dhe jo vetëm te adoleshentët. Mendojmë që secili duhet të kuptojw rëndësinë esenciale të shëndetit mendor në raport me shëndetin në përgjithësi dhe mirëqenien tonë.

Secili jemi të rrethuar me njerëz të cilët përballen me depresionin, çrregullime të ankthit, distresin emocional, stresin pastraumatik apo abuzim me substancat narkotike. Mos trajtimi i këtyre vështirësive të shëndetit mendor mund t’i dërgojw këta persona në një gjendje edhe më të rëndë. Nëse keni ndonjë shok, familjar apo koleg që ka vështirësi të shëndetit mendor, ju mesiguri jeni duke menduar se çka mund të bëni që t’i ndihmoni më shumë! Ofroni përkrahje, dëgjoni me kujdes, respektoni dhe bisedoni qetë për t’i inkurajuar që të drejtohen te psikologu, psikiatri, apo punëtori social klinik, pasi që këta janë profesionistë të shëndetit mendor që kanë njohuri se si të identifikojnë dhe trajtojnë vështirësitë e shëndetit mendor, madje edhe se si t’i parandalojnë ato. 

Mos lejoni që të afërmit tuaj me vështirësi të shëndetit mendor të ndikohen nga stigma, mungesa e informacionit apo kostos. Ne si pjesëtarë të komunitetit nuk duhet të heshtim apo t’i injorojmë këto raste.

Shkollat, bizneset, institucionet qeveritare, shërbyesit shëndetësorë, organizatat dhe qytetarët, kanë përgjegjësinë që të promovojnë mirëqenien mendore dhe të përkrahin aktivitetet parandaluese.

Ngjarjet e ndryshme të cilat ndodhin në jetë ndikojnë në forma të ndryshme tek ne, si: shqetësime gjumi, vështirësitë në përqendrim, irritueshmëria, sulme paniku, paaftësi për t’u qetësuar, humbje të shpresës, oreks i shtuar apo i pakësuar, energjia e paktë, dëmtimi i kujtesës, luhatjet e disponimit, problemet në çift, etj. Këto mund të jenë disa nga kriteret përcaktuese të çrregullimeve mendore, që varen nga kohëzgjatja dhe intensiteti i tyre dhe që ndikojnë në dëmtim të fushës sociale dhe profesionale. 

Përderisa vështirësitë e shëndetit mendor janë të zakonshme ato janë edhe të shërueshme. Ka mënyra të shumta shkencore të vërtetuara, që mund të ndihmojnë secilin person që kalon nëpër kohë të veshtira dhe të përmirësojw gjendjen e tyre, që të mund të bëjnë një jetë po aq produktive si më parë.

Për më shumë informata se si t’i ndihmojmë të afërmve tanë me vështirësi të tilla të shëndetit mendor, vizitoni faqen në Facebook, të “Programit të Shërbimeve Psikologjike në Shkolla”.

Duhet pasur  parasysh se përmirësimi i vështirësive të shëndetit mendor, të shokut apo familjarit tënd, mund të merr kohë, por përkrahja juaj sociale ka rol të rëndësishëm në shërimin e tij.

Blerta Sulhasi, MA, është psikologe klinike e licencuar.