Rreziku nga Asociacioni Serb

Fjala është tek konkretizimi nga e përgjithshmja që ishte arritur në atë kohë. Pra sesi bashkësia serbe do të funksionoj; ҫfarë roli do të ketë në procesin e shtetë-ndërtimit në Kosovë; a do të mund të ndikojë në përmirësimin dhe avancimin e pozitës së serbëve në Kosovë; dhe, në fund, a do të arrijë të rrumbullakojë një periudhë relativisht të gjatë të tensioneve në mes të pakicës serbe, Beogradit dhe institucioneve të Kosovës?
 
Ka mendime të ndryshme lidhur me atë se ҫfarë efektesh politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë do të shkaktojë themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe. Ka të atillë që besojë që qëllimi final dhe strategjik i Serbisë nuk është vetëm ruajtja e pakicës serbe, qysh dhe shprehet zyrtarisht Beogradi, por është pikërisht për të patur hise në qeverisjen e Kosovës. Pra, qëllimi përfundimtar është realizimi i politikës së hapur të Beogradit për të bërë të mundur dështimin e projektit të pavarësisë.
 
Ka dhe të atillë të cilët arsyetohen se fakti që Bashkësia e Komunave Serbe është në tavolinë dhe se duhet të themelohet rëndon në kontekstin gjeo-politik në të cilën është Kosova, përkatësisht Ballkani. Rajoni i jonë i Ballkanit Perëndimor është i tensionuar sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve, megjithë përmirësimet në periudhën e fundit. Për shkak të ndikimit gjithnjë e në rritje të Rusisë në Ballkan dhe përkushtimit të qeverisë së Serbisë që të ruaj partneritetin në dy frontet gjeo-politike: Perëndimin dhe Rusinë, lufta në mes të këtyre dyjave është zgjeruar pikërisht tek shteti më i fuqishëm i Ballkanit Perëndimor: Serbia.
 
Pra, nëse e marrim parasysh kontekstin e sistemit ndërkombëtar, sistem i cili është i dizajnuar që t’iu shërbejë fuqive të mëdha, nuk përjashtohet mundësia që Kosova, si shtet më i vogël demografikisht dhe territorialisht dhe i dobët në aspektin socio-ekonomik të vuaj si pasojë e këtij sistemi. Më konkretisht, Bashkësia e Komunave Serbe pritet të jetë dhe një ҫmim tjetër i projektit të pavarësisë. Me të synohet të realizohet objektivi i vendeve perëndimore për t’a futur Serbinë në gjirin e saj, pra për t’a larguar nga ndikimi rus.
 
Ndërkohë, pasojat e krijimit të këtij mekanizmi institucional do të jenë dramatikisht të mëdha jo pse qëllimi i Serbisë është që të bëjë të mundur mos-funksionalizimin e Kosovës por pikërisht mungesa e prespektivës së zhvillimit ekonomik, mungesa e shtetit ligjor si dhe pengesat lidhur me konsolidimin e mëtutjeshëm demokratik të shoqërisë dhe institucioneve.
 
Mekanizma të tillë institucional gëzojnë shumë shtete të botës, veҫanërisht shtetet evropiane: Belgjika, Austria, Finlanda, Rumania etj. Institucionet e tilla vetëqeverisëse, të cilat gëzojnë një autonomi të konsiderueshme qeverisëse në kuadër të shteteve, janë jo vetëm pengesë e zhvillimit, por dhe kontribuojnë mjaft shumë në përparimin e këtyre vendeve. Dhe faktori përcaktues që bën të mundur një gjë të tillë është pikërisht prespektiva ekonomike, sundimi i ligjit dhe konsolidimi demokratik shoqëror dhe institucional që gëzojnë këto vende.
 
Alarmi i dhënë nga partitë opozitare si dhe shumë analistë përbën arsyeshëm rëndësi të konsiderueshme për të ardhmen e Kosovës. Porse ky alarm nuk bën dot rëndësi nëse zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe demokratizimi institucional dhe shoqëror përbëjnë objektivin strategjik të institucioneve të Kosovës, të ndihmuar nga shtetet perëndimore. Efektet negative të Zajednicës do të ndihen vetëm nëse vazhdojnë problemet rreth mungesës së zhvillimit dhe jo domosdoshmërisht jetësimi i këtij mekanizmi institucional.
 
Sikur të kishim një qeverisje e cila do të ishte e përkushtuar në zhvillim dhe demokratizim, nuk besoj që do të ishte në tavolinë një propozim i tillë. Mbetet tek gjeneratat e reja politike t’a kuptojnë që mënyra e vetme për të bërë të mundur menjanimin e imponimeve të dëmshme politike që vijnë nga jashtë është domosdoshmëria e institucioneve që të jenë përgjegjëse para publikut të vet si dhe të realizojnë objektivin sublim të ekzistimit të shtetit: rritjen e mirëqenies dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.