Lakmi e Mosdurim Ndaj Gyrbetlinjve

Diskutimi nis që para mbërritjes në kufirin Shqipëri-Kosovë, në Morinë. Thua do të ketë rende të gjata? Zvicra ia ka mësyrë Kosovës, kështu që nuk i dihet për sa kohë do të bëhemi ‘kurbanë’! Për fat, atë ditë korriku kufiri ishte i zbrazët.

Por Zvicra e Gjermania bëhen temë mëngjesi, dreke e darke në korrikun e në gushtin kosovar. Në shtëpi, në rrugë, në kafene, në dyqane e mejhane.

Vera është e bukur në qytetin kufitar, në Gjakovën e pushtuar nga papunësia dhe ikja. Vera është e bukur në Kosovë. Jo pse vendi i shtrirë në Gadishullin Ballkanik në muajt e nxehtë ka magjinë e diellit, lumenjve e luginave; as pse kafenetë e shtrira në rrugë mbushen si plazhe të hapura, pa u ngutur aspak për t’u nisur drejt detit; as pse ndoshta politika si temë kryesore e tavolinave tona nis e zbehet dhe i lë vend më shumë temave “më të lehta”; as pse mallkimi politik që na lë si të paaftë e të dërrmuar për të vazhduar më tej nuk i reziston fort ngjyrave verore.

Vera në Kosovë mund të jetë e lodhshme, por bëhet tmerrësisht e bukur kur bëhet atdhe i plotë. Bereqeti vjen sall “shacive” (kërkoj ndjesë për zhargonin popullor që i etikon kështu mërgimtarët),  zviceranëve, gjermanëve, amerikanëve e vendalive të ikur në çdo tjetër tokë e shtet.

Qyteti kufitar merr frymë, siç marrim frymë ndryshe edhe banorët, tregtarët e vegjël e të mëdhenj, rrugët, kafiteritë e restoranet. Një tjetër atdhe – ai i të gjithë kosovarëve që kthehen nën qiellin e saj. Një dozë gjallërie dhe një infuzion plot jetë, gëzim, çmallje, muhabet, kafe e raki.

Po ç‘të bësh që fryma sezonale nuk është aq e qetë siç e duan banorët të jetë, dhe schatz-it nganjëherë e shpesh po ua prishin qetësinë, e biles edhe po ua shtojnë lakminë.

Makinat e shtrenjta, që i akuzojnë se i kanë të marra në ‘rent a car”, po ua vrajnë ngapak sytë edhe sikurse zhurma e dasmave.

Mbase kosovarët e ikur janë një makinë sociale që kur kthehen në atdhe e lëshojnë ngapak “zhag”, edhe ndonjëherë harrojnë të vozisin e kushedi çka, megjithëse secili është rast individual, por ajo që nikoqirët e harrojnë është se kjo është gjysma e tyre e shpirtit dhe përtej të mirave jomateriale, është dhe baza materiale për një numër jo të vogël. Sa pak të durueshëm nikoqirët! Pse jo, edhe sa të pafytyrë!

Edhe rrjetet sociale në ethe. Hej ‘shaci’ a je normal?!

Po cila është nostalgjia e vërtetë? Dhe kush kujt do që t’i tregojë, e çfarë do t’i tregojë? Se në Kosovë rrnohet mirë apo se në perëndim është më mirë? Lojë e trishtë, sidoqoftë! E në këtë trishtim kosovarin që jeton e punon në mërgim është bukur të gërryesh për një vit. Dhe kur vjen, t’i ulësh na tavolinë se s’bën, sepse ai gjithnjë do të qerasë më një kafe, një birrë e një darkë. Se është i përvëluar e plot mall, dhe kosovari karshi tij është në hall. Mjerë ju, mjerë ne! Fytyra di të vë maskë fare lehtë e pranon vetëm xhepat e mbushur të shqiptarëve të vet.

E gërditshme për besë! Një diskurs mjeran dhe një humor i shpifur i mejhaneve!
Në shoqërinë e masës me fenomenologjinë e saj kolektive të përbashkëtat dhe të ndryshmet janë të shumta, halli është nëse kosovarët pretendojnë apo duan me gjithë shpirt që t’u mësojnë kosovarëve të ikur se si duhet të sillen e si të veprojnë me më shumë kulturë e edukatë në tokën e të parëve, që çuditërisht harrojnë se është edhe e të dytëve po aq sa e tyre.

Kësisoj ngjarjet e ndryshme përgjatë dy muajve me mërgimtarët kthehen në spektakël e në reklamë herë të njërës e herë të tjetrës palë.
çfarë ka ndodhur realisht në këto diferencime jo të vogla.

Lakmia e kosovarëve të Kosovës për jetën e kosovarëve në gurbet, atë të vërtetën dhe atë imagjinaren, apo atë të shfaqurën prej tyre? Apo lakmia për një jetë normale për të cilën, besoj, se secili e ka lëshuar këtë vend.

A është kjo arsyeja pse jemi bërë kaq shpirtngushtë e padurues për një, dy, tre javë, një e dy muaj?

Mbase. Sepse ligji i mbijetesës është i përbotshëm dhe ngrihet mbi çdo rend.
Dhe shqiptarët, shumë prej tyre, që nën hije rrojnë se ‘shacit’ për ta punojnë!

Boshllëqet që duket se mbyllin për pak, hapin boshllëqe të tjera. Territori ynë i egër sado që zbutet sa jashtmi, egërsohet përbrenda. Mes fjalëve që nganjëherë nga turpi i përpijmë, nisim të qeshim e të ndajmë me tjetrin, herë me zemër e herë për sy e faqe. Globi shqiptar që bëhet bashkë për dy muaj është plot kundërshti, dhimbje e lakmi, copëza të çmontuara, që vështirë përputhen dhe vështirë e durojnë njëri-tjetrin.

Kosovarët ndërkaq të padurueshëm ndaj prishjes së qetësisë gogësijnë mirë në fillimshtator. Lumë si ne sa nga “shacit” rrojmë!