Serbia më vulosi pasaportën time të Kosovës

Pas tre ditësh udhëtim në Danub, ne prekëm cekëtinë. Unë mbeta në mes të asgjësë diku mes Rumanisë, Bullgarisë dhe Serbisë. Ne kishim hipur në anije në Giurgiu, në kufirin Rumani-Bullgari më 18 qershor dhe lundruam deri më datë 20, kur anija  zbarkoi në Donji Milanovaç, në Serbi.

Po merrja pjesë në një seancë lundruese të planifikimi strategjik për OJQ-në time, Forumi i Rrjetit Alpach, një organizatë me anëtarë nga e gjithë Europa.

Të gjithë pasagjerët në anije u ftuan të tregonim pasaportat tona dhe katër prej nesh paraqitëm pasaportat e Kosovës te policia në pikën e kontrollit të kufirit. Ndërkohë, siç jam mësuar, prisja të na jepnin një copë letër të ndarë me një vulë në të, siç ka qenë procedura që nga marrëveshja e vitit 2011 mes Kosovës dhe Serbisë për lëvizjen e lirë.

Për çudinë tonë, kjo nuk ndodhi këtë herë. Në fund, ai na ktheu pasaportat tona. Kur i pyeta për letrën e ndarë, ata thanë: “Ne nuk dimë gjë për letrën dhe ju jeni të lirë të hyni në Serbi”.

Ne morëm pasaportat, pa u shqetësuar të kontrollonim nëse ishin të vulosura.

Një ditë më pas, duke pritur në autobusin nga Beogradi në Prishtinë, po pyesja veten si do të kalonim kufirin pa letrën standarde të veçantë! Kontrollova pasaportën dhe u befasova kur pash vulën e kontrollit serb të kufirit në pasaportën time të Republikës së Kosovës. Nuk mund të përmbahesha ndaj e postova vulën në faqen time të Facebook. Brenda pak minutash, ndërsa isha ende në Beograd, disa portale online në Kosovë kishin postuar lajmin se “Serbia dorëzohet dhe njeh pasaportat e Kosovës”.

Sidoqoftë, kisha idenë se kur të përpiqeshim të kalonim kufirin serb në pikën e kontrollit në Merdare do të kishim vështirësi sepse kuptova se kontrolli kufitar në Donji Milanovaç kishte bërë një gabim në vulosjen e pasaportës sime. Nuk u desh shumë dhe filloi çasti tjetër interesant kur paraqitëm pasaportat në Merdare në anën serbe të kufirit. Sigurisht që ata u shokuan. Si mund të kishte ndodhur kjo? Një vulë serbe në një pasaportën kosovare!

Sigurisht policia serbe e kontrollit na mbajti për rreth tre orë derisa organizatori i konferencës ndërhyri në Beograd me Ministrinë e Çështjeve të Brendshme. Ata më pas na lanë të lirë të kalonim. Gjithashtu e zhvlerësuan vulën time.

Udhëtimi ynë ishte plot befasi: ngecja në Danub, pyetjet nga policia e kufirit serb për tre orë dhe të tjera. Megjithatë ishin çaste të gëzueshme. Më e rëndësishmja e historisë është se edhe pse ma zhvlerësuan vulën, falë këtij udhëtimi, ne mund të pretendojmë se jemi të parët kosovarë me vula serbe në pasaportat tona të Kosovës.