Nga Karl Marksi te Motër Teresa

Unë vij nga një familje me traditë të fortë fetare. Në çdo brez për shekuj, djali më i madh bëhej një prift katolik. Babai im ishte djali më i madh ndaj kthimi në prift dukej se do të ishte karriera e tij. Nëse ai do të kishte ndjekur atë rrugë, unë nuk do të ekzistoja sepse priftërinjtë e kishës katolike betohen për beqari.

Por ndodhi një mrekulli. Në moshën 16-vjeçare, babai im u njoh me dy njerëz që u bënë kryesorë në jetën e tij. Njëri ishte Karl Marksi. (Sigurisht, ai nuk u takua kurrë personalisht me Marksin, por u njoh me të përmes librave të tij). Personi tjetër ishte nëna ime. Nuk mund të them se cili ishte më ndikues, por fakti është që babai im hoqi dorë nga mendimet për priftëri dhe u bë një sociolog marksist. Një sociolog marksist i martuar. Me dy fëmijë – vëllain tim dhe mua.

Tanimë, pesë dekada që nga viti me fat i tim ati, unë po bëj kërkime për marksistët ish-jugosllav dhe perëndimorë për Bursën e Ballkanike për Ekselencën në Gazetari. Tradita fetare e familjes sime ishte një arsye përse doja të intervistoja Teresa Forcades, një murgeshë spanjolle benediktine që jeton në manastirin Sant Benet de Montserrat pranë Barcelonës. Motër Teresa është një mbështetëse publike e Podemosit, partisë spanjolle të krahut të majtë kundër masave shtrënguese. Unë jam i interesuar në popullaritetin e Podemosit dhe Syrizës, parti me rrënjë komuniste që tani qeveris Greqinë.

Zotat janë në anën time. Në fillim të majit, si Motër Teresa dhe Antonio Sanchez, një anëtar i njohur i Podemosit, ishin në Kroaci. Sanchez mbajti një leksion publik në Zagreb më 10 maj dhe unë e intervistova më pas.

E pyeta nëse ishte e vështirë të propagandoje ide politike majtiste në një shtet katolik aq të fuqishëm sa Spanja. Ai u përgjigj: “Ka priftërinj dhe murgesha si Teresa Forcades që ndajnë pikëpamjet tona. Nuk ka asgjë më të mirë për një lëvizje të re politike të majtë… sesa të kesh një murgeshë që mbështet publikisht pikëpamjet e tua”.

Motër Teresa mbajti një leksion publik në Rijekë më 11 maj. Por programi i saj ishte aq i mbushur saqë e vetmja kohë kur mund të bënte një intervistë ishte 40 minuta përpara se të kthehej në Spanjë. Ndaj u takova me të në aeroportin e Zagrebit një ditë pas leksionit të saj.

Motër Teresa më tha se ajo nuk mund të ishte një marksiste sepse marksizmi është ateizëm, por tha se ajo mbështeste thellësisht disa pjesë të teorisë së Marksit, si për shembull konceptet e tij të “tjetërsimit” dhe “shfrytëzimit të njeriut nga njeriu”. Më pas ajo tha: “Prona private nuk mund të jetë një e drejtë absolute”.

Unë iu përgjigja: “Më falni, motër, por kjo është një shpallje e tezës marksiste, dhe ju thoni se nuk jeni një marksiste?”

Ajo u përgjigj: “Po, Damir, Karl Marski lindi, por Jezu Krishti lindi përpara tij”.

Dhe unë mendova në atë çast: “Po, dhe babai im lindi pas Karl Marksit. Falë Zotit!”


Damir Piliç është një gazetar për gazetën “Slobodna Dalmacija” ku mbulon çështjet sociale. Për programin e bursës ballkanike të ekselencës në gazetari ai po studion të shkuarën dhe ringjalljen e vlerave të marksizmit.