Revizionizmi si fat i keq

Rehabilitimi gjyqësor që iu bë Drazha Mihajlloviqit, komandant i Lëvizjes kolaboracioniste të Ravnagorës gjatë Luftës së Dytë Botërore (komandant i lëvizjes çetnike), është vendim që sërish tregon jo vetëm karakterin revizionist të elitës qeverisëse në Serbi, por edhe natyrën skizofrenike të politikës së saj shtetërore.

Ndërkohë që Serbia me atë mënyrën e saj të veçantë feston 70 vjetorin e fitores mbi fashizmin dhe dërgon ushtarët e saj në marshim ceremonial ushtarak në Sheshin e Kuq, gjykata në Beograd rishikon historinë dhe bashkëpuntorët me pushtuesin i kurorëzon si heronj të betejave për liri.

Duke vëzhguar sesi antarët e Ushtrisë së Serbisë marshojnë pranë mureve të Kremlinit, njerëzit e painformuar do të mund të mendonin se qeveria kolaboracioniste e Millan Nediqit bëri të mundur në njëfarë mënyre mundjen e forcave gjermane në Luftën e Dytë Botërore.

Mes të tjerave besoj se edhe kjo është një nga arsyet pse ushtria serbe u dërgua në paradën e Moskës. Akti i pjesëmarrjes fizike të personave ushtarakë të një shteti që gjatë L2B kishte qeveri kolaboracioniste në festimin e ditës së fitores kundër fashizmit, bëhet në mënyrë që të pavërtetën ta ktheje në fakt historik, dhe që ta afrojë Serbinë e dizorientuar politikisht dhe të shkatërruar ekonomikisht më tepër me Putinin dhe “nënën Rusi”.

Vetëm në këtë teatër të absurdit, në këtë lëmsh interesash për revizionizëm historik, mund t’i shohësh trashgimtarët e ideologjisë çetnike në Sheshin e Kuq, jo si humbësit e asaj lufte, por si fitimtarë. Sigurisht që objektiviteti i procesit gjyqësor kundër Drazha Mihajlloviqit në vitin 1946 mund dhe duhet të jetë objekt i një analize profesionale, por kjo analizë nuk mund të injorojë veprat e lëvizjes çetnike që drejtohej prej tij.

Kundërshtarët e Gjeneralit Draza Mihajlovic, komandant guerilas monarkist shumë i debatuar i Luftës së Dytë Botërore po protestojnë para Gjykatës së Lartë të Serbisë në Beograd më 14 maj 2015. Një gjykatë në Beograd shpalli të enjten se vendimi për dënimin e Mihailovic për tradhti 70 vjet më parë është i pavlefshëm. Banderolat në sfond shkruajnë “Vdekje Fashizmit” në serbisht me alfabetin cirilik. (AP Photo/Marko Drobnjakovic)

Kundërshtarët e Gjeneralit Draza Mihajlovic, komandant guerilas monarkist shumë i debatuar i Luftës së Dytë Botërore po protestojnë para Gjykatës së Lartë të Serbisë në Beograd më 14 maj 2015. Një gjykatë në Beograd shpalli të enjten se vendimi për dënimin e Mihailovic për tradhti 70 vjet më parë është i pavlefshëm. Banderolat në sfond shkruajnë “Vdekje Fashizmit” në serbisht me alfabetin cirilik. (AP Photo/Marko Drobnjakovic)

Me fjalë të tjera problematizimi i procesit gjyqësor nuk mund të shërbejë për abrogimin e krimeve që kanë kryer ushtarët e Mihajlloviqit, në bashkëpunim me okupatorin. Ky abrogim do të ishte tërësisht problematik, nga ana morale e etike, si dhe i pambështetur nga ana historike.

Megjithatë, përkundër numrit jashtëzakonisht të madh të dokumenteve dhe me shpresën se gënjeshtra e thënë qindra herë kthehet në të vërtetë, pasardhësit e ideologjisë ravnogorase e fusin këtë lëvizje kriminale e kolaboracioniste në gjirin e forcave çlirimtare partizane. Vendimi gjyqësor për rehabilitimin e Mihajlloviqit përfaqëson kulmin e përpjekjeve dhjetravjeçare për zbehjen e dallimeve mes luftëtarëve për liri dhe atyre që bashkëpunuan aktivisht me forcat pushtuese.

Një vendim i tillë duhet konsideruar si një pikë e rëndësishme kthese për përpjekjet revizioniste në të gjithë Europën dhe mund të krahasohet me rehabilitimin më të fundit që iu bë nacionalistit dhe kolaboracionistit ukrainas Stefan Bandera.

Ai përbën gjithashtu një precedent për rehabilitimin e kriminelëve të tjerë lokalë e rajonalë nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa në vetvete shfaq dimensionin e abrogimit të kriminelëve nga luftrat e viteve 1990. Paveliqët, Rupnikovët, Gjujiqët, Kallabiqët, Mlladiqët dhe Karagjiqët, fansat dhe pasuesit e tyre tashmë janë duke festuar këtë fitore të Drazhës ndaj forcave antifashiste. Është tërësisht e qartë se tashmë ideologjia e thikave dhe kryqeve është dominuese në vendet e ish Jugosllavisë.

Përktheu nga serbishtja: Armanda Hysa. Marrë nga reporter.al