Vizionet Europiane, UFO’të dhe Megatrendet

Është klishe e vjetër (dhe e gabuar) se Ballkani prodhon më shumë histori se që mund të konsumojë (citat nga Churchill). Kohëve të fundit, duket se Ballkani prodhon më shumë universitete sesa që dikush do të mund (apo do të duhej) t’i konsumonte.

Në shumicën e shteteve të rajonit, ka pasur një lulëzim të universiteteve të reja private (dhe shtetërore). Në Serbi janë rreth 17 universitete, si dhe një numër “fakultetesh”, gjegjësisht katedrash, të pavarura. Me popullatë sa çereku i Serbisë, Maqedonia ka përafërsisht numrin e njëjtë të universiteteve.

Bosnja mund edhe Serbinë edhe Maqedoninë me numrin e universiteteve shtetërore (apo në fakt të entiteteve dhe kantoneve): janë nëntë syresh (duke përfshirë dy në Sarajevë, Mostar) dhe gati po aq universitete private.

Kosova qëndron prapa me vetëm dy universitete publike (ky i dyti në Prizren është ende mjaft i ri) dhe me më pak se dhjetë universitete private. Fituesi rajonal duket së është Shqipëria me mbi 10 universitete publike dhe mbi 30 private.

Nuk ka fare dyshim se avancimi i arsimit të lartë është ide e mirë, posaçërisht në një rajon ku numri i të diplomuarve universitarë është nën mesataren evropiane. Gjithashtu, nuk është keq, në parim, të kemi universitete private.

Megjithatë, duke marrë parasysh se në këtë rajon ekziston një numër gati i njëjtë i universiteteve private sa në tërë Bashkimin Evropian (pa Rumaninë e cila po ashtu ka dhjetëra universitete private) (BE ka rreth 100, kryesisht institucione shumë të vogla: Austria 13, Gjermania 83, MB 1, Hungaria 1, Holanda 1, Portugalia më pak se 10, shumica e vendeve tjera kanë shumë pak apo nuk kanë fare), ndoshta kemi një furnizim të tepërt.

Kështu, duke marrë parasysh resurset e kufizuara, si në kuptim të financave për studentët që ta paguajnë shkollimin ashtu dhe në kuptim të mësimdhënësve të mundshëm, ky numër në Ballkan është për t’u habitur.

Disa institucione gjithsesi se janë në rrugë për t’u shndërruar në vende serioze të arsimit të lartë. Shumë të tjera janë disi të dyshimta. Në vijim është lista ime e dhjetë universiteteve të preferuara private në Ballkanin Perëndimor (kjo nuk do të thotë se ato nuk janë institucione të mira, por prezantimi dhe emrat lënë shumë për të dëshiruar):

Vendet jashtë dhjetëshes së parë:

Universiteti Vizioni Evropian (Prishtinë, Kosovë). Faqe bazike të internetit, por vizion evropian.

Universiteti Ndërkombëtar në Travnik (Bosnje). Fotografia më e mirë e bibliotekës.

Dhjetë më të mirat:

10.  Universiteti Pan-Evropian “APEIRON” (Banjallukë, BeH). Këtu, emri është mjaft i mirë. Apeiron do të thotë i pakufi apo i pafund në greqisht, prandaj ky është Universiteti i pakufishëm Pan-Evropian. Përveç emrit, ai fiton lëvdatë edhe për tekstin e mistershëm në gjuhën angleze “Sa të fortë jeni për ta fituar veten? Gjatë zhvillimit të saj, shoqëria njerëzore ka arritur të kapërcejë dhe fuqizojë aftësitë e saj, duke vepruar përmes ndikimit të vullnetit të saj, përmes forcës së trupit dhe mendjes, duke i arritur rezultatet më të mira në aktivitete të ndryshme të jetës …”

9. Universiteti Kristal (Autostrada Tiranë-Durrës, Shqipëri). Edhe një herë, meriton që universiteti të përmendet për shkak të emrit, por edhe për shkak të adresës (Autostrada Tiranë-Durrës, kilometri i tretë) dhe motos: Kristalizo të ardhmen tënde!
8. Universiteti Sinergjia (Bijelinë, BeH). Ky universitet gjithashtu meriton njohje për shkak të emrit dhe fotografisë me presidentin aktual të Republika Sërpska (dhe paraardhësit të tij më poshtë) në faqen kryesore, akademik i spikatur dhe promovues i akademisë.

7. Universiteti UFO (Tiranë, Shqipëri). Jo, nuk ka drejtim për studime jashtëtokësore në të. UFO është shkurtesë për “Universitas Fabrefacta Optime”, që do të thotë universiteti për krijimin e të mirës. Pra është Universiteti për Krijimin e Universitetit të Mirë. Motoja e tyre, 3000 studentë nuk mund të gabojnë (në versionin në gjuhën shqipe të faqes së internetit është 4000 studentë nuk mund të gabojnë). Fjala e presidentit thotë: “Mirë se vini në Universitetin UFO! Shumë prej jush sapo u kanë hyrë studimeve universitare, të tjerë janë të impenjuar thellësisht për të arritur më të mirën e tyre, pasi jeni duke jetuar disa nga vitet më vendimtare të jetës. Ne ju japim besimin, pasi çdo element që duhet të ketë një “universitet i mirë” …

6. Universiteti Ndërkombëtar i Strugës (Maqedoni). Sipas faqes së internetit, universiteti mburret me shumë studentë afrikanë-amerikanë dhe aziatikë-amerikanë, si dhe palma. Universiteti, sipas fjalëve të rektorit “është një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e këtij qyteti, të Shtetit të Maqedonisë dhe të mbarë Rajonit të Ballkanit. Nga ky Universitet do të marrë jetë ëndrra e qytetarëve të Strugës, të Maqedonisë dhe të Rajonit tonë për ta shndërruar Strugën në një “Strasburg të Ballkanit.” Sipas misionit të universitetit “Universiteti Ndërkombëtar i Strugës është universitet me kualifikime të larta, tërësisht i përkushtuar në arsimin dhe suksesin e studentëve të tij”.

5. Universiteti Ndërkombëtar i Novi Pazarit (Serbi). Një tjetër universitet ndërkombëtar në rajon. Presidenti i tij është “Da Mufti” Zukorlic. Në porosinë e tij për botën ai thekson se “ne kemi pritur shumë gjatë që dielli i universitetit të shndrisë nga pjesëzat e qiellit mbi ne …dhe tani do t’i gëzohemi këtij dielli.” (asnjë version përkthimi nuk mund të krahasohet me origjinalin në boshnjakisht)

4. Universiteti Megatrend (Beograd, Serbi). Ky universitet e fitoi vendin e merituar këtu falë emrit të tij mega-kreativ dhe natyrisht për shkak se liderit të popullit të Xhamahirisë iu dha çmimi Doctor Honoris Causa. Për ta cituar universitetin: “Edhe një herë kjo dëshmon gatishmërinë e Universitetit Megatrend për t’i përcjellë trendet botërore të biznesit ndërkombëtar dhe bashkëpunimit arsimor.”

3. Universiteti i Donja Goricës (UDG) (Mal i Zi). Ky universitet është paksa modest në emër, ndonëse pretendon të jetë Oksfordi i Malit të Zi dhe gjatë rrjedhës së kësaj t’i dhurojë Millo Gjukanoviqit, njërit nga pronarët e tij (bashkë me ekonomistin liberal Veselin Vukotiq), pak para shtesë. Ah po, gjithashtu është shumë i portokalltë.

2. Universiteti Mbretëror Iliria (Prishtinë, Kosovë). Edhe Universitet mbretëror, edhe Iliria? Çka të duhet më shumë? Ku universitet është nën patronatin e Mbretit të Shqipërisë. Natyrisht kredencialet akademike (por edhe ato mbretërore) të Lekës, “Mbretit të Shqiptarëve” janë të mirëpërcaktuara. Gjithashtu duket se në një pjesë të madhe të kohës universiteti angazhohet në valëvitje të flamurit, atij amerikan.

1. Universiteti Slobomir P (Slobomir, Bosnje). Është universitet për një qytet (virtual). Projekti i një çifti të caktuar të njohur si Slobodan dhe Mira, jo, nuk është ajo që mendoni, Pavloviq (prandaj shkronja P. në emër). Është pjesë e një plani madhor për një qytet të lirisë në paqe, poshtë rrugës nga Bijelina. Një qytet i së ardhmes që i ka të gjitha që mund të kërkohen në një qytet të paqes; universitet, stacion televiziv, dhe akuapark (Palma, plas). Dhe gjithashtu, Dodik është duke i shtrënguar disa duar në qytetin e paqes.

Ky artikull është publikuar fillimisht në blogun e Florian Bieber.