Kriza e paralajmëruar e Maqedonisë

Gruevski ka një histori të gjatë sajimi konfliktesh apo mosmarrëveshjesh me shqiptarët sa herë që e ka parë veten në vështirësi politike përgjatë viteve të fundit. Nga njerëzit që njohin situatën atje, këto sherre deri tani kanë qenë një spektakël relativisht i padëmshëm, sido që, irritues.

“Sa herë që e sheh veten në vështirësi, ai kap rastin për një sherr me aleatin e vet në qeverisje Bashkimi Demokratik për Integrim,” na thoshte një aktivist i shoqërisë civile në Shkup këtu e tre vjet të shkuara. Sherret që Gruevski kapte me shqiptarët qenë në të njëjtën shkallë me problemin që kishte.

Kur problemi qe i vogël, sherri qe i vogël. Vetëm se tani Gruevski e ka problemin të madh dhe sherrin po e bën gjithashtu të madh.

Që nga viti 2006, kur ai u bë kryeministër, Maqedonia filloi të konsiderohet gjithnjë e më shumë si një vend që po humbet kredencialet demokratike. Pasi humbi shansin për anëtarësim në NATO si pasojë e vetos së Greqisë, Gruevski drejtoi një qeveri gjithnjë e më shumë të izoluar ndërsa fitoi zgjedhjet vazhdimisht me maxhorancë të theksuar mes akuzave të shumta për manipulime.

Mekanizmat e presionit të ndërkombëtarëve ndaj këtij vendi të bllokuar në rrugën e integrimit nga Greqia u dobësuan gjithnjë e më shumë deri sa u bënë inekzistente. Në kushtet e izolimit, Gruevski filloi të lidhë miqësi me disa lider autoritarë të tjerë, si Orbani i Hungarisë.

Gruevski ka qeverisur Maqedoninë deri tani me një platformë nacionaliste agresive, me dhunë të vazhdueshme ndaj medias dhe ndaj zërave kritikë si dhe me financimin e një serie organizatash që prezantohen si organizata të shoqërisë civile por që shtyjnë përpara axhendën kontroversiale të qeverisë.

Vitin e kaluar, disa punonjës të shërbimit sekret të Maqedonisë u arrestuan dhe u dënuan për “tradhti” dhe për “nxjerrje sekretesh”, në një proces gjyqësor të zhvilluar me dyer të mbyllura. Lajmi fillimisht u përqesh. Maqedonia vështirë se mund të klasifikohet si vend që ka sekrete për t’u spiunuar. Por këtë vit u bë e qartë. Gruevski më shumë se Maqedonia kishte shumë sekrete për të mbajtur fshehur.

Gjatë viteve të fundit qeveria e tij rezultoi se qe zhvilluar si një regjim diktatorial, ku partia qe njëjësuar me shtetin përtej asaj të në Ballkan konsiderohet e zakonshme, ku qeveria përcaktonte gjykatësit, kontrollonte si parti politike policinë dhe përmes këtyre kontrolleve manipulonte në shkallë të gjerë zgjedhjet dhe shtypte zërat kritikë.

Strukturat e policisë sekrete të Gruevskit kishin mbajtur nën përgjim të vazhdueshëm mbi 20 mijë qytetarë, më shumë se 1 për qind e të gjithë popullsisë së vendit, duke përfshirë pak a shumë çdokënd që ka peshë në shoqërinë maqedonase, pavarësisht nëse i përgjuari i përkiste aleatëve apo armiqve të Gruevskit.

Ndërkombëtarët duket se reaguan ndaj kësaj duke u përpjekur të fuqizojnë shoqërinë civile por këto reagime qenë shumë të paefektshme përballë shpejtësisë dhe thellësisë së zhvendosjes së Maqedonisë nga demokracitë e brishta të Ballkanit te regjimet autokratike të llojit të atyre që sundojnë shumicën e republikave ish-Sovjetike.

Tani situata ka mbërritur në një pikë kritike. Me regjimin e tij të ekspozuar tërësisht në sytë e të gjithë botës dhe të shoqërisë maqedonase, Gruevski ka pak gjasa të mbijetojë ndaj zemërimit popullor, pavarësisht se opozita maqedonase duket se është e dobët dhe aspak bindëse si një konkurrent i denjë për të ofruar një alternativë ndaj Gruevskit.

Pyetja është se deri në çfarë pike Gruevski do të shkojë për të ruajtur pushtetin e vet pas të gjitha krimeve të kryera nga regjimi i tij. Një blogere maqedonase nga Kumanova pyeti se “sa poshtë mund të bjerë” Gruevski për të ruajtur pushtetin e vet.

Ngjarjet e Kumanovës tregojnë se ai duket i vendosur ta çojë vendin edhe në luftë vetëm për të ruajtur regjimin e tij. Mënyra se si po zhvillohen ngjarjet në Kumanovë tregon pikërisht këtë. Qeveria e Gruevskit thotë se është sulmuar nga një grup i mirëarmatosur dhe i mirëstërvitur prej 70 vetësh “të ardhur nga një vend fqinj”.

Por këtë forcë nuk e kemi parë. Një ushtri që bën një sulm të tillë zakonisht ka qejf reklamën, pra është e vështirë të besohet që një forcë e tillë e aftë për të luftuar për dy ditë me radhë me forcat speciale të  policisë maqedonase nuk e ka parë të arsyeshme të publikojë asnjë foto dhe asnjë video të operacionit të saj.

Policia maqedonase rezulton një forcë qesharake, e cila ka humbur tetë dhe i janë plagosur dhjetëra të tjerë nga ky grupim i cili, për nga efikasiteti i sugjeruar nga deklaratat e Jankullovskës ngjan sikur vjen më shumë nga bota e filmave të Hollivudit se sa nga bota reale.

Ngjarjet e Kumanovës tregojnë se Gruevski është i vendosur të bëjë një luftë për të ruajtur pushtetin e vet dhe se ka zgjedhur shqiptarët si objektiv i lehtë për një luftë të tillë. Kjo na sugjeron që Shqipëria bën mirë ta ngrejë këtë shqetësim në arenën ndërkombëtare si një dhunim në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut nga një qeveri diktatoriale si ajo e Gruevskit.

Kumanova u mbyll, por rreziku i provokimit të sherreve të tjera me shqiptarët nuk është larguar. Gruevski duket i vendosur të ruajë pushtetin e vet me gjak.

Shqiptarët e Maqedonisë janë ndoshta popullsia më e diskriminuar shqiptare në Ballkan. Është mirë që shteti amë të respektojë kushtetutën e vet dhe të ngre zërin në mbrojtje të të drejtave të tyre, ndoshta duke i dhënë pak më shumë prioritet se sa u jep mitingjeve elektorale aktuale.

Shqipëria bën mirë të përdorë atë ndikim që ka mbi politikën shqiptare të Maqedonisë për të tërhequr mbështetjen ndaj Gruevskit. Aleanca me një diktator nuk është aspak dinjitoze për asnjë forcë politike, maqedonase apo shqiptare.

Kumanova po rënkon sot nga dy ditë luftimesh të ashpra. Qyteti ka nevojë të rindërtohet. Qeverisë maqedonase duhet t’i kërkohet të paguajë dëmet. Hetimet për zbardhjen e ngjarjes vështirë se do të jenë të besueshme nëse kryhen nga autoritetet maqedonase.

Përgjimet kanë treguar se Gruevski kontrollon në imtësi policinë, prokurorinë e gjyqësorin. Shqipëria ka për detyrë të ngrejë zërin jo thjeshtë me deklarata për zbardhjen e ngjarjes dhe dënimin e fajtorëve nga të gjitha palët.