Udhëkryqi i Evropës

Sot bëhen 63 vite kur liderët e kontinentit të vjetër vendosën të gjejnë një rrugë tjetër të zhvillimit të papenguar nga njëra-tjetra. Zhvillimi nganjëherë mund të jetë pengesë për një shtet tjetër, duke aluduar në premisën e domosdoshmërisë së mbajtjes së barazpeshës të forcave. 

Duke e parë nevojën e zhvillimit të fuqive evropiane pa i penguar njëra-tjetrës, ideja e bashkëdyzimit të interesave nëpërmes krijimit të mekanzimave për të ndërlidhur procesimin dhe eksploatimin e burimeve minerare të nevojshme për prodhimin e armatimit ishte faktori që vuri në lëvizje idenë e krjimit të një blloku pan-evropian – ekonomiko-politik, në mënyrë që t’i lihen historisë luftërat dhe konfiktet e përgjakshme që kishin ndodhur për shekuj me rradhë në mes tyre.

Sot fuqia dhe ndikimi europian është shtrirë në shumë shtete anëkënd botës. Ky ndikim ka rezultuar që këto shtete të marrin mësim se si duhet t’i shmangin konfliktet përmes krijimit të tregjeve të përbashkëta në mënyrë që të kenë sa më pak levërdi që t’a luftojnë njëra-tjetrën. 

Megjithatë, ky ndikim ka filluar të venitet me fillimin e periudhës së krizës ekonomike botërore, përkatësisht me krizën e monedhës euro. Kjo situatë ka ndikuar që në Evropë të rriten sentimentet rreth qasjes së emigrantëve nga bota e tretë si dhe euro-skepticizmit të publikut. Ndërkohë, nëse ja shtojmë kësaj edhe konfliktin në Ukrainë, atëherë mund të vijmë në përfundim që Evropa është futur në udhëkryqin më të ndërlikuar që nga themelimi i saj!

Liderët e Evropës duhet t’ua rikujtojnë bashkëqytetarëve të tyre që Evropa e bashkuar dhe e lirë nuk është vetëm interes i tyre, e as vetëm interes i shteteve që pretendojnë të jenë një ditë anëtare të saj siҫ janë vendet e Ballkanit Perëndimor, porse projeksioni e fuqisë së butë i kanalizuar përmes procesit të zgjerimit ka arritur t’i transformojë shumë shoqëri nga mbylllja dhe despotizmi në shoqëri demokratike e ekonomikisht vibruese.

Fuqia dhe ndikimi i BE-së përkundur asaj të ShBA-së dallon në filozofinë e ndëryrjes në punët e brendshme të shteteve të cilat janë të lodhura nga konfliktet dhe janë në buzë të dështimit. ShBA afirmon një politikë më rigjide ndaj regjimeve totalitare e që shpeshë herë rezulton kundërproduktive, pasi për të mirëmbajtur doktrinën e stabilitetit afat-shkurtër sakrifkon parimet e qeverisjes së mirë, ku si rezultat nxitë pakënaqësi të thella tek popullsia e gjerë dhe që për pasojë i shtynë ato drejtë një rrethi vicioz të luftërave apo konflikteve civile. 

Në anën tjetër, BE përdorë një politikë të ashtuquajtur shkopi dhe karrota e cila ka objektiv evitimin e përdorimit të mjeteve të forcës për të mbajtuar rendin dhe paqen, duke u përqëndruar më shumë në metodat e buta që kanë synim nxitjen e qeverive të botës së tretë dhe vendeve në zhvillim në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për fuqizimin e demokracisë, forcimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin ekonomik si bazë pra për të siguruar stabilitet afat-gjatë.

Shtetet evropiane, përkundër rritjes së fuqisë politike të sprektrit të djathtë e cila është më euro-skeptike, e kanë të qartë që nuk mund të ketë rrugë prapa. Rrumbullakimi i projektit europian nuk ka alternativë! Porse duhet që ky proces të zgjojë sa më shumë kërshërinë e publikut gjithnjë e më skeptik evropian, në mënyrë që reformat politiko-ekonomike të jenë të qëndrueshme dhe me legjitimitet sa më të madh. 

Evropa ka shumë përvojë në zgjidhjen e problemeve të saj dhe besoj fuqishëm që do të gjejë forcën edhe këtë herë të kapërcej edhe këtë krizë të legjitimitetit dhe identitetit në mënyrë që të jetë edhe më e fortë për t’i shërbyer njerëzimit, përkatësisht përpjekjeve për forcimin e demokracisë në ҫdo anë të botës, proklamimin e filozofisë së shtetit ligjor dhe nxerrjen e shoqërive nga varfëria përmes zhvillimit ekonomik.

Ndërkohë, Kosova është i vetmi shtet në Evropën gjeografike në të cilën festohet 9 maji! Mbase festimi i kësaj dite pasqyron prapambetjen tonë. 

Mbase projekti evropian shihet nga bashkëqytetarët e mi ende vetëm si ëndërr imagjinare! Mbase dihet që në kohën kur kjo ditë do të “festohet” me debate akademike dhe filozofike rreth përparësive dhe mangësive të këtij projekti politiko-ekonomik, e shoqëruar dhe me protesta shoqërore që karakterizohen me euro-skepticizëm, do të jetë dita kur ne do të jemi afër integrimit apo pjesë e BE-së..një gjë duhet të kihet parasysh: më e rëndësishme se vetë integrimi është procesi transformues që karakterizohet me procesin integrues. 

Rruga tek porta e BE-së, megjithë deklaratat e liderëve europian për prespektivën e qartë europiane të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Kosovës, është e mjegullt. Kjo nuk duhet të na shqetësoj! 

Përderisa e përdorim projektin integrues si mekanizëm që na ndihmon të përparojmë duke transformuar shoqërinë tonë nga një shoqëri përgjithësisht fisnore, në shoqëri republikane-demokratike; nga një shoqëri ku ligji respektohet vetëm nga të varfërit dhe të dobtit, në një shoqëri e cila është e barabart para tij pa dallim; dhe nga një shoqëri e cila synim kryesor ka gjetjen e shpresës për një jetë më të mirë në vendet perëndimore, në një shoqëri e cila të ardhmen e ndërton në shtetin e vet, pra një shoqëri inovatore dhe prodhuese, kjo mjafton.

Ky duhet të jetë objektivi i ynë strategjik!