Me dorëheqje kundër monotonisë

Kujtimi për zgjedhjet zakonisht venitet po aq shpejt sa vijnë edhe ethet e kampanjave elektorale.
Njësoj sot edhe në Mbretërinë e Bashkuar fituesi i zgjedhjeve u shpall pa ndonjë drame kuptohet nga

“KQZ-ja britanike” si dhe humbësit dolën  haptas dhe pranuan humbjen.

Zgjedhjet e sivjetme janë konsideruar si më të paparashikuarat ndër dekada në historikun e gjatë të zgjedhjeve të lira  në Mbretërinë e Bashkuar.

Mbretëria e Bashkuar e ndodhur para shumë dilemave si emigracioni ilegal ne rritje, dalja e mundshme nga Bashkimi Evropian, tatimet në rritje, barra financiare e NHS (Shërbimi Kombëtar i Shëndetësie), dhe ekonomia në përgjegjësi, vendosi t’i besojë edhe një mandat pesë vjeçar kryeministrit britanik David Cameron dhe partisë se tij konservative e cila fitoi shumicën e ulëseve në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

Fitorja e konservatorëve si dhe fitorja e Chelsea në premierligën angleze mund të shpijnë në ide besëtyte se viti 2015 është viti i kapitalistëve.

Në historikun e politikës moderne anglo-amerikane dy rregulla të pashkruara na mësojnë se kur ekonomia  shënon rritje dhe në rastin e Shteteve të Bashkuara kur ajo gjendet në luftë me ndonjë vend tjetër, zakonisht janë liderët aktualë ata që fitojnë në zgjedhje.

Konservativët në krye me David Cameron morën frenat e qeverisë britanike në vitin 2005 pas dorëheqjes së ish kryeministrit laburist Gordon Broën, i cili zgjodhi dorëheqjen për të shpëtuar vendin nga kolapsi ekonomik  dhe financiar.

Që atëherë konservativët kanë bërë reforma të shumta në shëndetësi, ekonomi dhe tatime gjë që rezultoi me rritjen më të madhe ekonomike të vendit krahasuar me ekonomitë e avancuara të botës.

Përderisa gjiganti ekonomik i Europës, Gjermania mesi po dilte nga recesioni, Mbretëria e Bashkuara shënoi rritje të Bruto Produktit Vendor për 2.5 %, duke krijuar kështu 1.85 milionë vende të reja pune.

Për mua, fituesit më të mëdhenj në këto zgjedhje ishin pikërisht humbësit e tyre. Ed Miliband i cili udhëhoqi partinë më të madhe opozitare në Britani të Madhe, me të marrë vesh se partia e tij do të jetë në opozitë edhe për 5 vite tjera vendosi të jep dorëheqje për t’i lëshuar vendin një lideri të ri në parti.

“Lufta jonë për pabarazi në këtë vend do të vazhdojë kushdo që të jetë lideri i ri i laburistëve. Partia jonë do të rikthehet përsëri ashtu siç ka bërë shumë herë në të kaluarën”, tha sot Miliband para se të largohej i përcjellë me duartrokitje kryesisht nga simpatizuesit laburistë.

Ngjashëm ndodhi edhe me liderin e kontrovers të së djathtës Nigel Farage partia e se cilit (UKIP) solli tone raciste në elektoratin britanik për herë të parë në pas Luftës së Dytë Botërore.

Duke parë të gjitha këto ndërrime që rrodhën aq natyrshëm pa dyshim të shkon mendja tek Kosova dhe tranzicionet e dhimbshme sado të vogla ose të parëndësishme që janë.

Ndërrimi i ndonjë drejtori shkolle apo drejtuesi bordi të ndonjë korporate publike apo një ambasadori. Apo edhe rasti i të famshmit Ibrahim Gashi, shkencëtari të dyshuar si mashtrues, i cili nuk lëshonte postin edhe pse me mijëra studentë kacafyteshin me policinë pranë zyrës së tij.

Apo ministrit kontrovers Jablanoviq i cili japi dorëheqje vetëm pasi kryeqyteti u shndërrua në arenë luftimesh mes policisë dhe protestuesve.

Shumica e partive politike në Kosovë kanë liderët e tyre “gjysme njeri-gjysmë hyjni” që kthehen e rikthen si liderë të partive që zakonisht kanë themeluar vete pa marrë parasysh rezultatit të zgjedhjeve.

E vetmja parti që ka tejkaluar këtë “pubertet” demokratik është Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe ajo vetëm pse lideri i saj Rugova vdiq nga një sëmundje, të cilin e kujtojnë po aq me mall, madje duke e shndërruar në një figurë mitike që vjen e shpëton këtë parti nga kriza edhe kur ata rrahën mes veti nëpër kongreset e tyre.

Kjo praktike e panatyrshme për demokracinë moderne gjithnjë “arsyetohet” me disa reforma brenda partisë të cilat shërbejnë zakonisht për të eliminuar klane të brendshme që shihen si rrezik për fronin e përjetshëm partiak. Për sa kohë do të vazhdojë kjo praktike vetëm koha mund ta tregojë, por monotonia që vjen nga liderët e përjetshëm rrezikon trashëgiminë edhe ashtu të dyshimtë të tyre.