Na e çoroditën gjuhën

Në faqen zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit te pjesa e komunikatave gjen gabime që në tituj. Të tilla si mungesa apo teprica e shkronjës “ë”, ose mos përshtatje gjinie si: “Aksioni humanitare” gjenden lehtësisht. Pos institucioneve shtetërore në këtë rend gjejnë vend edhe shkollat, universitetet, media, spitalet e administratat e komunave.

Në tabelat që emërtojnë vendet ka mungesë a tepricë shkronjash. P.sh. “Gllarev”(fshati Gllarevë), “Lubizhd” (Lumnishtë). Hallin me gjuhën e kanë edhe institucionet private; bizneset, kompanitë. Për shembull në një ndërtesë gjigante që shkëlqen prej xhami shkruan me të mëdha: “Qeramik dhe Sanitari”.

E rastet e medieve as s’mund të numërohen. P.sh. në një lajm në KOHA.net   në udhëzimin për të klikuar një link shkruhet “ndiçni se si..”. Ose në një reklamë të KFOR-it që transmetohet shpesh në transmetuesin publik RTK shfaqet një fjali qe mbulon ekranin e që thotë: “A dëshironi të ndryshoni diçka!”. E ç’vend ka aty pikëçuditësja pas një fjalie pyetëse? Raste të tilla të lëshimeve më irritojnë për shkak të shpeshtësisë dhe neglizhencës pa pikë meraku që kryejnë punonjësit e këtyre institucioneve.

Akoma më shqetësuese është heshtja karshi këtyre gabimeve, pasi që standardi do të duhej të ishte i rëndësishëm sa herë që flasim e shkruajmë.

Sistemi arsimor në vend s’krijon shprehi të përdorimit të drejtë të gjuhës. Krejt çka mësohet e përsëritet në edukimin fillor dhe të mesëm është fakti se sa e mirë është gjuha shqipe dhe sa duhet dashur atë.

Bile kjo shndërrohet edhe në klishe. Por, orët e gjuhës shqipe gjatë shkollimit janë kryesisht trajtesa letërsie (as trajtesa s’janë) dhe jo drejtshkrim a gramatikë.  E ky injorim i rregullave, standardit e drejtshkrimit shpërfaqet edhe në nivelet më të larta të studimeve. Kjo sepse askush nuk ndëshkohet për mospërdorim të drejtë të gjuhës. Disi tejkalohen lëshimet e tilla.

E adeti i lëshimeve gjuhësore që s’u jepet rëndësi, s’prishet as kur vjen puna për punësim. Punëdhënësit nuk përcaktojnë si kriter për punësim njohjen a respektimin e standardit. Edhe po që se bëhen gabime drejtshkrimi në CV apo kur iu drejtohesh me email, nuk është telashe. Kjo se zvogëlon mundësinë e punësimit. Gjithçka tjetër mund t’iu dëmtojë gjatë procesit për punësim , ama shkeljet e gjuhës jo.

Respektimin e gjuhës po e dëmton mjaftueshëm edhe prania dhe ndikimi i gjuhëve të huaja në vend. Tendenca e përvetësimit të pa filtruar të fjalëve prej gjuhëve tjera dëmtojnë ruajtjen dhe promovimin e gjuhës native. Trendi i imitimit të kulturave perëndimore ka përfshirë edhe përdorimin e fjalëve prej gjuhëve të huaja në komunikimin e përditshëm institucional e personal në vend. Ky trend po e rëndon ruajtjen e gjuhës shqipe.

Pra, gjuha shqipe s’po shkruhet drejtë. Përdorimi i duhur i saj s’po trajtohet i rëndësishëm. Mos përfillja e rregullave të gjuhës, do të thotë mos përfillje e një ndërtuesi thelbësor të identitetit të vendit tonë. Një rregullim ligjor, apo veç ndonjë iniciativë promovuese e rëndësisë së përdorimit të saj do t’i ndihmonte kultivimit dhe ruajtjes së denjë të gjuhës për brezat pas nesh.