Reforma emergjente

Partia politike shërben si urë-lidhëse në mes të shoqërisë dhe shtetit. Paramendoni sikur kjo urë të jetë jo-stabile?!

Pikërisht mungesa e aktivizmit të së cilit anëtarë të një subjekti politik, e përcjellur me mungesën e llogaridhënies dhe transparencës, si parime fundamentale të demokracisë funksionale, janë faktorët kryesorë që reforma brenda-partiake po ngecë dhe kështu po e shmang mundësinë për reforma strukturore.

Historia ka dëshmuar, që në rastet kur parimet e lartëpërmendura nuk përfillen nga partitë, shkaktohet shtendosje tek zgjedhësit dhe largim të anëtarëve nga ndonjëra parti në tjetrën. Apo, ҫka është edhe më e dëmshme, mospërfillja e këtyre parimeve rezulton në pasivizimin e qytetarit apo anëtarit. Nëse e përfshijmë në këtë përfundim edhe problemin e nivelit të ulët të besueshmërisë, atëherë interesi për t’u marr me ҫështje publike, bie. Ҫështjet publike janë pjesë integrale e ҫenjës njerëzore, apo jo?

Së këndejmi, reforma brenda-partiake jo vetëm që kontribuon më shumë në avancimin demokratik të institucioneve dhe shtetit, por gjithashtu është motiv i jashtëzakonshëm për anëtarët e movituar dhe serioz në ambiciet e tyre, që kanë synim ngjitjen shkallëve të hierarkisë partiake në mënyrë që të kontriboujnë në reforma dhe në kultivimin e vlerave të partisë.

Partia është një organizëm e cila përbëhet nga anëtarët e vet. Kjo anëtarësi, pastaj është e strukturuar në një mori organesh. Organet partiake ekzistojnë në mënyrë që të ruhet balanca e pushteteve brenda partisë.

Dihet mirëfilli që kjo është mënyra më e mirë për të shmangur që një person apo një grup i ngushtë lidershipi, të jetë shumë më i fuqishëm politikisht dhe kështu të arrij statusin e të qenurit arbitrar dhe tensionues me parimet demokratike. Pra, organet tjera janë për të kontrolluar dhe kështu balancuar organet e fuqishme si kryetari apo kryesia.

Funksionimi dhe ruajtja e fuqisë statutore të organeve të tjera është tregues i qartë se sa është një parti e konsoliduar në aspektin demokratik.

Sa më shumë që anëtarësia e partisë kërkon performancë të mirë dhe llogaridhënie, aq më shumë rriten gjasat për: formulim më gjithëpërfshirës dhe përbajtësor të politikave publike, rritjen e besueshmërisë nga publiku, hapjen e partisë për kuadro të cilat mëtojnë t’i adresojnë ҫështjet me rëndësi, rritjen e tranparencës, zvogëlimin e ndikimit të personave apo grupeve të cilat mund të destabilizojnë partinë për interesa personale dhe së fundi, por jo nga rëndësia, rritjen e motivit për t’i shërbyer partisë, shoqërisë dhe shtetit.

Si zgjidhje ndaj këtij problemi mund të themi që është edhe themelimi dhe fuqizimi i akademive politike brenda-partiake. Ngritja e kapaciteteve njerëzore është jashtëzakonisht domethënës në reformimin; avancimin e axhendës partiake për ҫështje të interesit të përgjithshëm; aktivizmin politik qytetarë, dhe kultivimi i vlerave si morali dhe etika – si fundamente dhe virtyte që i shërbejnë politikës dhe republikës.

Ndërkohë, njëra ndër pengesat më të mëdha për konsolidimin e demokracisë, si brenda-partiake ashtu edhe shoqëroro-institucionale, vazhdon të jetë gjendja e rëndë socio-ekonomike.

Të pasurit mund të përshaten ndaj ҫfarëdo konstalacioni politik, të varfërit nuk mund të ndikojnë shumë për shkak së janë të preokupuar me ҫështje bazike jetësore. Ndërkohë, klasa e mesme, e cila është shumë e vogël dhe paorganizuar, është e vetmja e cila përkujdeset për ruajtjen dhe kultivimin e demokracisë dhe zhvillimit të përgjithshëm.

Në këtë kontekst, ky konstelacion shoqëroro-ekonomik krijon fenomenin klientelë, i cili është njëri ndër faktorët e tjerë negativ që ngushton hapësirën për ruajtjen dhe kultivimin e parimeve demokratike në një subjekt politik.

…një faktor tjetër me rëndësi: duke e marrë parasysh tensionin etnik si dhe besushmërinë shumë të ulët të bashkësive etnike, posaçërisht asaj serbe, për t’u integruar në shtetin e ri, është jetike që partitë të udhëhiqen nga premisa integruese: marrjen e nismës për de-nacionalizimin e partive politike, që nënkupton krijimin e mundësive për të pasur në gjirin partiak jo vetëm një etni.

Kjo do të kontribuonte në ruajtjen e karakterit republikan duke i shtyrë bashkësitë tjera etnike të fokusohen në çështjet për të cilat preokupohen më së shumti qytetarët: zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe demokratizimin institucional dhe shoqëror.

Përndryshe, subjektet politike do të mbajnë barrën kryesore për dështimin eventual të demokracisë dhe shtetit.