Quazi-demokracia dhe konteksti gjeopolitik

Refuzimi që i bëri ish regjimi i presidentit pro-rus Janukoviç marrëveshjes së Brukselit për lidhje më të afërta politike dhe ekonomike me Ukrainën, erdhi si pasojë e presionit të madh rus, e cila insistonte nënshkrimin, në vend të kësaj, të Traktatit për antarësimin e Ukrainës në Bllokun Euro-Aziatik.

Ky bllok është krijuar rishtazi nga Rusia në përbërje të të cilit janë disa shtete të ish BRSS-së: Bjellorusia, Kazakistani, Armenia, dhe Kirgistani. Refuzimi i nënshkrimit të marrëveshjes me perëndimin bëri që presidenti Janukoviç të përballej me seri të mëdha demostratash nga protestuesit e Euro Meidanit, të cilët insistonin që Ukraina të merrte kahjen tek Perëndimi.

Regjimi i Janukoviçit u shembë ku menjëherë u pasua me pushtimin dhe aneksimin e Krimesë.

Më pas, në emër të ruajtjes së të drejtave të qytetarëve me përkatësi etnike ruse, Rusia ndihmoi në nismën e rezistencës së armatosur të rebelëve ndaj autoriteteve ukrainase. Ukraina, si vend gjeostrategjik dhe në “teh” të kufirit që ndan dy polet e mëdha gjeopolitike, pra Rusisë dhe Perëndimit, u bë fushëbetejë në mes të këtyre poleve.

Ky konflikt, i cili nga shumë analist të marrëdhënieve ndërkombëtare cilësohet si Lufta e II-të e Ftohtë, ka tensionuar edhe më shumë situatën në sistemin politik ndërkombëtar, ku tani beteja është përqëndruar në secilën sferë ku polet gjeopolitike shohin interes për të fituar teren dhe shtrirë ndikimin e tyre. Njëra nga këto sferat është edhe rajoni ku jetojmë – Ballkani.

Në një analizë e cila është përpiluar nga Këshilli Rus për Çështje Ndërkombëtare, theksohet domosdoshmëria e shtimit të ndikimi rus, përmes së ashtuquajturës “Fuqi e Butë” në rajonin tonë.

Raporti thekson rëndësinë që kompanitë e mëdha ruse, gjithnjë në koordinimin me institucionet e Federatës Ruse, duhet t’i japin forcimit të ndikimit të tyre ekonomik në mënyrë që të faktorizohet edhe politikisht.

Shtetet me të cilat synohet të arrihet ky objektiv janë Serbia dhe Mali i Zi, por jo vetëm.
P.sh. në Mal të Zi, 1/3 e investimeve të jashtme direkte vijnë nga kompanitë ruse.

Në të njejtën kohë, Serbia, si pasojë e krizës ekonomike që e ka kapluar prej fillimit të krizës ekonomike globale, ka kërkuar nga Federata Ruse kredi të buta duke shumëfishuar edhe bashkëpunimin për projekte infrastrukturore dhe energjetike.

Kjo bëhet në mënyrë që Federata Ruse të ketë “kartë” për të arritur synimet e veta strategjike – ç’orientimin dhe ndërlikimin e rrugës së shteteve të Ballkanit drejt integrimeve euro-atlantike.

Së këndejmi, duke e pasur parasysh këtë pasiguri diplomatike, perëndimi tanimë, si synim afat-shkurtër e ka vetëm mos-lejimin e rajonit të Ballkanit të rrëshqasë drejt trazirave sociale apo konfliktit.

Doktrina e stabilitetit afat-shkurtër, pa marrë parasysh ambientin e mbrendshëm politik dhe mekanzimat për të ndihmuar në reformimin e shteteve, nënkupton edhe mbështetjen ndaj regjimeve quazi-demokratike në Ballkan.

Kjo është politikë shumë e rrezikshme. Kjo politikë ndikon në uljen e motivimit nga institucionet e shteteve të Ballkanit, përkatësisht Kosovës, për ndërmarrjen e reformave demokratike, politike dhe ekonomike. Në anën tjetër, i vetmi mekanizëm që e ndal këtë politikë së realizuari është rezistenca paqësore e qytetarëve të Kosovës dhe popoujve tjerë të vendeve ballkanike.

Rezistenca shoqërore mëton t’a shtyj perëndimin drejt përpilimit të një doktrine të re. Të asaj doktrine që synon të arrij stabilitetin afat-gjatë.

Vetëm stabiliteti afat-gjatë, i cili arrihet përmes zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit dhe demokratizimit institucional dhe shoqëror siguron zgjidhje jo vetëm ndaj problemeve të përditshme të qytetarëve por edhe ridimenjozon interesat e perëndimit – që duhen të jenë të qëndrushme dhe të natyrshme, karshi interesave ruse.

Arritja e stabilitetit afat-gjatë nënkupton luftimin e fenomenit të kapjes së shtetit.

Përderisa me kapje të shtetit sigurohet një linjë më e sigurtë e transmetimit të mesazhit të vendeve perëndimore drejt regjimeve quazi-demokratike, dhe kështu përkohësisht sigurohet kompromisi për arritjen disa synimeve që në thelb janë të paqëndrushme dhe afat-shkurtra, siç është p.sh. marrëveshja e Kosovës me Serbinë, gjithnjë pra në kurriz të Kosovës, ajo gjithnjë ulë shpresat dhe motivimin për reformat e domosdoshme.

Ndërkohë, kjo përcillet edhe me humjen e besimit të qytetarëve ndaj shteteve perëndimore.