Gjahu për Kaprollin dhe Dilema e të Burgosurit

Është folur gjashtë muajt e fundit derisa Kosova nuk u bë me qeveri për kalkulimet që ua diktojnë liderëve të partive politike orientimin e tyre – a bëhet ky me këtë, apo ai me atë, kush çka merr – kur vjen tek krijimi i qeverisë dhe epilogu që do të duhet të rezultonte në ofrimin e të mirës së përgjithshme.

Politika në thelb, e zhveshur prej atributeve të tjera komplekse që e shoqërojnë është mu kjo sipas politologut të famshëm amerikan Harold Laswell kush çka merr, kur dhe si?

Për ata që rrinë në pritje dhe shpresat e tyre përqëndrohen rreth një pyetje esenciale: Kur do të bëhet mirë?

Shtjellimi i teorive në vazhdim do të mund të shërbente si pikë e të kuptuarit racional, se pse nuk bëhet mirë, dhe kur e si mund të bëhet mirë?

Ideja është që të shërbejë në funksion të këtij të kuptuari.

Kosova është një shtet i pa-përfunduar (unfinished state). Në praktikë ende nuk ka kontroll mbi 10-15 përqind të territorit të saj.

Edhe pjesa tjetër e cila është në kontrollin faktik të qeverisë– përkundër avancimeve të dukshme infrastruktorore në këto 15 vite – mbetet ende relativisht larg të nuhaturit të erës shtet, me vënien e plotë në jetë tëtë gjitha dispozitave që e shoqërojnë atë, pra ato të përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

S’do mend se janë bërë ndryshime të mëdha në këtë vend dhe që janë të prekshme. Ato vështirë edhe kuptohen pa u krijuar një distancë kohore me to. Por duke qenë e tillë Kosova do të vazhdojë të paktën edhe për 3-5 vitet e ardhshme, në mos më gjatë, që të jetë burim jostabiliteti.

Fundja, nuk është lehtë të bëhet shtet prej asgjëje!

Në këtë fazë Kosova dhe elita politike e saj në optikën e bashkësisë ndërkombëtare e cila vë në theks stabilitetin politik përpara çdo shqetësimi tjetër –  padyshim se nuk ndjell entuziasëm për të ndërruar kalorësit në garën me kuaj.

Fundja, pse ti ndërrojnë kur pas kalkulimeve të shumta rezulton se në Kosovë të gjithë duan ndryshim, por në thelb, askush nuk e do ndryshimin – nëse kostoja është edhe më e lartë për te paguar për kalores të të njëjtës cilësi (në mos më të vogël) ose edhe më keq, kostoja është thjeshtë e panjohur!

Kësisoj janë dy korniza teorike që të shkojnë ndërmend menjëherë e të cilat justifikojnë ose qartësojnë pozicionet e akterëve politikë përgjatë 2014-ës dhe momentin e tanishëm politik. Kur kihet parasysh qe politika është terren i të vepruarit racional ato marrin shumë kuptim.

Kësisoj, nëse është për të kuptuar sjellja politike e VLAN-it në këta gjashtë muajt e fundit, shto kësaj kushtin shtesë nga “deux ex machina” për të përcaktuar orientimet se çfarë nuk mund te ndodhë për të mos “e dhier” –  teoria e njohur e shkencave politike mbi Gjahun per Kaprollin(Stag Hunt) të shkon ndërmend.

Në të vërtetë në bazë të kësaj teorie të aplikuar gjerësisht në fushen e Teorise se Lojës (Game Theory), tre-katër gjahtarë bëhen bashkë dhe vënë grackën për të kapur një kaproll. E dinë shtegun se nga kalon kaprolli, ia dinë deri diku edhe huqet, dhe fortifikohen dhe presin aty 1 ditë, 2 ditë, e kështu me rradhë që kaprolli të bie në grackë e të gjithë të mund të hanë.

Por ja që nganjëherë kaprolli nuk kalon! Në fakt nga prizmi i shkencave politike, kaprolli rëndom nuk kalon. Në pritje e sipër njëri nga gjahtarët lodhet dhe vendos ta përdor grackën e përbashkët për të kapur një lepur që kalon pas tre ditësh.

Kësisoj, ai siguron një drekë a darkë të begatë për veten por lë gjahtarët tjerë me gishta në gojë!

Nga perspektiva e shkencave politike, për akteret racionalë, secili gjahtar mund të bëjë këtë gjë – dhe kjo sidomos kur tre-katër gjahtarët secili endin nëpër mendje netëve në pritje me barkun bosh se po të kalonte edhe lepuri këtej pari dhe të tjerët të ishin në gjumë ai s’do ia falte dakikun.

E dhimbshme kjo s’do mend, por kujtojmë këtu se politika në vetëvete nuk është sport i lehtë dhe mësohet përmes shembujsh të tillë nga liderët e politikës botërore!

Ndërkohë kjo na sjell në situatën tjetër të cilën kam dëshirë ta shoh me optikën e formulës mbase më të njohur në shkenca politike që njihet si Dilema e të Burgosurit. (Prisoner’s Dilemma). Çfarë ndodh këtu?

Të pandehurit, e zëmë hipotetikisht se janë tipa të cilët ua kanë ngrënë lepurin gjahtarëve të tjerë në të kaluarën, dhe tani ndodhen në një situatë të re…Të dy ndodhen në arrest dhe merren në pyetje për krimet e supozuara, (ngrënie lepujsh) ndërkohë që mbahen larg njëri-tjetrit.

Ajo që dihet është se nuk ka gjasa që të dy të shpëtojnë e të dalin të lirë pa bërë burg! Mund të shpëtojë njëri ose tjetri ose të vendosin të dy të rrinë në burg në varësi të opcioneve që zgjedhin.

Kështu, poqëse tradhtojnë njëri-tjetrin me shumë gjasë secili do të dënohet me dy vjet burg – dhe ky konsiderohet epilogu më i keq,por paradoksalisht edhe më i mundshëm. Se çfarë nënkupton kjo në kontekstin e tanishëm dhe si përkthehet në epilog konkret është e lehtë të kuptohet. Pra të dy të burgosurit e pësojnë sepse “e shesin” njeri-tjetrin duke zbuluar njëri-tjetrin!

Epilogu tjetër është ai ku njeri “shet” tjetrin dhe tjetri hesht, ose anasjelltas. Ky që “shet” tjetrin del i lirë, kurse e ai që e “shesin” i ha tre vjet vjet burg!  Padyshim se duke i njohur akterët tanë të sprovuar në politikë mund të vësh bast se do e donin këtë opcion. Ky epilog megjithatë ka pësoja – në kontekstin specifik kuptimi i tradhetise dhe ndjenja e hakmarrjes se “të shiturit” pasi ka bërë burgun. 

Por njëresh ky epilog kapak gjasa sepse kujto se bëhet fjalë për siç thashë, gjahtarë të sprovuar, e mosbesues, të cilët ndodhen në këtë burg hipotetik për faktin se kanë ngrënë lepuj më parë.

Në Teorinë e Lojës akterët – që njihen si self-interested, pra që kalkulojnë interesat vetanake rëndom shesin njeri-tjetrin dhe gjasat janë të mëdha që zakonisht të dy këta të përfundojnë në burg me dënime prej dy vjetësh para se të ndodhë që njëri të hajë tre vjet burg e tjetri të shpëtojë i lirë.

Por poqëse nuk flasin kundra njëri tjetrit secili mund të shpëtojë me veç një vit burg e dalin paç, siçi thotë populli – dhe ky është epilogu më i mirë.. 

Se çfarë mund të nxjerrë Dilema e të Burgosurit në kontekstin aktual është vështirë të parashikohet, por lehtë të kuptohet se cili opcion çon drejt të mirës së përbashkët dhe cili jo.

Formulat si kjo e Gjahut për Kaproll apo Dilema e të Burgosurit, në dukje bizare, përdoren gjerësisht në Departamentet e Shkencave Politike nëpër universitetet e botës për të studiuar situata hipotetike por gjejnë zbatim në praktikë në vende si Kosova ku “dilemat” e “gjahtarëve” janë reale, konkrete dhe të shumëfishta.