Dy kanceret e tregut të librit në Shqipëri

Besoj se tregu i librit në Shqipëri gjatë dekadës së fundit ka rënë pre e dy kancereve, të cilat janë simptomat e dukshme të problemeve më të gjera me sistemin e vlerave të shoqërisë shqiptare.

Kanceri i parë janë fondet e donatorëve. Çdo ambasadë apo çfarëdolloj institucioni tjetër sponsorizon çdo vit një pafundësi librash për të cilat, përfituesit e këtyre sponsorizimeve duket se nuk kanë kurrfarë interesi ose kanë interes shumë të kufizuar për të realizuar një botim cilësor në formë apo në përmbajtje. Libra të tillë përkthehen, redaktohen dhe publikohen pa marrë parasysh fare se dikush duhet t’i lexojë. Me përjashtime të rralla, fondet e donatorëve në tregun e librit thjeshtë sa kanë shkaktuar prerje të panevojshme pemësh.

Por edhe në rastet kur librat e sjellë në tregun shqiptar në këtë formë, janë cilësorë dhe të përkthyer mirë, sërish interesi për t’i mbajtur këto lloj librash në treg apo për t’i shpërndarë siç duhet mungon ose zhduket sepse paratë e fituara nga sponsorizimet janë më të mëdha nga sa mund të fitohen duke u lodhur për ta shitur librin në treg.

Kanceri i dytë është konsiderimi i librit si një bordello për aspirantët për intelektualë. Dhe nuk e kam fjalën për morinë e oficerëve në lirim që lëvrojnë prozë, poezinë, kujtimet, biografitë apo historitë popullore. E kam fjalën për morinë e pronarëve, politikanëve apo gjysmëpolitikanëve apo gjysmëbiznesmenëve që besojnë se botimi i një libri i jep një aureolë intelektualizmi portretit të tyre. Edhe kjo kategoria e dytë, nuk boton libra me paramendimin se dikush do t’i lexojë. Për ta, një zhurmë mediatike mbi librin është pika kulmore e ëndrrës së të qenit intelektualë.

Ka një numër të madh biznesesh të lidhura ngushtë me politikën që merren me librin artistik për t’i dhënë vetes mendimin se po krijojnë vlera kulturore, pavarësisht se këto vlera “kulturore” janë produkt i fenomenit aspak kulturor të vjedhjes dhe abuzimit me pushtetin. Por pikërisht te kjo kategori biznesesh ngrenë krye njëkohësisht dy dëshira: Dëshira për të krijuar kulturë si justifikim për vjedhjen, aq edhe ajo për të fituar para. Kjo dëshira e fundit shfaqet me pafundësinë e librave që duket sikur kanë synime komerciale, të llojit, pesë hapa të shpejtë për të bërë seks, të cilat, në shumicën dërrmuese të rasteve, janë njëkohësisht edhe një dështim total komercial, përveç të qenit dështim kulturor.

Këto probleme janë simptoma, pjesa e dukshme e problemeve të vërteta të vendit, faktit që grupimet shoqërore me interesa kulturore janë minoranca drejt asimilimit nga injoranca e gjithëpërhapur televizive.

Vështirë se këto fenomene janë produkt i krizës ekonomike aktuale. Gjatë viteve 1990, megjithëse shqiptarët ishin duke ngordhur për bukë, ka pasur shumë më tepër përpjekje dhe botime të letërsisë së mirëfilltë se sa pas viteve 2000.