Një shoqatë, një anëtar, një kryetar, një përfitues

Në vitet ’90, mes biznesmenëve shqiptarë qarkullonte një si tip anektode që thoshte se me 20 mijë dollarë në Shqipëri mund të ndryshohej  një ligj në parlament. Mjafton të paguaje ndonjë  nga “liderët” e kuvendit dhe puna qe kryer.

Natyrisht, çmimet kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Sot 20 mijë dollarë shpesh nuk mjaftojnë as për një shkëmbim duarsh.

Nejse!

Këto ditë, në një relacion të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, diku në një cep, flitet për një gjë që quhet “Shoqata e Mineraleve të Shqipërisë”, një shoqatë që raportohet se ka negociuar me qeverinë dhe e ka bindur për një gjë të madhe: nevojën për të përpunuar në vend sa më shumë nga minerali i kromit të nxjerrë në Shqipëri dhe eksportimin e kromit në formën e ferrokromit. Në teori duket goxha e mirë si ndërhyrje. Një përpjekje heroike e qeverisë për të nxitur “prodhimin vendës”. Problemi është se në Shqipëri ka vetëm një fabrikë ferrokromi të trashëguar nga koha e komunizmit. Kjo fabrikë është sot pjesë e të njëjtës kompani që ka koncesionin e pjesës më të madhe të kompleksit minerar të Bulqizës. Kjo e ashtuquajtura shoqatë, duket se ka një vetëm një anëtar, i cili, doemos duhet të jetë edhe kryetar, i cili, doemos është edhe përfituesi i vetëm i kësaj kërkese të “shoqatës” e cila u pa e arsyeshme të plotësohet nga qeveria.

Për gazetarët e ekonomisë, kjo nuk është aspak gjë e re. Organizimet e biznesit në Shqipëri kanë lindur si zyra gjysmë shtetërore dhe gjysmë private, të kontrolluara pak a shumë nga qeveria e rradhës dhe nga “biznesmeni” i rradhës. Pak a shumë të gjitha këto shoqata i kanë qëndruar besnik parimit “një kryetar, një anëtar, një përfitues”.

Nja dhjetë vite të shkuara, Shqipëria kishte një si tip institucioni që quhej “Këshilli Konsultativ i Biznesit”. Ky këshilli, u konsiderua nga qeveria si platforma e ndërtimit të një dialogu të shëndetshëm me grupet e biznesit. Në vitin 2003 psh, kishte një situatë shumë të këndshme. Këshilli mori disa kërkesa nga shoqatat e biznesit për rishikim taksash. Dy kërkesa i mbaj mend edhe sot. E para, qe hedhur nga një shoqatë njëanëtarëshe pranë një fabrike birre, e cila kërkoi heqjen e taksës doganore të lupolos. Kjo është një lëndë që përdoret në prodhimin e birrës. Qeveria e pranoi këtë kërkesë me argumentimin se kështu do të nxitet prodhimi vendës i birrës. Por një shoqatë tjetër, e drejtuar nga një biznesmen tjetër, i cili kishte një fabrikë patatinash, pati kërkuar që të hiqet taksa doganore për një lloj patateje që përdorej për prodhim patatinash. Kërkesa e tij u refuzua me argumentimin se po të hiqej dogana, “do të diskurajohej prodhimi vendës i këtij lloji patatesh.”

Para disa vitesh, nëpër këto lloj raportesh na doli një kërkesë tjetër. Një shoqatë, e quajtur “Shoqata e Importuesve të Veshjeve”, pati bërë kërkesë që të hiqej tarifa doganore për importin e veshjeve. Argumentimi i kësaj shoqate qe shumë shkencor. Sipas saj, tregtarët e veshjeve, po kalonin kohë të vështira. Duke hequr tarifën doganore për veshjet, do të mund të krijoheshin “vende pune”, dmth do të ulej çmimi i veshjeve dhe shqiptarët do të blinin më shumë veshje.

Kuptohet që shoqatat e biznesit, krijohen dhe zhduken bashkë me kryetarin/anëtar/përfitues.

Historia është po ajo e vjetra. Ca para nën dorë për të ndryshuar një ligj apo një taksë. Të gjitha barsoletat e tjera me “nxitje të prodhimit vendës”, “zëvendësimit të importeve me eksporte” apo “hapjes së vendeve të reja të punës” janë thjeshtë barsoleta.

Këto lloj barsoletash kanë bërë për të qeshur prej kohësh gazetarët e ekonomisë. Tani do të duhet që edhe publiku i gjerë t’i mësojë. Kur ndonjë zyrtar, ministër apo kryeministër të flasë për “nxitje të prodhimit vendës”, atëherë ne duhet të vrasim menjëherë mendjen se cila shoqatë/kryetar/anëtar e ka këtë ide kaq brilante dhe mbase debatet për paketën fiskale do të na bëhen më tërheqëse për publikun e gjerë.