Stereotipet në media dhe rasti Walbanie

Titulli i një lajmi ka dy funksione, të tërheqë vëmendjen  e lexuesit dhe të përmbledhë me një fjali, idenë kryesore. Në titujt që shohim pak më sipër është e qartë se emrat Kandahar dhe Kabul përdoren për qëllimin e parë të lajmit, pra të tërheqin lexuesin. Por një fjalë apo fjali ka forcën që të shprehë më shumë se sa një kuptim. Pra në të dy titujt e mësipërm, audienca merr disa kuptime vetëm nga leximi i titullit. Kështu, ne mund të interpretojmë për lajmin e parë:  Plazhi i Durrësit po pastrohet; Plazhi i Durrësit deri  tani ka qenë i pisët; Ka qenë po aq i pisët sa Kandahari; Kandahari është i pisët. Ndërkohë, lajmin e dytë mund të deduktojmë: Në Tiranë nuk është normale të ketë ujëra të zeza  në rrugë; Në Kabul kjo gjë do konsiderohet normale; Kabuli është i pisët.

Pra në të dy lajmet kemi një përdorim stereotipist për dy qytete, të cilët shumica prej nesh nuk ka pasur mundësi t’i vizitojë apo t’i njohë. E duke qënë se media është një nga mjetet e informimit për realitetin që s’mund ta prekim vetë, ne kështu mësojmë edhe për vendet apo botën larg nesh. Nga këto dy tituj mësojmë që Kabuli dhe Kandahari janë qytete të pista , në të cilët është e vështirë të jetohet. Unë nuk kam vizituar ndonjëherë asnjë prej këtyre qyteteve, ndaj nuk di të them nëse këto dy qytete ose pjesë të tyre, mund të kenë probleme me pastërtinë. Por i sigurt është fakti se të dyja këto qytete, janë shumë më tepër sesa vetëm epiteti: i pisët.

Një qytet, kudo qoftë, ka një të shkuar dhe një tashme, ka histori, ka zhvillime, ka njerëz…ndaj përdorimi stereotipik që bëhet në media ndihmon në zvogëlimin dhe përfaqësimin e tij vetëm në një kuptim, që në rastin tonë është negativ. Ka disa arsye pse ndodh stereotipizimi në media dhe më tepër në tituj mediatikë. E para, është efekti i sensacionales. Pra gazetarët apo lajme-bërësit përdorin terma të njohur me një kuptim të caktuar për audiencën, në mënyrë që kjo e fundit të ndjehet më familjare me lajmin e ta blejë atë si produkt. Arsyeja tjetër ka të bëjë me vetë gazetarët. Por duhet thënë, ky nuk është një fenomen shqiptar.

Stereotipizimi në media është një fenomen universal. Por në rast se nuk shqetësohemi për atë çka veprimet tona iu shkaktojnë të tjerëve, ne kemi vërtetuar se shqetësohemi shumë, kur na preken interesat tona si komb (si në rastin e ndeshjes Serbi-Shqipëri).

Rastet e mësipërme ngjajnë me një skandal me emrin Walbania, që plasi disa kohë më parë në Belgjikë. Ky stereotip ishte përdorur për të përshkruar pjesën e pazhvilluar të Wallonisë, pjesës frëngjisht-folëse e Belgjikës. Lajmi u publikua nga mediat frankofone të fyera nga krahasimi me Shqipërinë, si sinonim i një vendi të varfër e të pazhvilluar. Termi ishte përdorur edhe në librat e gjeografisë së një shkolle në Bruksel, të cilat u hoqën nga përdorimi pas pubikimit të lajmit. Përkrah tij kishte terma si Walabama (pjesa rurale e Wallonisë) apo Walifornia (pjesa e pasur e Wallonisë).

Çështja nuk është nëse ne jemi vërtet të varfër apo të pazhvilluar, çështja është se ne jemi shumë më tepër se kaq. Ndaj nëse gjithë sa fëmijët belgë mësojnë për Shqipërinë është ‘një vend i varfër e i pazhvilluar në jug të Europës’ kjo patjetër do t’i hapë probleme secilit prej nesh që do vizitojë këtë vend, që do të studiojë atje, apo politikës sonë që po përpiqet ta integrojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Ja pse duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj stereotipeve në media!

*Autori është student i doktoraturës në Shkenca Komunikimi, në Universitetin e Gentit, Belgjikë.