Privatësia dhe Reputacioni i të Dyshuarve Kundrejt Lirisë së Medieve

Çështja e publikimit të emrave të personave të arrestuar, sidomos para se të ngrihet aktakuza ndaj tyre, ka qenë dhe mbetet kundërthënëse në mbarë botën, ku Kosova natyrisht nuk bën përjashtim.  

Individëve të cilëve u publikohen emrat dhe të dhënat tjera personale, rrezikohet të u shkelet e drejta për privatësi, si dhe t’u dëmtohet seriozisht reputacioni. 

Për më shumë, publikimi i informatave tjera në lidhje me rastin, shumë shpesh u mohon të akuzuarve gjykim të drejtë. 

Problemi kryesor qëndron në faktin se e drejta në privatësi dhe kujdesi për reputacion garojnë me lirinë e medieve dhe me të drejtën e medieve për publikimin e lajmeve dhe shpërndarjen e informatave me interes publik. 

Konkurrenca në mes të medieve për ekskluzivitet dhe shpejtësi, e sidomos paraqitja e internetit si medium, vetëm sa e kanë ndërlikuar situatën edhe ashtu konfuze. 

Prandaj nuk është fare çudi që në këtë vorbull të konflikteve në mes të ligjeve, etikës dhe të drejtave njerëzore, edhe profesionistët me përvojë të gjenden shpeshherë në dilemë para publikimit. 

Por cilat janë të drejtat tona dhe a janë ato absolute? 

E drejta në privatësi është një e drejtë themelore që njihet në Deklaratën e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, në Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike si dhe në shumë traktate të tjera ndërkombëtare dhe rajonale. 

Privatësia është zhvilluar në një nga çështjet më të rëndësishme të të drejtave të njeriut të kohës moderne dhe pothuajse të gjitha vendet e botës e kanë të drejtën në jetë private të përfshirë në kushtetutë- neni 36 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës siguron të drejtën e privatësisë dhe ajo mbështetet me legjislacion në mes tjerash edhe në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.  

Por, edhe pse e drejtë themelore, e drejta në privatësi nuk është absolute, ajo mundet të anashkalohet në rastin e interesit publik, sigurisë kombëtare, shëndetit të personit në fjale dhe disa përjashtimeve tjera. 

Sidoqoftë, mediet në Kosovë shpeshherë i absolutizojnë këto përjashtime, duke i publikuar emrat e të dyshuarve dhe të dhëna tjera personale, shpeshherë edhe pa ndodhur arrestimi. 

Çuditërisht, kanë munguar reagimet publike, apo ndonjë debat më serioz rreth kësaj problematike në përgjithësi, por edhe rreth rasteve të veçanta. 

Publikimi i identitetit të plotë, fotove nga arrestimi, adresave, detajeve të rastit dhe informatave të tjera, është bëre pothuajse praktikë normale, shpesh edhe në kundërshtim me kufizimet ligjore, etikën profesionale, e madje edhe me mendjen e shëndoshë dhe normat thelbësore morale. 

Shtrohet pyetja, si është puna në shtetet perëndimore? Legjislacioni është i ngjashëm, pothuajse në tërë Evropën dhe Amerikën Veriore, shprehitë e mediave po ashtu nuk dallojnë shumë. 

Në përgjithësi ekziston tendenca e shmangies nga publikimi i emrave para se të ngritet aktakuza, përderisa pas shpalljes së aktakuzës qasja në dokumente të gjyqit u mundëson mediave të kenë burim të sigurt dhe të ligjshëm të informatës. 

Shumë varet nga rasti në rast dhe nëse ka burime tjera, kryesisht dëshmitarë që munden të vërtetojnë identitetin e te arrestuarve,  mediet nuk hezitojnë. 

Ndodh edhe që policia apo organet hetuese të publikojnë vetë identitetin e plotë, nëse kjo shihet si e dobishme për procesin. 

Trajtim tërësisht tjetër kanë rastet ku të akuzuarit janë figura publike,  ose nga bota e showbizit ku mediet ndihen të lira të publikojnë identitetin, duke u thirrur në interes publik. 

Por në të gjitha variantet, mbrojtjen kryesore viktimat e gjejnë në mundësinë e padisë civile në rast se dalin të pafajshëm, e sidomos nëse nuk vjen fare deri tek aktakuza. 

Edhe këtu ka dallime nga rasti në rast, më së shpeshti bazuar në dëmin e shkaktuar, por gjyqet në perëndim janë kryesisht të afta të trajtojnë  këto raste dhe dënimet i korrespondojnë dëmit. 

Një ndër rastet që tërhoqi më së shumti vëmendje në Evropë në kohë të fundit, posaçërisht për nga implikimet morale, është kur në vitin 2008 kompania britanike e medieve “Express Newspapers”  u ndëshkua me 550,000 funte. 

Gjykata e Lartë atje vendosi se disa botime të kësaj kompanie kanë raportuar gabimisht duke fajësuar prindërit për vdekjen e vajzës së tyre, e cila ishte (dhe ende mbetet) e zhdukur gjatë pushimeve në Portugali. 

Të gjitha botimet në padi u detyruan që po ashtu të publikojnë në ballinë kërkim-faljen ndaj prindërve. 

Ky vendim nuk është as për së afërmi më i larti, sepse në Britani dhe ne ShBA këso raste dinë të arrijnë vlera disa milionëshe në favor të të dëmtuarve, por popullariteti të cilin e kishte fituar ky rast i veçantë, si dhe akuzat e rënda ndaj prindërve të përvuajtur, vazhdojnë ta mbajnë këtë vendim në vëmendje. 

A ka ndonjë rregull të thjeshtë që duhet ndjekur në Kosovë? Me siguri se po: rregulli më i thjeshtë do të ishte që gjatë raportimit të mos i bëjmë tjetrit diçka që nuk do të donim dikush tjetër të na bëjë neve. 

Përndryshe, ligjet, aktet nënligjore, praktika ndërkombëtare dhe elementet tjera, nuk janë në gjendje të mbulojnë paraprakisht të gjitha llojet e raportimit, e as të gjitha llojet e rasteve. 

Vendimi mbetet thjesht në gjykimin dhe etikën e individëve brenda një mediumi, si dhe në kujdesin nga rreziku i padisë civile, e cila do të mundej të komprometojë seriozisht qëndrueshmërinë financiare të të paditurit.  

Kodi i Sjelljes i Komisionit të Pavarur të Mediave në Kosovë është mjaft i qartë në atë se si duhet të raportohet në këto raste, por reagimet janë shume të rralla përballë shkeljeve të shpeshta. 

Këshilli i Mediave të Shkruara e ka po ashtu kodin e etikës, i cili përcakton shumë më pak, por ndoshta edhe vetë kjo mangësi tregon për mungesë të interesimit. Gjyqet në Kosovë kanë trajtuar shumë pak padi civile të këtij lloji, prandaj edhe mungon përvoja, krahas me kapacitetin e limituar të gjyqësorit si tërësi. 

Me hovin të cilin e ka marrë plasimi i lajmeve përmes internetit, qoftë në portale lajmesh, qoftë në vebfaqe te medieve tjera, problemet e cekura vetëm sa do të vijnë e rriten te ne,  prandaj edhe ka nevojë për një qasje më aktive të shoqërisë civile dhe ligjvënësve, ndërsa gjyqësori duhet të mbajë hapin me zhvillimet, ose të ballafaqohet me pasojat, që rrezikojnë të eskalojnë përtej fushëveprimit të ligjeve civile. 

Autori është drejtor ekzekutiv i  Shoqatës për Privatësi, Teknologji dhe Media “LENS’ (www.ngolens.org).