Në 2015 të gjithë televizionet me pagesë

Si në të gjithë Europën, në vitin 2015 televizionet në Shqipëri duhet të kenë përfunduar transferimin e transmetimeve nga analoge në ato dixhitale.

Edhe pse ky afat po afrohet, transmetuesi televiziv publik shqiptar, RTSH, nuk e ka filluar akoma procesin e instalimit të antenave transmetuese dixhitale, për shkak se tenderi për blerjen e tyre është subjekt i një çështjeje gjyqësore midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë gjermane Rohde & Schwartz.

Në qershor të vitit 2012, qeveria shqiptare vendosi që asnjë operator televiziv, përfshirë dhe transmetuesit publikë, nuk duhet të lejohet të transmetojnë në analog pas qershorit 2015.

Për këtë arsye në Mars të vitit 2013, Ministria e Inovacionit, Komunikimit dhe Teknologjisë, shpalli një tender me një vlerë prej 23 milion euro në të cilin morën pjesë katër kompani ndërkombëtare,.

Përveç Rohde and Schwarz, tre kompanitë e tjera pjesëmarrëse qenë Ericsson, Huawei International dhe NEC Eastern Europe Ltd në bashkëpunim me Metalcom Inc.

Pas vlerësimit të ofertave, komisioni i tenderit shpalli fituese kompaninë gjermane Rohde & Schwartz, por ministri i inovacionit i asaj kohe, Genc Pollo, kërkoi një vlerësim të dytë nga kompania konsulente, Kordia Ltd.

Pas rivlerësimit, Pollo shpalli fituese dy kompani, Ericsson dhe Rohde&Schwartz, dhe i kërkoi atyre të ndanin kontratën. Kompania gjermane nuk e pranoi këtë vendim dhe e hodhi qeverinë shqiptare në gjyq.

Në shkallën e parë kompania e fitoj gjyqin, pasi gjykata arsyetoi se ish-ministri me veprimet e tij kishte shkelur barazinë në tender, një vendim që Pollo e kundërshton. Pas ardhjes në pushtet në shator 2013, ministrja e re e inovacionet, Mirela Harito, e ankimoi vendimin e gjykatës në apel, ku çështja është akoma në proces.

Nuk është e qartë se kur Gjykata e Apelit në Tiranë do japi një vendim mbi tenderin. Megjithatë, edhe sikur ky vendim të merret nesër, procesi i dixhitalizimit është vonuar me vite dhe është vështirë se afati i qershorit 2015 të arrihet.

Sipas ish-drejtorit të RTSH-së, Petrit Beci, ngërçi në këtë proces do të thotë që në qershor të vitit 2015, televizionet e mbetura do të jenë vetëm ato që transmetojnë nëpërmjet rrjeteve dixhitale me pagesë.

“Ti thuash jo Rohde&Schwartz dhe Deutche Bank, do të thotë që nuk do ta bësh,” tha Beci në një intervistë për BIRN. “Edhe ligji i prokurimeve është mbrapsht; është bërë i tillë që të fitojë pisllëku,” shtoi Beci.

Beci, gjatë një bisede të gjatë dhe retrospektive në një kafe të Tiranës, më tha që tenderi i dixhitalizimit duhej të ishte mbajtur nga RTSH, por që ai ishte i lumtur që ministria e kishte marrë përsipër përgjegjësinë.

“Nuk doja të behej tek unë, sepse e dija që do të kapitulloja nga presioni,” tha Beci. “Është një mëkat i jashtëzakonshëm ai që ka bërë Gen Pollo,” shtoi Beci.

Në muajin Mars pata publikuar një artikull mbi procesin e dixhitalizimit të RTSH-së dhe në një intervistë me Pollon e pata pyetur në qoftë se ndihej përgjegjës për shkeljet e konstatuara nga Gjykata e Tiranës në procesin e prokurimit për dixhitalizimin e RTSH-së.

Pollo më tha në atë intervistë që përgjegjësitë e tij ishin ‘vetëm morale dhe politike’ dhe akuzoi kompaninë gjermane se e kishte kompromentuar tenderin nëpërmjet një konsulenti të huaj, që kishte qenë këshilltar për qeverinë shqiptare. Kur gjermanët dëgjuan akuzat e Pollos kërcënuan se do ta hedhin në gjyq për shpifje.

Ndërkohë ministrja e re e inovacionit ka ndërmarrë një proces të ri vlerësimi për ndarjen e frekuencave dixhitale, që kërkon t’i heqë transmetuesit publik një frekuencë për t’ia kaluar privatëve.

Në 2012 qeveria vlerësonte se tranzicioni nga sistemi i transmetimeve analoge tek ai dixhital “është me rëndësi kombëtare dhe më i rëndësishmi në fushën e transmetimeve radio-televizive.”

Ky tranzicion i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë qindra-mijëra euro në konsulentë të huaj, që edhe pse të ‘kompromentuar’ paratë i kanë marrë. Tashmë procesi i tenderimit të këtij tranzicioni mund të quhet më shumë një dështim kombëtar, për shak të interesave aspak kombëtare që e shoqëruan atë.

Se kush është përgjegjës për këtë dështim do ishte mirë që ta zbardhte një hetim nga prokuroria, edhe pse kjo ka pak gjasa të ndodhë.

Ndërkohë, i vetmi zyrtar që pranoi disa përgjegjësi ‘politike dhe morale ’ vazhdon të mbajë postin e kreut të komisionit të medias në parlament pa shumë kokëçarje.