Kinemaja e Kërcënuar nga Shteti

Në vitin 1975 artisti i ndjerë Andy Warhol thoshte në librin e tij “Filozofia e Andy Warhol-it”: “Ata gjithmonë thonë se koha i ndryshon gjërat. Por, në fakt, ju mund t’i ndryshoni gjërat vetë.”

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – “DokuFest” është shndërruar në një nga fanarët më të shndritshëm për filmbërës nga anembanë bota. 

Edicioni i këtij viti kishte një temë tejet specifike e shprehur me shprehjet: “Ndrysho, mos u fsheh” dhe “Ndryshoje vetë”. Warholi do të ishte tejet i kënaqur me këtë përzgjedhje. 

Ndryshimet nganjëherë ndodhin shumë shpejt. Thirrja e bërë dhe reagimi i menjëhershëm ndaj saj ilustronin ndikimin gjithnjë në rritje të “DokuFestit”. Në ceremonitë hapëse të edicionit të trembëdhjetë të këtij festivali më 16 gusht, drejtori artistik i tij Veton Nurkollari ua shpjegoi të pranishmëve se ekzistonin plane që “Kino Bahçja”, ku ata janë grumbulluar të privatizohej. 

“Ju ftoj dhe inkurajoj që të na bashkëngjiteni në rrugëtimin tonë drejt ndryshimit, rrugëtim ky që e kemi filluar me shumë pasion para 12 vjetësh në kopshtin e një kinemaje të bukur në qiell të hapur, kinema kjo që sot po kërcënohet me shkatërrim”, tha Nurkollari.

 “Ne thjesht nuk mund ta pranojnë humbjen e vendit që është përgjegjës për lindjen e ‘DokuFestit’ dhe nuk do ta pranojmë një gjë të tillë”. Filmi i parë i shfaqur këtë edicion quhej “Rebeli i zakonshëm.”

Në Kosovë ka ngjarë shumë herë që privatizimi t’i paraprijë shkatërrimit të një resursi të çmueshëm, vetëm sa për t’i lëshuar vend ndonjë shëmtie e cila rrallë i ka sjellë përfitime komunitetit të cilit është dashur t’i shërbejë. 

A do të shndërrohet kjo kinema që ndodhet në qendër të qytetit, në një vendparkim a qendër tregtare? Këtë nuk e di askush. 

Megjithatë, një gjë ishte e sigurt – se organizatorët e “DokuFestit” shpresonin se ata do të mund t’i bëjnë presion të mjaftueshëm qeverisë sa për ta ruajtur këtë vend si vend të interesit kombëtar, falë vlerave të veta historike dhe kulturore. 

Vetëm nëntë ditë më pas gjatë ceremonive përmbyllëse që u zhvilluan të dielën e kaluar, erdhi reagimi. Por, shih çudinë, ajo erdhi nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe jo nga ai i Kosovës Hashim Thaçi. 

Rama i tha publikut atë natë se “Kino Bahçe” do të kursehet nga privatizimi dhe do të mbrohej si vend i trashëgimisë kulturore, për t’i shërbyer sërish komunitetit i cili e kishte mirëmbajtur atë vetë dhe pa kurrfarë përkrahjeje nga jashtë, për t’i shfaqur filmat, shfaqjet muzikore dhe evenimentet tjera kulturore për qytetarët e Prizrenit. 

Nuk ka nevojë të theksohet se kjo deklaratë u përcoll me duartrokitje të gjata e të zëshme. 

E çka ka kjo të bëjë me filmin? Çka ka të bëjë kjo me këtë festival që vazhdon të sjellë në Kosovë filmat më të mirë dokumentarë dhe të metrazhit të shkurtër nga e tërë bota?

Kjo ka të bëjë shumë me eksportimin dhe shpërndarjen e imazhit filmik të Kosovës, me përkrahjen e filmbërësve të talentuar të Kosovës dhe me paraqitjen e tyre para publikut botëror. 

Si njëra nga programuesit e filmave në Kosovë mund të them se cilësia, shkëlqesia kinematike dhe tregimet e paraqitura në filmat e prodhuar nga kosovarë sa shkojnë e përmirësohen dhe se ky vend ka shumë për t’i ofruar botës në formë të talenteve artistike. 

Njëkohësisht, organizatorët e “DokuFest-it” shprehin dëshirë të fortë për të zhvilluar këtë talent më tej – nga programet me nxënës të shkollave të mesme dhe studentë të universiteteve që ofrojnë platforma për t’ua mësuar, udhëzuar dhe paraqitur të rinjve të këtij kombi një karrierë në arte dhe media, përmes punëtorive praktike, ligjëratave mjeshtërore dhe takimeve sociale me mysafirë të shquar gjatë zhvillimit të punimeve të këtij festivali. 

Fundja, është kjo koha e vetme kur e tërë bota i troket në derë Kosovës.