‘Nderi i familjes’ është me i vlefshem se sa jeta e një gruaje

Mediat raportojnë në mënyrë sistematike ngjarje për ushtrim të dhunës ndaj grave. Nuk mungojnë dhe raste shumë ekstreme, kur ato goditen edhe për vdekje. Kjo është vetem një pjesë e hidhur e realitetit botëror e për fat të keq edhe realitet i vendit tonë. 

Rishtazi, ngjarja që ndodhi në Pakistan tronditi botën. Një grua shtatzënë u qëllua me gurë për vdekje nga vetë familja e saj, para një gjykate të lartë pakistaneze, pasi kërkoi të martohej me njeriun që donte. Ky akt i vrasjes me gurë nder të tjera është edhe torturim dhe poshtrim publik i dikujt deri në vdekje. Është ky vetem një nga shumë rastet tragjike ndaj grave që kanë ndodhur ditëve të fundit nëpër tërë botën.

Opinioni shqiptar është tronditur nga një rast i tmerrshem që ndodhi ditëve të fundit në Shqipëri. Babai nga Dibra, vret vajzen e tij shtatëzënë për ta mbrojtur ‘nderin’ e familjes. ‘Morali i prekur’ i kësaj familje ishte më i fortë se vet jeta e bijës së tij 21-vjeçare. 

Rasti i përshkruar me lartë nuk është rast i izoluar. Raste të ngjashme ndodhin çdo ditë. Janë dhe shumë raste të tjera, të cilat kalojnë në heshtje, nuk raportohen, ose u fshihen organeve përgjegjesë. 

Fatkeqësisht, shoqëria jonë bën pjesë në ato shoqëri ku është normale për burrat që t’i konsiderojnë gratë dhe vajzat e tyre si ‘prone’ të tyre. Për deri sa vajzat u binden baballarëve dhe gratë burrave të tyre, ato janë burim i krenarisë.

Por, nëse ato kundërshtojnë dhe kërkojnë pavarësinë dhe të drejtat e tyre, ato bëhen burim i turpit dhe madje ato të vriten për të mbrojtur ‘nderin’ e familjes. Sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara, rreth 5,000 ‘vrasje për nder’ raportohen çdo vit në gjithë botën.

‘Krimet për nder’ bëhen në shumë pjesë të globit dhe vendet ku ato ndodhin janë po aq të ndryshme. Tendencat që të ndodhin këto krime janë me të medha në shoqëritë patriarkale, pra aty ku ka qëndrime të palëkundura dhe diskriminuese për rolin e grave.  

Lista e grave të vrara, fatkeqësisht sa vjen e rritet. Ky fenomen vrastar nuk fal. Ai ka në shënjester vajza të reja, të tjera të moshuara, të diplomuara apo edhe analfabete, të varfra ose të pasura. Nëna me fëmijë, shtatzëna apo pa fëmijë, janë të gjitha femra dhe vrasësit e tyre janë meshkuj. 

Në të shumten e rasteve ai mashkull nuk është i panjohur për to: janë bashkëshortët e tyre, të fejuarit, të dashurit, baballarët apo vellëzerit. Janë ata që iu marrin jetën grave, shpeshherë në formen më çnjerëzore. 

Vrasja e grave është krim dhe duhet të denohet si i tillë. Të bëjme përpjekjet e duhura, secili prej nesh, që t’i themi stop këtij akti të shemtuar. T’i themi mjaft kësaj çmendurie. 

Autorja është duke ndjekur studimet e Doktoratures në Masaryk University, në Republiken Çeke, në Drejtimin Psikologji Sociale.