Pushteti Përmes Gjuhës

Të gjitha partitë kanë një program politik, të gjitha premtojnë të njëjtën gjë: Kosovën e Re. Por çka po lihet pa u thënë kur po përmenden “Misioni i Ri”, “Drejtimi i Ri”, “Tash-i”, “Kthesa”, etj?

Ndoshta dëshpërimi ku na kanë sjellë të njëjtat, të gjitha së bashku.

Gjuha, manifestimi jonë qoftë i brendshëm a i jashtëm, është sistemi pushtetor më i fuqishëm nga të gjithë që ekzistojnë. Asnjë diktaturë, asnjë robërues dhe asnjë ushtri (qoftë dhe mbret) nuk ka fuqi për nënshtrim më shumë sesa gjuha.

Politikanët tanë vitet e fundit kanë filluar të përdorin në fjalorin e tyre një fjalë të re deri më tani të njohur vetëm në mesin e studiuesve të gjuhësisë, teoricienëve dhe filozofëve, ajo fjalë është diskursi.

Teoritë që e kanë aktualizuar këtë proces në vitet ’60 të shekullit të kaluar, diskursin e kanë parë si gjënë më të rëndësishme në zhvillimin e kulturës së njerëzimit, por politikanët tanë kur e përdorin këtë fjalë mendojnë se është fjalori, fjalët e përdorura ad hoc apo me paramendim që nuk kanë të bëjë asgjë me diskursin.

Për më shumë edhe në fjalorët më të rëndësishëm botërorë diskursi shpjegohet si fjalor, të folur e caktuar, apo temë të foluri, p.sh. diskursi politik.

Michel Foucault (Mishell Fuko) teoricieni, filozofi, historiani dhe psiko-sociologu më i rëndësishëm botëror i kohërave moderne, duke qenë gay, ka qenë i obsesionuar për të zbuluar pse konsiderohet abnormal mu për këtë arsye.

Të qenët nën këtë represion e kishte shtyrë të përkufizojë tërë arkeologjinë e dijes që nga faktet e para të saj e deri në bashkëkohësi. I shtyrë nga ky obsesion ai ka krijuar njërën prej teorive më të rëndësishme dhe më me ndikim në tërë botën bashkëkohore.

Duke filluar prej “Hip Hop-it”, sjelljes “revolucionare” të “Vetëvendosjes”, e deri tek ironia e Partisë së Fortë, të gjitha janë derivate të dala nga teoritë e tij.

Duke hulumtuar tërë dijen e universit, zhvillimet e saj nëpër kohë, ai kishte arritur në një zbulim shumë të rëndësishëm-se mbi veprimin e njerëzimit, ndarë në grupe religjioze, shtetërore, kombëtare etj, apo bashkërisht si një fis i çuditshëm qëndron – arkivi.

Arkivi sipas tij krijon dhe komandon të vepruarit njerëzor. Ai përbëhet nga shtresimi i fjalëve të përsëritura në një masë kohore dhe të një rëndësie që me kalimin e kohës kalojnë në të vërtetë të padiskutueshme. Me një fjalë, të gjitha ato që i mendojmë sot janë masa të menduari dhe të vërtete të një kohe para neve.

Ky arkiv dhe duke qenë se Foucault ka studiuar psikologjinë, ka shumë ngjashmëri me superegon e Freudit – strukturën kolektive të implantuar brenda nesh nga përvoja kulturore dhe ka ngjashmëri me vetëdijen kolektive të Jung-ut, që është njëlloj gjenetike psikike e ardhur në individin prej para lindjes së tij.

Më tutje Foucault-i kishte ardhur në përfundim se diskursi është motori i cili kalon, prej individit jashtë dhe prej jashtësisë në individin, të menduarit e kohës së të jetuarit në tërësinë e tij dhe me këtë është shkallë e parë, apo mekanizmi i krijimit të arkivit.

Diskursi sipas tij krijon realitetin. Por është një gjë shumë interesante, gjithnjë sipas Foucault-it, se diskursi është shumë më shumë ajo që zgjedhet të mos thuhet sesa ajo që thuhet. 

Nëse thellohemi vetëm në sipërfaqen e fjalorit të VV-së, për dëgjuesin çdo gjë është tërësisht e lehtë sepse do ta dijë kush është i korruptuari, kush është mashtruesi dhe kush është heroi. Në këtë diskurs çdo gjë është matematikë e thjeshtë, çdo fjalë e ka vetëm një kuptim.

Por çka rreth premtimit të PDK-së për 200 000 vendet e punës?

Kjo është, sipas teorisë dhembja më e thellë dhe më e pakalueshme e popullit tonë. Edhe Thaçi që e përsërit atë për çdo tubim, edhe analisti që kalkulon për çdo përsëritje të këtij segmenti diskursiv, edhe monitoruesit e edhe votuesit e dinë se kjo nuk është e vërtetë e mundshme.

Populli, i hulumtuar tërë këto vite të lirisë nga jo vetëm PDK-ja, por të gjitha partitë politike, është në gjendje dëshpërimi dhe pamundësie. E tëra që i ka mbetur janë “pallavrat”, sloganet, përsëritja e asaj që në retorikë quhet hiperbolë, për të shënjuar suksesin e PDK-së, për të siguruar premtimin.

PDK-ja e di, duke qenë në pushtet praktik gjatë tërë këtyre viteve se e tëra që ka mbetur është fjala, fjalori, si ilaç. Dhe meqenëse kjo do të ishte shumë e cekët, ajo e përsërit atë, e bën të përçdoditshëm për të krijuar deluzionin, besimin dhe për të elevuar vullnetin e votuesit. Dhe sigurisht kjo përsëritje vjen nga pika më e lartë logjike dhe sistemore e këtij vendi.

Të gjitha partitë kanë për moto të tyre në këto zgjedhje – të renë: “Misioni i ri”, “Tash”, “Drejtimi i ri”, “Kthesa”. Ndalemi te këto dy të fundit, duke qenë se duam të trajtojmë diskursin e partive kryesore të Kosovës dhe jo të gjitha partitë.

“Kthesa” e LDK-së është gjithashtu nocion i së resë, nocion i të pranuarit të aktuales së pashpresë dhe shënjimit të një udhe të re.

Së pari, LDK-ja ka qenë iniciuese e kësaj rruge që ka sjellë deri në këtë gjendje. Së dyti, LDK-ja është e pafuqishme të bëjë kthesën vetë (për këtë janë dëshmi të gjitha flirtet partiake dhe varësia nga BE-ja, etj).

LDK-ja është kontradiktore në diskursin apo fjalorin e saj: në njërën anë thirret në filozofinë rugoviane (e cila nuk ekziston apo së paku nuk mund të dëshmohet) dhe në anën tjetër vazhdimisht e shkëput veten nga zhvillimet në historinë e Kosovës, apo shmang përgjegjësinë, sidomos pas 1999-ës. Apo ndoshta ata nuk e zgjedhin diskursin e tyre, sepse kjo nënkupton përgjegjësinë.

“Drejtimi i Ri” i Ramushit. E them i Ramushit sepse nuk ekziston një segment të menduari i AAK-së përpos të përsëriturit të vlerave të pamohueshme, të liderit të kësaj partie. Qoftë edhe kur thirren në 100 ditëshin e tyre, krejtësisht të parëndësishëm, e vetmja arritje aty është shquarja e liderit të kësaj partie. Por “Drejtim i Ri” do të thotë kundërshtim i këtij 100 ditëshi. Sipas logjikës së paku gjatë atyre 100 ditëve është dashur të krijohet apo të shprehet nevoja për drejtim të ri.

Partia e Fortë, megjithë mosinteresimin tim obsesiv ndaj partive politike në aktualitet, është gjithashtu pjesë e fjalorit politik kosovar. E tërë ajo që thotë kjo parti, megjithëse me humor të padiskutueshëm (vërtetësia e të cilit është një prej shenjave më të dhembshme të të qenët kosovar), është të thënët e një matematike e të kundërtës së partive tjera.

E vetëdijshme për vogëlsinë tonë, vazhdimisht përsërit të njëjtat gjëra. Për pak kohë fjalori i saj do të jetë i parashikueshëm po aq sa ai i partive të tjera.  Ajo lehtë do të mund të kalonte në gazetari duke qenë se i përshtatet shumë më shumë, apo në një show televiziv. Gjëja më e çuditshme në tërë fjalorin e PF-së është se sa herë intervistohet kryetari i saj moderatorët janë aq seriozë sa që e sjellin absurdin që e propagandon kjo parti në një shkallë më të lartë se vetë partia. Është sikur të intervistosh seriozisht karakterin Çarli Çaplin.

A ka diskurs, sipas tërë kësaj?

Po, të gjitha partitë kanë një premtim: se duhet rinisur, se kemi gabuar rëndë, se duhet kthyer, se duhet mision i ri, se duhet drejtim i ri, etj. Por si arritëm këtu? Ndoshta, duke qenë se folëm kaq gjatë për diskursin ky është qëllimi: të mohohet përgjegjësia e të gjithëve, atyre që kanë qenë në pozitë dhe në opozitë. Është ikje nga përgjegjësia. Dhe siç e mundëson politika, në të njëjtën kohë edhe krijim i diskursit të “gatishmërisë” së politikanëve tanë për një Kosovë të  re.

Dhe është matematikore, ajo që përsëritet më së shumti ajo edhe hyn në arkivin që e cek Foucault.

Rinisja. Rifillimi, pa e gjetur fajtorin.