Punësimi i të rinjve në Evropë

BRUKSEL – Kryeministri i ri i Italisë, Matteo Renzi, dëshiron ta zvogëlojë papunësinë në vend duke shkurtuar tatimet në pagë. Për këtë çështje mund të thuhet shumëçka, jo vetëm në Itali por edhe në tërë Evropën, ku tatimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta që paguhen nga punëdhënësit dhe punëmarrësit përbëjnë gjysmën e tatimeve të gjithmbarshme, ndërsa tatimet në kapital përbëjnë vetëm një të pestën e tyre. Por, reforma tatimore do të jetë një përpjekje e gjatë dhe e mundimshme, ndërsa gjithmonë mund të gjenden mënyra më të shpejta për të përfshirë të rinjtë në fuqinë punëtore. 

Para tridhjetë vitesh, unë e trajtova në mënyrë të detajuar papunësinë e cila atëbotë e kishte goditur Evropën në librin tim të quajtur Një botë pa punë (eng. World Out of Work). Kjo krizë tani është kthyer dhe duket se është më e fortë se kurrë. Megjithatë, ekzistojnë tri rrugë të shkurtra të cilat mund të ndiqen për t’i dhënë fund krizës së punësimit në Evropë, por duket se qeveritë evropiane që po shfaqin interes për këtë janë të pakta. 

Shkurtesa e parë është e dukshme: që të stimulohen ndërmarrësit e rinj me garanci bankare më bujare se kurdoherë më parë dhe me lehtësira tatimore për një periudhë të caktuar. E dyta është pak më pak evidente dhe ngërthen miratimin e politikave që ngrisin punësimin e grave duke ofruar kujdes për fëmijë me çmime të ulëta apo edhe fare pa pagesë. Dhe e treta është ideja tërësisht kundërintuitive që të papunësia mes të rinjve të bëhet shumë më e menaxhueshme thjeshtë duke i rikalkuluar statistikat (tingëllon si hipokrizi, e di, por keni durim edhe pak). 

Edhe sa i përket inkurajimit të ngritjes së bizneseve nga persona të ndryshëm, në veçanti tek të rinjtë, qeveritë kanë qasje të gabueshme. Është e vërtetë se ekzistojnë skema të shumta për subvencionimin e kompanive dhe ofrimin e shërbimeve të centralizuara dhe ekspertizës nëpër parqe të posaçme biznesi. Por, pengesa e parë me të cilën ndërmarrësit zakonisht përballen janë bankat. 

Bankave nuk u pëlqen të marrin përsipër rrezik, ndërsa bizneset fillestare janë tejet të rrezikshme. Kultura afariste në Evropë stigmatizon dështimin, gjë që nuk ndodhë në Shtetet e Bashkuara. Biznesmenët amerikanë shpesh ndodhë të kenë pasur një sërë falimentimesh para se të bien në xhekpot, por në Evropë bankat nuk të japin mundësi të dytë; për më tepër, ato janë shumë të kujdesshme kur ta japin edhe mundësinë e parë. 

E këtu duhet të ndërhyjnë qeveritë dhe të garantojnë financimin e kompanive të reja nga bankat. Në Evropën e cila është kapluar nga masat e kursimit, ku bankat vazhdojnë të japin kredi me shumë kujdes dhe përpiqen të rimëkëmbin balancat e gjendjes, përkrahja e nismave ndërmarrëse do të nxiste rritje. 

Shumë prej këtyre nismave do të dështojnë. E çka pastaj? Aktiviteti ekonomik i gjeneruar nga vetë lansimi i tyre do të gjeneronte të hyra tatimore më të larta se sa kostoja të cilën duhet ta mbulojë arka shtetërore. 

Kyçe për përkrahjen e ndërmarrësve nga qeveritë e BE-së është thjeshtësia. Esenca e burokracisë qëndron në kompleksitetin e saj, që përbën barrierën kryesore për bizneset fillestare. Përfitimi nga programet përkrahëse duhet të thjeshtësohet, edhe nëse rregullat e logjikës thonë diçka tjetër. Lehtësia e qasjes është esenciale, siç janë të domosdoshme edhe lirimet nga tatimi për një periudhë disavjeçare (kostoja e së cilave do të kompensohet nga rënia e numrit të falimentimeve). 

Politikanët dhe gazetarët shpesh sugjerojnë që njerëzit konkurrojnë për vende pune, duke implikuar kësisoj që me përfshirjen e më shumë grave në fuqinë punëtore të Evropës do të ketë më pak vende pune për burrat. Kjo natyrisht nuk është e vërtetë: ekonomistët tallen me idenë që disa vende të punës të lihen anash duke e konsideruar atë “një koncept të gabuar në lidhje me tregun e punës.” Sa më shumë njerëz të punojnë aq më shumë aktivitet ekonomik do gjenerohet dhe taksa do paguhen. 

Vlera e kësaj ilustrohet në SHBA, ku analistët e McKinsey supozojnë  se kyçja e një numri më të madh të grave në tregun e punës gjatë viteve të 70ta ka shkaktuar rritje të ekonomisë amerikane për 25%. Në Evropën veriore, në veçanti në Skandinavi, punojnë mbi 70% të grave, ndërsa në gjysmën tjetër të Evropës jugore më pak se gjysma e tyre. Një faktor i rëndësishëm në këtë aspekt është kostoja e lartë e kujdesit parashkollor të fëmijëve, i cili lehtësisht do të mund të adresohej nga qeveritë. 

Tani, ta shfrytëzojmë atë shkurtesën statistikore. Papunësia e përgjithshme mes të rinjve (personave nën moshën 24-vjeçare) është rreth 55% në Greqi dhe Spanjë, afërsisht 40% në Itali dhe 30% në Irlandë, e këto të dhëna janë aq të frikshme sa që dekurajojnë çfarëdo nismash politike. Megjithatë, të njëjtat nuk paraqiten si duhet, ngase të rinjtë vëhen në të njëjtin grup me të moshuarit. Kur numri i personave të papunë të analizohet si proporcion i popullatës së re, norma e papunësisë tek të rinjtë bie në 19% në Spanjë, 13% në Greqi dhe 12% e 8% në Irlandë e Itali. Megjithëse kjo nuk mjafton, këto shifra bëjnë skemat e trajnimit dhe krijimit të vendeve të punës më reale dhe më pak të pashpresa. 

Është mirë që kur trajtohen problemet e papunësisë në Evropë të mbahet në mend se sfida më e theksuar afatgjatë nuk është mungesa e vendeve të punës, por fakti se papunësia shkakton dëmtimin gradual të vitalitetit ekonomik të shteteve të BE-së. Rritja është ngushtë e ndërlidhur me sfidat në tregun e punës. Përderisa Shtetet e Bashkuara janë të bekuara me rritje të popullatës (që to arrijë nga 300 në 400 milionë deri në mesin e këtij shekulli), BE është mallkuar me rënie demografike (që do të bie në 450 milionë deri në mes të këtij shekulli, nga 500 milionë që ka aktualisht). 

Edhe nëse evropianët do të ishin më të hapur ndaj idesë për pranimin e emigrantëve dhe do të pranonin edhe 100 milionë sish deri në vitin 2050, tregu i punës nuk do të rritej, ndërsa plakja e popullatës do ta zvogëlonte proporcionin mes pensionistëve dhe të punësuarve. Sot, ekzistojnë katër të punësuar për çdo pensionist; deri në mes të këtij shekulli, do të ketë vetëm dy të punësuar për çdo pensionist. Nuk ka kohë për të humbur sepse Evropa nuk guxon t’ia lejojë vetes mosshfrytëzimin e shkurtesave drejt punësimit. 

Giles Merritt është redaktor i Europe’s World dhe udhëheqës i organizatave me seli në Bruksel Friends of Europe dhe Security & Defense Agenda.

Të drejtat autoriale i përkasin: Project Syndicate, 2014.
www.project-syndicate.org