Paco de Lucia dhe Flamengoja e Pejës

Është e nevojshme që këtë shkrim ta filloj me një sqarim: të jesh kitarist klasik dhe flamengo kitarist janë dy zanate krejtësisht të ndryshme. Këtë po e them, sepse janë të panumërta rastet kur, pasi u tregoj që jam kitarist klasik, njerëzit më pyesin për Paco de Lucia-n.

Situatat si kjo, përveç që e zbulojnë pozitën e çuditshme që kitara klasike e ka në qindvjeçarin e fundit (për të cilën me shumë frustrim do të mund t’i mbushja disa faqe), kallëzojnë që influenca e Paco-s shtrihet shumë përtej flamengos.

Këto janë gjithsesi edhe atributet kryesore që i vihen atij: bëri flamengon të dëgjohet nëpër botë, krijoi të ashtuquajturën nuevo flamenco duke e “shartuar” me zhanret tjera si jazz, latin jazz fusion, muzikë klasike, etj.

Ka diçka gjysmë-mallëngjyese në këtë përhapjen e Paco de Lucia-s në gjithë rruzullin tokësor, me muzikën e vendlindjes së tij, sepse kjo tregon disa karakteristika paqësore të njerëzimit – interesimin e fascinimin me kulturat tjera dhe huazimin e elementeve nga kulturat tjera, bashkë me ridefinim të “vlerave nacionale”.

(Paco në një udhëtim në Peru hasi në instrumentin perkusiv të quajtur cajón, të cilin menjëherë e përvetësoi dhe bëri që ai tashmë është instrument standard në flamenco). Të gjitha këto kontribuojnë me të drejtë në statusin epiko-legjendar që Paco de Lucia ka arritur gjatë atij gjysmë-shekulli të karrierës së tij.

Sidoqoftë, për mua si kitarist, arritjet globale të spanjollit Paco de Lucia-s janë krejtësisht të parëndësishme në krahasim me ato picado dhe rasgueado të mahnitshme, që i bënte më dorën e djathtë që ishte aq e lirë sa merrte një pozitë vertikale për shkak të gravitetit, e dorën e majtë që i fluturonte si zogu.

Si zog edhe tingellonte kitarja e tij, me tingull të shkurtër, ngacmues, por tejet impozant.

Në rastin e Paco de Lucia-s muzika dhe teknika janë e njëjta gjë. Këtë e vura re qysh herën e parë që e dëgjova në koncert. Sa dhuratë e mrekullueshme ishte kjo nga profesori im Xhevdet Sahatçiu që ma mundësoi atëherë që ta shoh koncertin e Pacos ne Lubjanë.

Koncertin e filloi me një preludim improvizues, me harmoni që nga flamenkistët konsiderohet avangardë, madje në një përshkrim të harmonive të tij pata parë edhe përdorimin e fjalës abstrakte.

Gjithsesi harmoni shumë interesante, sepse përkundër përfshirjes së non-akordeve dhe përdorimeve të tyre në mënyre debussyeske, mbeteshin në milieu-në flamenkor. Mbas disa minutash te një crescendo-je graduale erdhi momenti kur u paraqit një shkallë jashtëzakonisht e shpejtë (picado) që për një moment ma mori frymën.

 Ai moment ndodhi aq shpejt, sa nuk isha në gjendje të kuptoj së çfarë ndodhi. Natyrisht, pasuan shumë të tilla dhe shumë elemente të tjera, për të cilat kam menduar shumë në retrospektivë.

Shkallët dhe rasgueadot e Pacos më kanë fascinuar gjithmonë për nga aspekti teknik, ngase deri në atë moment vetëm ai aspekt më është transmetuar nëpërmjet incizimeve që i dëgjoja, por pikërisht në atë koncert kuptova që si shkallët ashtu edhe rasgueadot e tij pikë së pari përfaqësonin elemente jashtëzakonisht të fuqishme muzikore dhe paraqiteshin në formë të impulseve që vinin pikërisht në momentin e duhur dhe gjithmonë me intensitetin e duhur.

Ai posedonte një ndjesi muzikore, që të kujton shumë përshkrimet romantike të figurës së virtuozit më të madh të shekullit XIX në violinë, Niccolo Paganinit.

Për vlerat e tij nga këndvështrimi i muzikës flamenco, unë nuk mund të flas, sepse konsideroj që nuk jam i kualifikuar që ta komentoj atë kulturë, por do t’u jap një kuriozitet.

Ekziston një fascinim tashmë tradicional me muzikën flamengo në Pejë. Nuk di shumë për historikun e këtij fenomeni për mua jashtëzakonisht të rëndësishëm, por më duket që filloi diku në vitet ‘60.

Sidoqoftë, kitaristët nga Peja si Ehat Musa, Xhevdet Sahatçiu, Luan Sapunxhiu e Nehat Kollqaku kanë shumë më tepër njohuri të flamenco-s sesa unë dhe jam i bindur që do të mund të jepnin komente më të detajizuara për muzikën e Paco de Lucia-s.

Konsideroj se jam me shumë fat që kam trashëguar pak nga ai meraku pejan per flamengon, meqenëse kam studiuar me Luan Sapunxhiun dhe në Zagreb me Xhevdet Sahatçiun, sepse bashkë me entuziazmin me është implantuar një dëshirë e përhershme të një lloj kualiteti të pacenuar kitaristik në interpretimin tim, një gjë që tashmë e konsideroj mjaft të rëndësishme në punën time.

Pikërisht këtu më shërben Paco de Lucia si ideal.

Influenca e tij e përshkoi gjithë botën dhe do të mbetët e tillë përgjithmonë, por ajo që është më e rëndësishmja për mua dhe shumë kitaristë tjerë është që ai i bëri të gjitha ato me kitarë dhe me gishta, nga e njëjta pozitë, pa lëvizje të mëdha të duarve ose të trupit, pa e djegur kitarën në skenë, pa skandale për të tërhequr vëmendjen e publikut.

Ai kishte influencë sepse kishte vlera të pacenueshme muzikore dhe një kapacitet aq të madh kitaristik që e transcendon jo vetëm instrumentin, por edhe vetë muzikën.

Prandaj konsideroj që është në rregull kur më pyesin për Paco de Lucia-n, sepse vepra e tij shkon përtej muzikës flamenco dhe prezanton vlera esenciale të kitarës, në një nivel aq të lartë ku nuk ka më dallim mes flamengos dhe muzikës klasike.

(Autori është kitarist me karrierë ndërkombëtare, interpretues i repertorit të kitarës klasike të shek. XVI-XX, si dhe i autorëve kontemporan. Artikulli është shkruar ekskluzivisht për Gazetën Jeta në Kosovë)