Sqarim i Gazetës Jeta në Kosovë Ndaj Reagimit të Dugollit

Punimet e Dugollit të publikuara në revista që nuk kanë impact factor janë prezantuar ndryshe në raportin e Komisionit Vlerësues. 

Ato janë paraqitur si punime të publikuara në revista me impact factor. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka përmendur punimin e Dugollit që flet për periudhën 1907-1912 të Perandorisë Osmane, të botuar në revistën Fokus që drejtohej nga Rasim Selmanaj i AAK-së, atëkohë një bashkëpartiak i tij. 

Por kjo revistë nuk është pjesë e listës së revistave me Impact Factor (IF) të publikuara në faqen zyrtare të Thomson Reuters Journal Citation. Me IF llogariten revistat, punimet e të cilave janë të cituara nëpër revista shkencore ndërkombëtare. 

Përveç këtij punimi, Dugollit i janë vlerësuar si punime me impact factor edhe  dy punime që janë publikuar në revistën “Diskutime” që e nxjerr një institut i Universitetit të Tiranës.

Vlerësim të tillë kanë marrë edhe shtatë të tjera në revistën “Vjetari” që e nxjerr Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe një në revistën “Scupi” që botohet nga një institut shqiptar me seli në kryeqytetin e Maqedonisë. 

Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka vlerësuar në asnjë rast cilësinë e punimeve, por vetëm ka raportuar për paraqitjen joreale të tyre nga komisioni vlerësues. 

Në artikull pasqyrohet edhe deklarimi i Dugollit lidhur me këtë çështje. Gazeta Jeta në Kosovë mbetet e hapur t’i japë hapësirë Dugollit për të prezantuar anën e tij, nëpërmjet reagimeve e deklarimeve të tij.

Ndërkohë në reagimin e z. Dugolli thuhet se artikulli tenton që të bëjë lidhje të drejtpërdrejtë midis aktivitetit të tij akademik dhe atij politik, duke e cilësuar si joprofesional, të padrejtë dhe të paargumentuar.

Gazeta Jeta në Kosovë e vlerëson të arsyeshme të përmend përfshirjen e Dugollit në politikë dhe mbajtjen e një pozite të lartë –ministrit për Tregti dhe Industri nga radhët e AAK-së dhe kandidimin për deputet në listën e PDK-së në zgjedhjet parlamentare më 2010.

Ai nuk arriti të sigurojë votat e duhura për deputet.

Më pas në  korrik të vitit 2012 është zgjedhur dekan i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës.

Bazuar në reagimin e Dugollit, nuk mund të gjendet së paku një rast kur ai është deklaruar kundër protestave të studentëve që kërkonin dorëheqjen kundër rektorit Gashi. 

Por, më 8 shkurt të këtij viti-ditën kur dha dorëheqje Gashi- në edicionin e lajmeve të televizionit Klan Kosova jepet deklarata e Dugollit ku ai bën krahasime mes protestave të studentëve më 1998 dhe atyre më 2014.

“Ne në organizimet tona në atë kohë nuk kemi lënë të përzihen as partitë politike, apo as ndonjë organizatë që e ka quajtur vetën shoqëri civile, edhe pse shoqëria civile 97-99 ka qenë fenomenale dhe ajo që është sot dallon shumë dhe ne kemi shumë të panjohura se kush janë dhe për çfarë interesash punojnë”, deklaroi Dugolli për televizionin Klan Kosova.

Dugolli vazhdonte tutje duke thënë se është përdorur dhuna nga protestuesit.

“Kur ka mungesë të numrave të protestuesve, atëherë ato po shndërrohen në të dhunshme, sepse po mundohen që kërkesat e tyre në mënyrë të dhunshme t’i shtyjnë për me i zgjedh. Dhe unë mendoj ky është gabimi kryesor”, thoshte Dugolli.