A është Ukraina Jugosllavia e Radhës?

Njëzet e tetë të vrarë-dhe ky është numri përfundimtar? Barrikadat ndajnë qytetin në një shtet që po bëhet i ndarë. Mesazhe të zemëruara fluturojnë ndërmjet Moskës dhe kryeqyteteve perëndimore.

Uashingtoni po ia tërheq vërejtjen qeverisë në Kiev se do të ketë “pasoja” nëse vrasjet vazhdojnë, ndërsa BE-ja po kërcënon me sanksione. Rusia akuzon Perëndimin për ndërhyrje. Për të gjithë që i takojnë gjeneratës sime të mbi të 50-ve e të cilët kanë mbajtur mend Jugosllavinë e dikurshme, janë të qarta dhe shqetësuese paralelet ndërmjet trajektores së ngjarjeve në Kiev dhe nisjes së konfliktit në Jugosllavi.

Secili person i informuar mirë di diçka për periudhën e mesme dhe më të vonshme të luftërave jugosllave: rënien e Vukovarit, kampet në Bosnjë dhe masakrën e Srebrenicës. Vetëm disa mbajnë mend nisjen e konfliktit. Në pranverën e vitit 1991, pas vrasjes së disa policëve të rinj në Borovo, në lindje të Kroacisë, po sillesha rrugëve të Zagrebit duke i pyetur njerëzit se çfarë do të ndodhë tash. I kërkova një kolegeje kroate, Vesna Kesiqit, të m’i gjejë emrat e atyre që ishin vrarë. Kesiq u bind, duke dyshuar dukshëm në qëllimin e kësaj kërkese. “Së shpejti nuk do të jesh në gjendje t’i numërosh emrat e të vdekurve”, tha ajo me mërzi. 

U tmerrova. Si shumica e atyre që vinin nga jashtë, isha i bindur se luftërat në Evropë kishin përfunduar mirë më 1945 dhe se Kombet e Bashkuara, Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara ose vetë jugosllavët do të gjenin një rrugë për ta deeskaluar situatën. Siç e dimë, asgjë e tillë nuk ndodhi. Dhuna pati një momentum të vetin dhe në fund të vitit 1991, kur numri i të vrarëve kishte shkuar në mijëra, fjalët e Kesiqit tingëllonin profetike.

Historia natyrisht se nuk e përsërit veten dhe shpresoj se Ukraina nuk do të bie në të njëjtën humnerë të tmerrshme si Jugosllavia. Ngjashmëritë ekzistojnë, sikurse që ekzistojnë dallime të rëndësishme. Jugosllavia ishte një federatë, e jo një shtet i unifikuar dhe kroatët e shqiptarët në veçanti kishin një sens të zhvilluar mirë rreth identitit të tyre kombëtar dhe historik, qysh para krijimit të Jugosllavisë. Luftërat e përgjakshme civile që tërbuan Jugosllavinë gjatë Luftës së Dytë Botërore krijuan gjithashtu një hije të gjerë.

Asgjë nga këto nuk vlen për Ukrainën, e cila vuajti kolektivisht në duart e Stalinit në vitet ‘30 dhe ku pothuajse të gjithë-rusët etnikë, tatarët dhe minoritetet e tjera, ndihen deri diku ukrainas. Sidoqoftë, edhe nëse identitetet etnike dhe fetare janë më fluide dhe më pak të polarizuara, sesa ato në Jugosllavi, është e pranishme një ndarje në mes të lindjes dhe perëndimit. Ajo që është po ashtu shqetësuese është mënyra se si Rusia dhe Evropa po kapen për Ukrainën si të ishte një lloj gare; sikur është e garantuar se fituesi i çmimit do ta ketë të drejtën ekskluzive të pronësisë mbi të.

Duke marrë parasysh personalitetin hibrid të Ukrainës me ukrain-folës në perëndim dhe atyre që flasin rusishten në lindje, katolikët, uniatët dhe ortodoksët ukrainas në perëndim, ortodoksët rusë në lindje, evropianët u treguan të pamençur, madje edhe në përpjekjet për ta trajtuar Ukrainën si shtet që do të ishte në pozitë për ta marrë një vendim të qëndrueshëm për një të ardhme në “Perëndim” apo në “Lindje”. Kjo është sikur ta pyesje edhe dikë që vuan nga skizofrenia se cilin nga personalitetet e shumta dëshiron ta mbajë përgjithmonë.

Duket e shkujdesshme se BE-ja nuk po konsultohet më afër me Rusinë mbi traktatin e propozuar që ka gjeneruar këtë hidhërim dhe akuzat e ndërsjella. Që nga fillimi ishte e qartë se Rusia e shihte marrëveshjen e propozuar, më shumë se sa si një marrëveshje ekonomike; Kremlini e vlerësonte si mjet për ta shkulur Ukrainën jashtë orbitës së Rusisë, duke e tërhequr atë në kampin perëndimor.

Ajo që Rusia ndoshta mendon, ose druan nuk mund të jetë aq e rëndësishme po të mos kishte ndodhur kjo në Poloni dhe Letoni-një shtet tjëtër që për shkak të gjurmëve të ngjarjeve historike ndodhi të mbetet i rrethuar nga Rusia, duke shpresuar se mund të ikë sa më shpejt nga ai rreth. Por, në Ukrainë jetojnë disa miliona rusë dhe miliona ukrainas që e shikojnë botën përmes syzeve të njëjta me ato të rusëve.

Në këtë vit të përvjetoreve ogurzeza, në duhet të kujtojmë se në verën e para njëqind vjetëve, Rusia, e bindur për statusin e saj si fuqi botërore dhe e rrezikuar nga kërcënimi i Austrisë ndaj Serbisë, mori hapin e mobilizimit. Rusia as që e kishte Serbinë në kufi. Sa janë gjasat që Rusia thjesht të shembet për shkak të Ukrainës, me të cilën jo vetëm se e ka një kufi të gjatë, por të cilën shumë rusë e shohin si vendlindje të shtetit të parë rus? Ukraina është çështje më jetike për Rusinë sesa ka qenë Serbia ndonjëherë. Megjithatë, vahzdon të ekzistojë një pretendim në Perëndim se Rusia nuk ka dhe nuk duhet të ketë çfarëdo roli në zgjidhjen e kësaj krize. Sot, një grup i diplomatëve evropianë duke përfshirë edhe Mirosllav Lajçak-un, janë nisur prapë për në Kiev për bisedime me politikanët e atjeshëm. A nuk po shkon askush në Rusi?

Ndoshta Ukraina mund të tërhiqet nga pragu, madje edhe tash, madje edhe kur diku 28 njerëz janë të vdekur. Por, ky është një numër frikësues. Një nga mësimet e shumta të konfliktit jugosllav është se kur shtetet nisin të shthurren, është e vështirë t’i ndalësh.