Ilustrim

Shteti që Jeton në Kurrizin e të Varfërve

Vitin e kaluar Banka Botërore rikonfirmoi për të disatën herë atë që i gjithë populli i Kosovës e di: që ata jetojnë në varfëri të madhe. Kosova, vendi më i varfër në Evropë, në raport u tregua ta ketë 29.7% të popullsisë në varfëri (e definuar si të ardhura më të vogla se 1.50 euro në ditë) kurse rreth 10% e saj është e zhytur në varfëri ekstreme (e definuar si të ardhura më të vogla se 1.12 euro në ditë). Përderisa bota ka zvogëluar për rreth 80% varfërinë ekstreme prej vitit 1970 (kur ishte 26.8%) deri në vitin 2006 (kur u ul në vetëm 5.4%), Kosova vazhdon të stagnojë.

Në të njëjtën kohë, barrët fiskale dhe shpenzimet që rrjedhin nga to, nuk janë të vogla. Vetëm ditë më parë u publikua lajmi që negociatat me Serbinë, me rezultatet e të cilave janë të kënaqur vetëm Serbia dhe delegacioni kosovar, u kanë kushtuar taksapaguesve të Kosovës 780 mijë euro vetëm për vitin 2013, ose rreth 65,000 euro për negociator. Aspak më e lirë nuk është treguar as diplomacia kosovare, e cila përkundër dështimit për ta përmirësuar imazhin e Kosovës jashtë vendit, ka një etiketë me çmim 15 milionë euro. Edhe Kuvendi i Kosovës është shpenzues i papërmbajtur, pasi vetëm për 9 muajt e vitit 2013 ka shpenzuar 2.5 milionë euro, ose rreth 20 mijë e 834 euro për deputet. Jam i bindur se po të kishin mundësi të zgjidhnin, taksapaguesit kosovarë do gjenin mënyra tjera shumë më të mira për t’i shpenzuar këto para. Shpenzimet nuk ndalen as në nivel lokal, përkundër mundësive më të vogla të financimit. Komuna e Prishtinës dha 62 mijë euro për ta dekoruar qytetin për festën e Vitit të Ri, kurse i ka me mijëra qytetarë në asistencë sociale. Natyrisht, këto shifra duhet të vihen në perspektivë, por megjithatë janë shuma të mëdha për një vend të vogël, të varfër, dhe me papunësi të madhe.

Nëse bëhet një analizë e të hyrave shihet që për këto shpenzime duhet të paguajnë edhe shtresat më të varfra të shoqërisë. Pak më shumë se gjysma e të hyrave të buxhetit të Kosovës vilen nga doganat, të cilat me përjashtim të mallrave të CEFTA-s vendosin tarifa doganore prej 26 për qind. Edhe pse këto tarifa paguhen drejtpërdrejt nga importuesit, megjithatë pagues të dorës së dytë janë të gjithë konsumatorët e Kosovës të cilët paguajnë çmime pothuajse 30 për qind më të shtrenjta, si rezultat i këtyre politikave. Edhe akcizat nuk janë të vogla, madje nganjëherë 300 për qind në materiale si qeset plastike, duke kontribuar tutje në shtrenjtimin e çmimeve në dëm të shtresës së varfër të konsumatorëve.

Për brenda territorit, TVSh-ja prej 16 përqindësh është më e lartë se sa në vendet tjera të botës që kanë standard dukshëm më të lartë, e për të cilat është shumë më e përballueshme (p.sh. Zvicra, Lihtenshtajni, Luksemburgu, Japonia, etj.). Në Kosovë nga TVSh-ja nuk janë të liruara as produktet esenciale si ushqimi, kurse atë e paguajnë prapë në mënyrë uniforme të gjitha shtresat e popullsisë, pa marrë parasysh të ardhurat e tyre.

Tatimi në të ardhurat e korporatave me qarkullim vjetor mbi 50 mijë euro është 10 për qind. Shkenca e ekonomisë tregon që kostot e këtij tatimi barten edhe te punëtorët në formë të pagave më të ulëta. Një tatim i tillë vepron edhe në mënyrë të tërthortë, pasi dekurajon krijimin e korporatave si dhe i zvogëlon mundësitë për punësim. Kjo do të thotë që edhe kur janë cak bizneset e mëdha e të pasura, të varfrit prapë i bartin pasojat negative, për shkak se ekonomia është e ndërlidhur.

Tatimi në të hyra personale është progresiv, por as ky progresivitet nuk i lë të varfrit pa u tatuar, sepse fillon nga shuma 80 euro, e duke ditur qe paga mesatare është 360 euro (sipas MTI-së), nënkupton që së paku një pjesë e të varfërve e kalojnë pragun. Edhe ata që nuk e kalojnë, janë të detyruar të kursejnë në mënyrë arbitrare 5 për qind të pagës për pensionim, edhe pse ndoshta ato të ardhura për momentin do t’ju duheshin më shumë, sesa pasi t’i bëjnë 65 vjet. Kjo barrë e rëndë zbutet vetëm nga informaliteti, i cili nuk është ideal, por i cili në kushtet aktuale paraqet rrugëdalje të mirëseardhur.

Konkluzioni i kësaj analize nuk është që të pasurit të paguajnë më shumë e të varfrit më pak, por që shpenzimet qeveritare dhe rrjedhimisht barra fiskale të zvogëlohet për të gjithë. Sektori publik në Kosove është i madh, kurse rritja ekonomike dhe përmirësimi i standardit të jetesës mund të vijnë vetëm nga sektori privat, i cili është më dinamik e konkurrent, ofron punësim të qëndrueshëm dhe i prodhon produktet dhe shërbimet konform kërkesave të konsumatorëve.