Dinjiteti Intelektual Këtu Ka Kohë Që Është Vënë në Dyshim

– E kam të njohur faktin se Akademia, strukturat udhëheqëse të saj, nuk dëshirojnë të quhen të implikuar në këtë çështje. Nuk më duket e nevojshme t’i shpjegoj arsyet përse ndodh kjo. Prandaj, me këtë rast unë nuk mund të sjell para jush mendimet ose qëndrimet e Akademisë, sepse ajo nuk ka mbajtur qëndrim, por unë mund të jap mendimin tim, i cili shkon në mbështetje të fuqishme të kundërshtimeve ndaj këtij procesi të imponuar, madje fyes dhe poshtërues për shkencën tonë të historisë, për vetëdijen tonë historike, për inteligjencien tonë, për të gjitha. Korrigjimet që kërkohet të bëhen në librat e historisë nuk janë jashtësore dhe nuk janë “detaje të parëndësishme”, por cenojnë rëndë substancën e vetëdijes tonë historike. E dini çfarë do të thotë kjo? Nëse ndërron qëndrim ndaj rolit të Perandorisë Otomane si pushtuese dhe si shkaktare e tragjedisë tonë kombëtare, atëherë duhet të ndryshosh edhe perceptimet tona për pjesën më të madhe dhe më të rëndësishme të trashëgimisë sonë, siç është Rilindja Kombëtare. Dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë, në asnjë mënyrë, sepse do të dalim qesharakë kundrejt fëmijëve tanë, kundrejt vetvetes, kundrejt botës.

“Korrigjimet që kërkohet të bëhen në librat e historisë nuk janë jashtësore dhe nuk janë “detaje të parëndësishme”, por cenojnë rëndë substancën e vetëdijes tonë historike. Mehmet Kraja 

-Natyrisht që procesi i filluar për të korrigjuar “detaje” nga historia jonë, pra nga tekstet dhe nga materia mësimore është tërësisht politik dhe lidhet me rolin që ka dhe që dëshiron të ketë Turqia e sotme në Ballkan. Kjo është Turqia sipas ideve politike të Dautogllusë, ministrit të jashtëm, i cili që një kohë i imponon ato jo me argumente historike, por me argumente të pastra politike: duke qenë investitori kryesor në tre shtete të dështuara të Ballkanit, në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, ai këtyre shteteve synon t’ua imponojë jo vetëm historinë, perceptimin e saj, por edhe idenë për një perandori të re osmane, e cila do të shtrihej nga Azarbajxhani deri në Bosnje. Por, fundja, kjo është çështje e Dautogllusë dhe e ideve të tij të përhanta. Problemi qëndron në faktin se si këto ide të Dautogllusë zënë vend në hapësirën tonë, pra nuk janë vetëm të imponuara nga fuqia ekonomike e Turqisë, por kanë edhe mbështetës jo të paktë në disa qarqe, qofshin ato intelektuale apo gjysmë intelektuale dhe gjysmë fetare. Dy janë postulatet themelore, mbi të cilat mbështeten përkrahësit tanë të Dautogllusë: e para, se shqiptarët mund të fuqizohen në Ballkan, pra mund të bashkohen në një shtet të vetëm nën ombrellën e një perandorie të madhe, në këtë rast jo osmane por turke; dhe, e dyta, ideja që do t’i bënte monolitë shqiptarët në këtë rsat do të ishte myslimanizmi i moderuar i Turqisë së Erdoganit dhe Dautogllusë.

“Natyrisht që procesi i filluar për të korrigjuar “detaje” nga historia jonë, pra nga tekstet dhe nga materia mësimore është tërësisht politik dhe lidhet me rolin që ka dhe që dëshiron të ketë Turqia e sotme në Ballkan. Mehmet Kraja

-Rreth ndryshimeve në tekstet e historisë, opinioni duhet të jetë i njoftuar edhe me një gjë, sepse mbase ka harruar se në vitin 2003, pra saktësisht dhjetë vjet më parë, një komision i caktuar po nga Ministria e Arsimit dhe i financuar nga Këshilli i Europës, ka bërë korrigjime të disa teksteve të historisë, nga të cilat është kërkuar të hiqet pushtuesi serb. Pra, një gjë edhe më e shëmtuar nga kjo që bëhet sot. Sa për dijeni, disa nga ata historianë që i nënshkruan ndryshimet atëhershme në tekstet e historisë, tani dalin në medie dhe shesin patriotizëm dhe dokrra të tjera. Vetëm dua të shtoj se dinjiteti intelektual këtu ka kohë që është vënë në dyshim.