Politikanët Nuk Janë Mbi Ligjin

Kohëve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka sjell në pah këtë citat pas zbulimit se djemtë e Grabovcit ishin arrestuar më 14 shkurt me dyshimet për sulm ndaj një polici.

Gjersa motivi i Vetëvendosjes duket të jetë jo më shumë se turpërimi i një armiku politik, rasti i djemve të Grabovcit është me të vërtetë shqetësues. 

Vetë rasti i incidentit nuk është aq i veçantë. Një raport nga zyra e prokurorit të shtetit tha se Guxim Grabovci ishte duke vozitur me shpejtësi të madhe në afërsi të Fushë-Kosovës dhe s’ka ndaluar në një pikë kontrolli të policisë. Policia e kishte ndjekur dhe kishte ndaluar BMW në një pikë të derivateve.

Raporti kishte theksuar se Guximi nuk kishte patentë-shoferin me vete, kishte thirrur vëllain e tij, Ngadhënjimin, duke i kërkuar atij që t’ia sjellë atë. 

Kur kishte arritur Ngadhënjimi, thotë raporti, ai sulmoi një polic. Policët kishin përdorur gazin lotsjellës për t’i ndarë ata dhe i arrestoi të dy vëllezërit. Polici i sulmuar duhej të shkonte në spital për trajtim të lëndimeve të tij. 

Deri në këtë pikë, tregimi është një prej rasteve tipike për sulm ndaj policëve. Por zinxhiri vijues i ngjarjeve është më shqetësues. 

Djemtë e Grabovcit ishin liruar për disa orë. Prokurorja e shtetit kujdestare e asaj nate, Merrushe Llugiqi, kishte urdhëruar lirimin e tyre dhe sulmin ndaj policit e kishte kualifikuar si kundërvajtje, e jo si vepër penale, duke cituar mungesë të dëshmive.

Pamjet nga kamerat e vëzhgimit nga pika e derivateve të naftës, të cilat kishin regjistruar incidentin, në mënyrë misterioze ishin zhdukur gjatë natës. 

Llugiqi po ashtu raportonte se polici i sulmuar nuk kishte dhënë informata të mjaftueshme në deklaratën e tij për të siguruar akuza më serioze. 

Ky trajtim i një rasti që përfshin një sulm të një polici është shumë i parregullt. Ligji zakonisht kërkon më shumë rigorozitet kur policia sulmohet.  

Duke iu falënderuar të së përditshmes Zëri, publiku kishte mësuar për incidentin dhe prokurori i shtetit ka ri-hapur rastin dhe është duke ndjekur akuzat penale. 

Adem Grabovci nuk mund të mbahet përgjegjës për sjellje të keqe të djemve të tij të rritur. Së fundmi, i pyetur për rastin nga një gazetare e KTV-së, ai tha se rasti është në duart e policisë dhe gjyqësorit, dhe se djemtë e tij nuk janë mbi ligjin. 

Por sekuenca e ngjarjeve ende ngre pyetje nëse lidhjet familjare kanë luajtur rol në përpjekjen për të mbuluar gabimet e aferës. Trajtimi i rastit zgjon kureshtje dhe kërkon hetime më të thella.

Kjo kujton një tjetër incident që përfshin familjen Grabovci. Majin e kaluar, gruaja e Grabovcit ishte qëlluar me armë në banesën familjare. Në atë kohë, Grabovci tha se ajo aksidentalisht kishte qëlluar veten në bark kur ajo mundohej të hiqte pistoletën nga nipi i tyre i ri – një dhuratë/ kujtim nga vëllai i Adem Grabovcit, një ish ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kur policia kishte konfiskuar armën, doli se nuk ishte e regjistruar dhe kështu ishte joligjore. Sidoqoftë, prokurorët nuk kanë nxjerrë ndonjë aktakuzë për këtë rast. 

Tani,  proceset ligjore duhet të merren me dy rastet. Dhe kjo është një gjë e mirë. Por ngritet edhe një pyetje tjetër: Sa raste të tjera të këtilla janë fshehur nën qilim? 

Ky editorial është publikuar në edicionin e fundit të gazetës simotër “Prishtina Insight”, botuar të premten më 1 mars.