Identiteti i Vonuar Shqiptar

Në kontekstin linguistik, identiteti nënkupton përfshirjen e karakteristikave themelore të përkatësisë së një bashkësie, profesioni, grupi politik, gjinor, race, profesioni, kulture, nacioni etj. Ai u shërben njerëzve të orientohen në organizimet shoqërore, politike dhe kulturore. Ndikohet edhe nga dinamika individuale, mbasi zhvillohet edhe nga aksioni e interaksioni individual, krahas atij kolektiv. Nocioni identitet është me prejardhje latine dhe do të thotë përsëritje e të njëjtës. Si në kuptimin matematikor A=A ose 1=1.

Identiteti nuk është kategori statike. Gjuha, tradita, kultura dhe përkatësia nacionale, janë disa nga elementët që i merr njeriu dhe i shndërron në konstanta të identitetit personal. Prandaj edhe këto konstanta sado të ngurta të jenë, mund të ndryshojnë krahas ndryshimit dhe zhvillimit kulturor, shoqëror dhe civilizues. Shkatërrohen mikro-identitete apo edhe identitete të vjetra si dhe ndodhë që ato të transformohen. Krijohen identitete të reja edhe brenda një njeriu, personi, individiumi, dhe ndërthuren shumë mikroidentitete.

Procesi i socializimit, hyrja në grupe të caktuara, kërkon edhe ndërtimin e vlerave të reja identitare. Kur ne e shtrojmë pyetjen mbi pozitën tonë në shoqëri, e shtrojmë në fakt, pyetjen se cili është identiteti ynë? Sa është i theksuar dhe sa është i respektueshëm, është i dallueshëm apo nuk është i dallueshëm.

Krijohen identitete të reja edhe brenda një njeriu, personi, individiumi, dhe ndërthuren shumë mikroidentitete. 

Identitetet kombëtare europiane u krijuan nga mikroidentitetet e popujve, nga diversitetet,  nga pluralitetet socio-kulturore dhe historike dhe kështu ndodhi edhe me identitetin e vonuar kombëtar të shqiptarëve.

Identiteti shqiptar paraqet tërësinë e pjesëve. Ky pluralitet, ky diversitet, jo njëherë, i parë ngushtë dhe njëanshëm, është apostrofuar si fragmentaritet i përjashtimeve. Përjashtimet stimuluan sistematikisht makrodualizëm miltantësh: Patriotë-tradhtarë; vrasës-çlirimtarë;  bandë-ushtri; trima-frikacakë.

Po, ndërsa në shek. XVIII fenomeni komb, komb-shtet dhe nacionalizëm mbërrijnë në qendër të vëmendjes, pra si fenomen i popujve europianë, me procese intensive integruese të brendshme, kjo nuk ndodhi me shqiptarët që ishin edhe vetë të vonuar në këndelljen socio-kulturore dhe politike.

Kombet u formuan gjatë dhe pas Revolucionit Francez (1789) dhe për këtë periudhë, arsyet kryesore ndikuese që përmenden janë: industrializimi, i cili nxit zhvillimin shoqëror dhe arsimimi (iluminizmi). Të dy sistemet mungonin pothuajse plotësisht në këtë periudhë ndër shqiptarë, në atdheun e tyre. Ata nisin iluminizmin nga diaspora, në qendrat e mëdha Europiane dhe Afrikane, ndërsa perspektivën ekonomike e kërkojnë jashtë kufijve të atdheut të tyre duke ndjekur rrugët e largimit sa nga Lindja aq edhe nga Perëndimi.

 Mehdi Frashëri, kur e trajton temën e robërisë, konkludon me të drejtë: E tërë kjo robëri e hapi një gropë të gjerë dhe të thellë midis shqiptarëve dhe qytetërimit europian.

Shkak për vonesë është okupimi shumë i gjatë, por duke njohur realitetet historike  veçmas në shek. XIX, nuk do injoruar fakti se  kishte një ndeshje të vazhdueshme konvencash frenuese, dhe në këtë ndeshje, mikroidentitetet shqiptare  dominuan makroidentitetin shqiptar.

Prandaj, edhe nuk kishte agjens unik ndikues  dhe dominues- qoftë ushatarak,  politik, fetar, kulturor, për integrimin nacional, për të nxitur bashkimin e ideologjive të ndryshme sociale dhe për të konstituar vlerat kombëtare brendanjë konstrukti të projektuar  shqiptar.

Kombi shqiptar si institucion, andaj është paraqitur më vonë se në vendet tjera europiane, sikur edhe vetëdija për shtet nacional, për arsye të okupimit të gjatë dhe vështirësive që e kanë përcjell atë në procesin e realizimit të lirisë. Por, konstituimi ka ngecur jo vetëm në shek. XIX po edhe në shek. XX.

Shqiptarët nuk mbërrijnë të bëhen, së paku shumica, komb shtetëror, mbi parimin e shtetit-komb që ishte model i përhapur në Europë  dhe u dëshmua si nxitës i emancipimit, integrimit dhe zhvillimit.

Në Shqipërinë e paspavarësisë, bëhet fjalë vetëm për gjysmën e shqiptarëve; sistemi politik dhe qeverisja nuk ofroi organizimin e shoqërisë bazuar në modelin e plotë legal, funksionalitetin e shoqërive moderne, i cili respekton pluralitetin, lirinë dhe vendosjen e veprimin e ligjit me detyrime dhe privilegje të barabarta për të gjithë qytetarët.

Kjo ishte një pengesë për stabilizimin e identitetit kombëtar, të vlerave të tij themelore, të cilat vazhduan dhe vazhdojnë, madje të kontestohen edhe sot e kësaj dite (gjuha, historia, figurat emblematike…).

Pse kombi shqiptar ende është në një proces konstituimi, ka arsye kulturore, sociale, politike, ekonomike etj.

Mitizimi i figurave në komunikime formale dhe epizmi janë edhe tani ndjenjë e shprehur.

Kur kanë trajtuar arsyen e vonesës së paraqitjes së identietit kombëtar shqiptar, studiuesit nacionalë, kryesisht kanë gjetur fakte jashtë konstitucionit shqiptar. Fare pak, arsyet janë kërkuar brenda konstitucionit. Prandaj, ende mbetet një nga përgjegjësitë, nga brenda, dhënia e përgjigjeve lidhur me pesë marrëdhëniet, bazuar në konceptin kritik të sociologut Uodord: Cili është qëndrimi ndaj vetes, qëndrimi ndaj të tjerëve, qëndrimi ndaj botës, qëndrimi ndaj natyrës dhe së fundmi, qëndrimi ndaj Zotit (Woodward, Kath).

Ndër faktorët dhe proceset kryesore që ndikuan në vonesat dhe ngecjet e funksionalizimit të identitetit modern shqiptar, mund të radhiten:

 – Okupimi i gjatë dhe pastaj Pavarësia e brishtë e Shqipërisë nuk krijoi ndikim funksional për konstituimin e identitetit nacional-shtetëror as brenda dhe as jashtë. Mehdi Frashëri, kur e trajton temën e robërisë, konkludon me të drejtë: E tërë kjo robëri e hapi një gropë të gjerë dhe të thellë midis shqiptarëve dhe qytetërimit europian.

– Shqipëria nuk u bë shtetërore në pjesën e saj më luftarake (shek XIX dhe fillimi i shek, XX), në Kosovë. U bë në pjesën më të arsimuar, por më pak nacionaliste. Mikroidentitetet (rajonale, ideologjike,fetare etj) shërbyen si pretekst për të penguar, kundërshtuar dhe luftuar makroidentetitin shqiptar.

– Pas Pavarësisë, një mori politikanësh dhe intelektualësh shqiptarë me influencë në Shqipëri nuk përfillin institucionet legjitime, hapën dhe u kontribuan konflikteve ideologjike jo për forcimin e kombit, por për marrjen e pushtetit; zhgënjehet synimi romantik në fillet e krijimit të kombi që e kishte proklamuar Sami Frashëri: Bashkimi bën të mundura sendet e pamundshme, kurse grindja bën të pamundura sendet e mundshme.

Zotërimi i ceremoniialitetit në sferen publike…Baballarë të kombit në shekullin XX dhe XXI!?

– Mbetja nën okupim të gjysmës së shqiptarëve (pa pasur të drejtë të shprehin identitetin e tyre arsimor, kulturor, historik, nacional etj.) privoi shqiptarët nga zhvillimi i natyrshëm socio-ekonomik; rriti paragjykimet dhe frustrimet jo vetëm ndaj Europës dhe fqinjëve, por edhe brenda vetvetes.

– Formë dominuese e ruajtjes së atributeve nacionale, nën pushtimin serb e jugosllav, qenë solidariteti mekanik, memorja historike, simbolet, ceremonitë dhe mitet. Mitizimi i figurave në komunikime formale dhe epizmi janë edhe tani ndjenjë e shprehur.

– Vonesa e pajustifikueshme e industrializimit të vendit dhe kombit që, megjithatë, i përkiste Europës. Shqiptarët ishin pak të përfshirë në dinamikën e zhvillimeve industriale krahasuar me kombet tjera europiane, madje edhe ballkanike; pa projekte reale, mungesa e  industrializimit dhe urbanizimit përjashtoi shqiptarët nga tregu dhe konkurrenca, vobekësoi shtresimet sociale (nuk krijoi shtresën e mesme, burokracinë, intelegjencinë koherente etj.), nuk krijoi individë të fuqishëm, dhe as kolektivitet të fuqishëm.

 – Shkatërrimi i familjes si kooperativë prodhuese për shkak të marrjes së pronave tokës dhe pyjeve (në Shqipëri dhe në Kosovë); shpronësimi i pjesës dërrmuese të popullsisë, mbasi edhe në Kosovë edhe në Shqipëri mbi 60 për qind e popullsisë ishte rurale; në Kosovë toka u mor përmes reformave agrare për t’iu dhënë kolonistëve serbë, në Shqipëri u bë shpronësimi i plotë i fshatarëve përmes kooperativizimit socialist.

– Largimi i vazhdueshëm i shqiptarëve jashtë, veçmas elita politike, ekonomike dhe intelektuale.

– Sistemit totalitar në të cilat jetuan shqiptarët, me primesa introgjente, ndërsa në Kosovë bëri dëme përmes shpërnguljes së dhunshme dhe vrasjeve për të zhbërë qenien fizike, në Shqipëri  reduktoi sovranitetin nacional për të forcuar sovranitetin ideologjik-klasor; internacionalizimin proletar në vend të patriotizmit dhe qytetarisë;

– Identiteti dhe revulucionariteti ideologjik dhe klasor zëvendësoi identetin personal dhe kombëtar (Shqipëri). Autoriteti i degraduar nacional u zëvendësua me autortietin e glorifikuar politik.

Identiteti shqiptar, është duke ndryshuar, po konstituohet duke marrë nga diversitetet identitare

– Konfliti verbal, politik dhe diplomatik, me gjithë botën demokratike, me SHBA dhe Europën; konflikti i Shqipërisë komuniste me të Drjetën Ndërkombëtare (mospranimi i Kartës së Helsinkit).

 – Heqja e së drejtës së besimit si në asnjë vend, shpallja e shtetit të parë ateist në botë dëmtoi vlerat morale dhe etike të shqiptarëve.

– Mungesa e artikulimit të lirë të identitetit qytetar, nuk u lejuan organizimet e lira dhe veprimi civil nga regjimi komunist.

– Qytetarët u keqpërdoren nga pushtetet, iu mohua e drejta dhe iniciativa individuale dhe kolektive, burime këto thelbësore të zhvillimit socio-ekonomik dhe politik të shoqërive të lira.

– Mbajtja e normave dhe zakoneve rigjide tradicionale si krenari popullore familja, fisi, kthimi në elementë të trashëgimisë, kanuni, interpretimi romantik, folklorik i grupeve sociale; nepotizmi, rajonalizmimi, edhe sot e kësaj dite imponojnë probleme në institucionet, madje edhe akademike, politike, të gjyqësorit dhe të medies.

– Konzervimi rural; mungesa e lëvizjes së lirë.

– Pseudopatriotizmi dhe folk-romantizimi, personalizmi i historisë dhe depersonalizimi i qytetarit, shpërndrrimi i vlerave dhe simboleve identitare: zotërimi i ceremoniialitetit në sferen publike. Baballarë të kombit në shekullin XX dhe XXI!?

– Arroganca dhe jotoleranca pseudointelektuale dhe mosvlerësimi i ideve racionale e kritike, favorizimi i modelit komunikues epik dhe të monologut.

– Procesi i globalizimi në fund të shek. XX, edhe te shqiptarët redukton disa elementë të sovranitetit shtetëror-nacional dhe po kështu edhe të kulturës nacionale; nën ndikimin e globalizimit në vendet perëndimore ndodh rikthimi i traditës në institucione dhe jetën e përditshme, ndërsa në botën tradiconale po ndodh detradicinalizmi (Gidens); një frymë kosmopolite; ndër shqitparë më shumë kemi të bëjmë me humbjen e ndjenjes së kontinuitetit (Montserrat).

– Veprimi i grupeve radikale neoideologjike të majta (dhuna për të ndikuar në vendime politike), të grupeve mafioze (kontrolli i tregut, pronave dhe për të ndikuar në zgjedhje), pastaj atyre radikale religjioze (dënimet në Gjermani dhe SHBA) etj. Ndikojnë në percepsionin e opinionit negativ ndërkombëtar, krijojnë paragjykime dhe stereotipe, dëmtojnë identitetin qytetërues të shqiptarëve.

– Rritja e konkurrencës johumane për shkak të ndryshimeve të sistemeve; privatizimi joproduktiv dhe fitimet e mëdha të individëve dhe të grupeve të interesit duke shkelur ligjin.

– Teknodigjitalizimi i jetës dhe i shërbimeve pa arsimimin e duhur komunikues; dobësimi i lidhjeve kulturore dhe emocionale ndërmjet grupeve sociale dhe profesionale.

– Kultura masive e dominuar nga turbo-folku dhe kiçi etj.

Pa mëdyshje se ka edhe plot çështje, të cilat ndikuan në vonesën e shqiptarëve për të marrë vendin e duhur në bashkësinë e kombeve të qytetëruara.

E vërteta, problemet e shkoqitura më lart, ishin të pranishme edhe në mesin e disa kombeve europiane, por në formë dhe përmbajtje më të zbehtë.

Identiteti shqiptar, është duke ndryshuar, po konstituohet duke marrë nga diversitetet identitare; është duke u transformuar, është në proces dinamik, duke u ngritur, dhe kjo do të përcillet edhe me pluralizëm, fragmentarizëm dhe individualizëm.

Afirmimi i pluralizmit dhe heterogjenitetit e kompleton identitetin modern posaçërisht tash kur kombi shqiptar po bëhet pjesë e një bashkësie të madhe kombesh megjithëse në disa shtete, por si komb unik kulturor dhe politik. Vlerat dhe idealet politike janë të një përmbajtje të përbashkët kombëtare.

Ibrahim Berisha është ligjërues i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.