Jam Ende Krenar për 5 Tetorin

Këtë 5 tetor do të bëhen saktësisht 15 vjet që kur Sllobodan Millosheviç u largua nga pushteti, dhe nga një distancë prej një dekade e gjysmë, ne mund të nxjerrim të gjithë përfundimet tona mbi rëndësinë e kësaj dite në historinë e Serbisë.

Duke qenë se isha i përfshirë në ato ndodhi, gjithmonë filloj të mendoj nga perspektiva se në çfarë ngjante ajo ditë.

Atë mëngjes ne u zgjuam pasi kishim fituar zgjedhjet, por ndërkohë ata që ishin në pushtet po bënin gjithçka që mundeshin që ta vidhnin atë fitore.

Ne ishin përfshirë në një konflikt në ish-Jugosllavi, në të cilin humbëm shumë jetë dhe kur shumë njerëz u detyruan të largohen nga vendi.

Ekonomia jonë po vdiste. Po ashtu edhe jeta jonë kulturore dhe kishim kaose të tjera të të gjitha llojeve. Mund të pajtohemi të gjithë ose jo në lidhje me shumë gjëra, por këto janë faktet për Serbinë nën sundimin e Millosheviçit ose Serbinë para 5 tetorit.

Është shumë e rëndësishme t’i kemi parasysh këto rrethana, sepse ndiej se ato po injorohen ose harrohen.

Personalisht, ndihem njësoj sot siç ndihesha edhe mëngjesin e 5 tetorit. Ndiej që nuk kishim zgjidhje tjetër. Çfarë do t’i ndodhte Serbisë nëse Millosheviçi do të qëndronte në pushtet? Parashikimet e mia ishin se pas luftërave me të gjithë përreth nesh, ne do të përfundonim në një luftë me njëri-tjetrin. Nuk mund të marr seriozisht asnjë që shprehet se Serbia do të kishte qenë më mirë nëse Millosheviçi do të vazhdonte të ishte në pushtet.

Si pjesë e lëvizjes jo të dhunshme Otpor, ne po luftonim për tri qëllime: zgjedhje të drejta dhe demokratike, anëtarësimin e Serbsë në BE dhe dhënien fund të konfliktit në rajon.

Nëse shikoni Serbinë sot, gjatë 15 viteve të fundit kemi pasur zgjedhje demokratike në të cilat fituan politikanët ose partitë që morën më shumë vota. Para tetorit të vitit 2000 nuk ndodhte kjo gjë.

Kjo nuk e ndryshon faktin se sa herë që dëgjoj presidentin Tomislav Nikoliç të flasë për “njerëzit e verdhë”, ose të ndajë pikëpamjet e tij mbi gjinekologjinë, ndihem në siklet, por atë e kanë votuar njerëzit dhe duhet ta respektoj këtë gjë.

Serbia është gjithashtu në rrugën drejt BE-së dhe ne nuk e imagjinojmë dot më këtë vend duke hyrë në luftë. Nga ky këndvështrim, mund të them se 5 tetori i arriti qëllimet e tij.

Nga ana tjetër, kur shikoni papunësinë, rrogat mesatare, korrupsionin, ekonominë dhe drejtësinë, nuk mund të thuash sinqerisht se kjo është ajo që ne dëshironim 15 vjet më parë.

Shumë më tepër gjëra ishin të mundura dhe kjo është arsyeja pse nuk ndodhën. Ne mund të mos jemi gati ta pranojmë këtë, por nuk pati mbështetje të vërtetë për ndryshim. Në vitin 2000 njerëzit votuan që Millosheviçi të largohej dhe kështu ndodhi. Njerëzit ishin lodhur nga jetët e mjerueshme të shkatërruara nga politika. Gabimi më i madh ishte se besuan se kaq mjaftonte që Millosheviçi të largohej.

Sot, shumë dyshojnë nëse 5 tetori ishte një revolucion. Unë besoj se ishte i tillë, ashtu si besoj se vrasja e pasardhësit të tij, Zoran Djindjic, më 12 mars 2003, ishte gjithashtu një revolucion – kundër 5 tetorit.

Atë ditë, Serbia humbi një njeri të madh, një njeri me të cilin pata privilegjin të punoja. Kështu që kur mendoj për 5 tetorin, kujtimet e mia të para janë me Djindjicin. Mundësitë që Serbia të arrinte ato tri objektiva dhe shumë më tepër se aq përfunduan më 12 mars 2003. Deri atë ditë, ne e kishim ende një mundësi.

Ku është Serbia sot? Ne jemi si një ekip futbolli që vazhdon të humbasë mundësitë e tij.

Pjesa e mirë është se të paktën po i krijojmë ato. Kur shikoni sistemin tonë politik, do të shikoni shumë më tepër nga Djindjici dhe asgjë nga Millosheviçi. Partia Socialiste që ai krijoi as mban të varur në mur as fotografinë e tij. Është mirë kur politikanët ndryshojnë, sidomos kur ata ndryshojnë për mirë. Por, të jemi të sinqertë, kemi humbur shumë kohë.

Serbia është në rrugën drejt BE-së, por ky proces nuk kuptohet shumë. Kjo është arsyeja pse ne jemi ende thjesht një vend kandidat ende 15 vjet pas vitit 2000. Të qenit pjesë e Bashkimit Europian nuk ka të bëjë thjesht me hapjen dhe mbylljen e kapitujve, është një mundësi për t’i ndryshuar gjërat njëherë e mirë në vendin tënd, njësoj siç kanë bërë edhe vende të tjera të BE-së.

Unë jam krenar për 5 tetorin dhe për njerëzit e bënë të mundur atë. Jam krenar për të gjithë miqtë e mi nga Otpori, të cilët ishin të gatshëm të torturoheshin dhe arrestoheshin për idealet e tyre. Jam krenar sepse asnjë datë tjetër në historinë e kohëve të fundit të Serbisë nuk e ka ndryshuar këtë vend aq shumë sa mundi ta ndryshonte 5 tetori.

Jam krenar që simboli i Otporit, një grusht i mbledhur, ka frymëzuar njerëz në të gjithë botën të luftojnë për liri dhe demokraci.

 

Srdja Popoviç ishte Këshilltar Special i kryeministrit Zoran Djindjic.