Ikje dhe Pritje
21.11.2014 - 13:19
Nuk e di pse në vjeshtë
Njeriu pret
Që dikush të kthehet
E të thotë:
Më fal, kam gabuar, të dua,
E fjalë tjera si këto.
Nuk e di pse në vjeshtë
Mendimet shkojnë larg
Përtej detërash e përtej botërash
Ku ndodhen ata
Që nuk janë më
Me ne.
Nuk e di pse në vjeshtë
Bëhemi kështu
Më të lëndueshëm,
Më të mjegullt,
Më të përlotur
Se qielli jashtë.
Ndoshta sepse
Drunjtë zhvishen
E jeta zbehet,
Ndërsa njerëzit
Kërkojnë të ndezin
Diku ndonjë zjarr.