Rruga

Në tren të huaj

Për në destinacion të humbur!

Kakofonia saksonike me çmend. 

Tentoj të strukem në qoshe të qetë

Shikoj nga dritarja e çarë në mes

Lepuj fushe në mjegull pranvere, më të strukur se unë

Lule të marsit me sytha të huazuara

Qielli shihet si fluskë gri plot ujë a baltë

Sirena e trenit sërish më çmend

Mendoj për pianinon e vjetër në jug

Ku minjtë tani ndoshta janë duke vallëzuar

Në ëmbëlsira të mykura, pa mua, duke festuar

Substancën e grisin, melodia qarkullon si energji

Si stuhia në monsunet vjetore

Kah po shkon ky tren?

Ç’është kjo fushë plot hi?

Pse po më thith zymtësia e avullit të pranverës?

Kakofonia dhe sirenat më çmendin sërish 

Kam filluar të grisem si borderliner

vetëm e vetëm që të ndihem gjallë.

Nuk e di kohën, nuk e di rrugën, nuk e di fundin

Vetëm në kujtime gjej veten në rrugëtim.

As në to s’kam imazh për fytyrën time.

Ndoshta unë jam vet rruga!

Rrugë jam por në rrugëtim s’jam .

Stacioni i fundit, ambicia fëmijërore.