Refugjatët në Maqedoni Tash Lëvizin me Autobusë

Në momentin kur dalin nga autobusët, refugjatët më së shpeshti të veshur me pantallona të shkurtër dhe sandale, menjëherë u afrohen tezgave me rroba të vendosura për ta nga organizatat joqeveritare.

Me ndërprerjen e transportit hekurudhor për shkak të grevës së lokomotivistëve që nuk kanë marrë rrogat për korrik e gusht, u vu në pikëpyetje përballja me krizën e refugjatëve në vend. Deri para katër ditësh, refugjatët nga Siria, Afganistani, Iraku dhe vendet tjera që ndodhen në luftë, më së shpeshti udhëtonin me trena, ndërsa gjatë ditëve të fundit autobusë dhe taksi të stërmbushur me refugjatë lëvizin nga Gjevgjelija drejt pikës kufitare në Tabanovc.

Ekipi i BIRN kaloi dy ditë në Pikën Kufitare Tabanovc ku vazhdimisht kalojnë autobusë, ndërsa kohë pas kohe sidomos të premten kishte një bllokim të madh për shkak të rrugëve të ngushta që çojnë drejt hekurudhës dhe shiut të madh që nuk lejonte kalimin e njëkohshëm të dy autobusëve në drejtime të kundërta.

“Këta dhjetëra autobusë duhet të presin derisa të zbrazen dhe derisa të mos largohen autobusët që tanimë janë në Tabanovc, pasi nuk ka mundësi të kalojnë dy autobusë në të njëjtën kohë në dy drejtime. Duhet të presin,” tha një pjesëtar i MPB-së që rregullonte komunikacionin në zonën kufitare mes Maqedonisë e Serbisë.

Në një autobus mund të udhëtojnë rreth 50 refugjatë, ndërsa në një tren edhe 900 që paraqet një ndryshim të madh të përballjes me valën e refugjatëve në Maqedoni.

Mbrëmë organizatat sindikale dhe drejtuesit e hekurudhave maqedonase mbërritën një marrëveshje.

“Në kohën kur Maqedonia po përballet me krizë emigrantësh, kjo paraqet kërcënim për sigurinë në komunikacion,” deklaroi drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë Nikolla Kostov.
Megjithatë në kalimin kufitar Tabanovc as pardje, e as dje nuk kaloi asnjë tren.

Vjeshtën e presin me pantallona të shkurtër dhe këmbëzbathur

Ekipi i BIRN iu bashkua Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut që ndodhej në Tabanovc për të dhënë rroba për refugjatët të mbledhura nga qytetarët.

Në momentin kur zbrazet autobusi, refugjatët më së shpeshti të veshur me pantallona të shkurtër dhe sandale, afrohen menjëherë te tezgat e mbushura me rroba të vendosura nga organizatat joqeveritare.

“Një xhaketë, një xhaketë, ju lutem,” bërtasin ata në gjuhën angleze kur afrohen te këto tezga.

Te rrobat e mbledhura u afrua edhe një refugjate që kërkonte atlete për vajzën e saj. Kur vullnetarët ia zbathën atletetet e lagura që i kishte mbathur kjo vajzë, pamja ishte shokuese. Këmbët i ishin ënjtur, ndërsa thoi i gishtit gati i kishte rënë.

Nëna e kësaj vajze frikohej se grupi me të cilin kishte ardhur do të largohej, prandaj vazhdimisht këkonte që vullnetarët të nguteshin, edhe pse atat mmundoheshin t’ia dezinfektonin gishtat e këmbëve vajzës.

Ajo nuk lëshonte zë. E qetë priste derisa vullnetarët i veshën çorape dhe ia mbathën atletet. Atëherë buzëqeshi.

“Çfarë duhet të thuash tash?” e pyeti nëna e saj.

“Faleminderit!” tha vajza.

Në kalimin kufitar refugjatët mezi rrinë vetëm disa minuta. Marrin ushqim dhe rroba të ngrohta dhe shpejtojnë tutje me frikën se po ndahen nga grupi.

Disa nga ta mendojnë se duhet të paguajnë për rrobat. Provojnë xhemperë dhe xhaketa dhe pastaj pyesin “Sa duhet të paguajmë për këtë?”. Falënderojnë nga zemra kur vullnetarët u thonë se rrobat janë pa para.

Në Tabanovc të shtunën arriti një grua me një foshnjë katërditëshe. Nga vullnetarët mori shumë dhurata si pelena, rroba, qumësht, ushqim, batanije. Kjo grua e kishte vështirë të lëvizë me gjërat që mori dhe foshnjën dhe pas një ore vazhdoi rrugën drejt Serbisë e pastaj drejt Hungarisë, me shpresën se do të mbërrijë në ndonjë shtet të BE-së.

Një numër i madh gazetarësh nga Norvegjia, Suedia, Britania e Madhe, Austria, Japonia… raportojnë nga Tabanovci. Një ekip televiziv nga Suedia është duke bërë një reportazh për një familje me dy fëmijë që udhëtojnë nga Siria, ndërsa destinim përfundimtar e kanë pikërisht Suedinë.

“Po i përcjellim që nga Turqia. Gjatë tërë kohës jemi me ta dhe kalojmë njësoj si ata. Do t’i ndjekim dhe do të raportojmë për ta derisa të mbërrijnë në destinacionin e dëshiruar. Është e vështirë, sepse tash të gjitha familjet që dëshirojnë të shkojnë në Suedi po na bashkohen dhe po kërkojnë të udhëtojmë me ta, duke shpresuar se mund t’u ndihmojmë. Në të vërtetë, ne nuk mundemi të bëjmë asgjë, përveçse të informojmë, “ thotë gazetari suedez.

Rreth orës 18:00 të së shtunës kur pritej një fluks i ri refugjatësh dhe autobusë të mbushur me ta dhe kur nuk kishte më këpucë dhe rroba për refugjatët, erdhi një njeri me moshë mesatare, me një automobil. Ai u parkua në afërsi të stacionit hekurudhor dhe hapi bagazhin. Brenda tij kishte këpucë të reja për fëmijë.

“Cilin numër mban fëmija yt?” i pyeste ai në anglisht prindërit. Cilindo numër që ia kërkonin, ai hulumtonte nëpër kutitë e këpucëve, ua gjente ato dhe ua jepte.

Thirrje për ndihmë

Organizatat humanitare në Maqedoni u bëjnë thirrje qytetarëve që të japin para së gjithash rroba të nxehta (xhaketa, kapela, çorape, bluza dhe këpucë) për refugjatët që janë shumë të nevojshme në këto ditë me shi para vjeshtës.

Qytetarët mund t’i dërgojnë ndihmat e tyre në disa vende, si në sepon e organizatës joqeveritare “Legis” që ndodhet në Komunën e “Çairit”, në Rrugën “Cvetan Dimov” numër 4.

Donacionet mund të dërgohen edhe në hapësirat e Komitetit të Helsinkit që ndodhet në Lagjen e Dibrës në Rrugën “Naum Naumovski-Borçe” gjatë ditëve të punës nga ora 9:00 deri në 17:00, ndërsa gjatë vikendit nga 10:00 deri në 14:00.

Të dhënat më të reja të mInistrisë së Punëve të Brendshme tregojnë se nga 19 qershori deri më 11 shtator u janë dhënë vërtetime 69 mijë e 743 shtetasve të huaj, nga të cilët 46 mijë e 913 janë meshkuj, 9 mijë e 610 femra dhe 11 mijë e 360 fëmijë të shoqëruar nga familjarë dhe 1 mijë e 860 fëmijë që udhëtojnë pa prindër, të cilëve u është lëshuar vërtetimi për qëllimin e deklaruar të azilkërkimit.

Dhe derisa vullnetarët maqedonas dhe qytetarët mundohen t’u ndihmojnë refugjatëve në përballje me agoninë e tyre në rrugën drejt Evropës, mbetet e hapur çështja nëse Maqedonia do të ndërtojë gardh në kufi, të ngjashëm me atë që bëri Hungaria për të penguar fluksin e madh të refugjatëve.

“Reuters” para dy ditësh transmetoi deklaratën e ministrit të Punëve të Jashtme Nikolla Poposki, i cili në një intervistë për të përditshmen hungareze “Figelo” tha që Maqedonisë sigurisht “do t’i duhet njëlloj mbrojtje fizike, edhe pse kjo nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë”.

“Por, nëse seriozisht pranojmë atë që nga ne po kërkon Evropa, atëherë do të ketë nevojë edhe për këtë-ndoshta ushtarë, ndoshta gardh, ose një kombinim i të dyjave,” tha Poposki.

 

Artikull i marrë nga Prizma.mk, një prodhim i BIRN-it në Maqedoni.