Avancimet Akademike Përmes Vrimës së Gjilpërës

Tri mbledhje të Senatit të Universitetit të Prishtinës mbajtur këtë vit kanë dështuar. E fundit ishte e 10 shtatorit kur propozimi i rektorit Ramadan Zejnullahu nuk mori asnjë votë nga senatorët. Por cila është arsyeja që u thyen shtizat mes kryesenatorit Zejnullahu dhe të tjerëve? ‘Çfarë propozon ai dhe cilat janë kërkesat e Bujar Dugollit, dekan i Filozofikut dhe Et’hem Çekut, dekan i Edukimit?

Konkursi i 14 janarit 2015 për zgjedhjen e personelit akademik në fakultetet e Universitetit të Prishtinës (UP) ka shkaktuar bllokadë totale në Senat për këtë çështje. 

Rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Ramadan Zejnullahu, thotë se praktika e avancimeve akademike në Senatin e Universitetit të Prishtinës më parë bëhej me votim në pako. 

Që do të thotë se propozimet për avancime që i sillnin njësitë akademike, nuk diskutoheshin një nga një edhe në Senat. 

Kjo bënte që gradimet e profesorëve të bëheshin më lehtë edhe pa i plotësuar kriteret që parashihte statuti i UP-së.

 “Këto gradime janë bërë në një formë krejt tjetër, janë dhënë propozimet e njësive akademike, është bërë një listë dhe është proceduar në pako – kush është ‘për’ që e tërë lista të votohet pa i detajizuar emrat”, thotë rektori Zejnulahu.

Në këtë drejtim, Komisioni për Studime i UP-së, pas mbylljes së konkursit, vendosi t’i vlerësonte një nga një propozimet për avancime, duke ndërprerë kështu, siç thotë rektori, praktikën e votimit në pako në Senat.

Kjo praktikë nuk u pëlqeu një pjese të anëtarëve të Senatit, të cilët hezitonin t’i votonin pikat e rendit të ditës kur kishin të bënin me avancimet akademike.

Prania e stresit, nervozizmi, shikimi sy më sy mes anëtarëve të Senatit tregonte nivelin e pakënaqësisë me atë që kërkonte rektori dhe Komisioni i Studimeve. Kjo ndoshta për faktin se disa prej anëtarëve të Senatit ishin në rend dite për t’u avancuar, e për të cilët Komisioni kishte vlerësuar se nuk i plotësojnë kushtet për të shkuar më tej.

Filtrimi i këtillë shkaktoi atë që nuk kishte ndodhur më parë dhe që pakkush e kishte pritur – bllokimin e Senatit.

Në tri mbledhjet e Senatit ku ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe avancimi i stafit akademik në UP që shkaktoi mbylljen e parakohshme të mbledhjes.

Senatorët nuk miratonin propozimet e Komisionit të Studimeve, i cili shumë prej propozimeve i ktheu mbrapa nëpër njësi akademike, për shkak se nuk i plotësonin kriteret për avancim sipas Statutit të UP-së.

Rektori Zejnullahu i pakënaqur me reagimin e senatorëve, tri herë radhazi mbylli mbledhjen e Senatit.

Mbledhja e parë u mbyll më 29 qershor, për të vazhduar dhe për t’u mbyllur sërish më 27 korrik, ndërsa mbledhja e tretë ndodhi më 10 shtator, të gjitha gjatë këtij viti.

Sa për ta qartësuar. Neni 175 i Statutit të UP-së, ndër të tjera kërkon që për titullin e “profesorit të rregullt” kandidati duhet ta ketë gradën e doktorit të shkencës; të ketë një numër të rëndësishëm të monografive, teksteve mësimore; më së paku pesë punime kryesore të publikuara në revista shkencore ndërkombëtare si autor i parë ose korrespondent; udhëheqje të temave të masterit dhe doktoratës.

Për titullin e “profesorit të asocuar” neni 176 i Statutit të UP-së, përveç tjerash, kërkon që kandidati duhet ta ketë gradën e “doktorit të shkencës”; të ketë një numër të zgjedhur të monografive; me së paku tri punime të botuara në revista ndërkombëtare si autor i parë ose korrespondent.

Statuti i UP-së, gjegjësisht neni 177 për titullin e “profesorit asistent” kërkon që, përveç tjerash, kandidati duhet ta ketë gradën e doktorit të shkencës; të ketë numër të zgjedhur të monografive; me së paku një punim kryesor të publikuar në revista ndërkombëtare si autor kryesor ose korrespondent.

Vlen të theksohet se Komisioni i Studimeve ka vendosur kriteret minimale për avancimin e stafit akademik në UP. Por edhe me këto kushte minimale, profesorët nuk po arrijnë t’i plotësojnë kushtet për avancim.

Kriteret e kërkuara nga Komisioni i Studimeve janë më të ulëtat në rajon.

Rektori Zejnullahu habitet me punën e Komisioneve Recensuese dhe Këshillave të Fakulteteve. Ai thotë se të gjitha raportet e këtyre komisioneve kanë rekomanduar stafin e fakulteteve përkatëse për thirrje me të lartë shkencore.

“Është vështirë të thuhet, por nga të gjitha referatet që i kemi marrë deri në përfundim të afatit të procedurave, shumë pak ka pasur vërejtje dhe të gjithë me automatizëm kanë propozuar gradimin në thirrjen më të lartë të stafit të UP-së”, tha rektori Zejnullahu pas mbylljes së detyrueshme për herë të dytë radhazi të mbledhjes së Senatit.

“Mjerisht ka rezultuar që referatet nuk janë shkruar në përputhje me Statutin, nuk janë shkruar as në përputhje me etikën”, shtoi Zejnullahu.

Megjithatë, ai tha se nuk mund të kërkojnë llogari prej komisioneve recensuese.

“Ne kemi qenë të vetëdijshëm se ky është segmenti më i vështirë nëpër të cilin duhet të kalojmë”, tha Zejnullahu. “Çdo thirrje e cila merret duke ditur paraprakisht se po bëhen shkelje, ajo dëmton prestigjin e universitetit që edhe ashtu nuk është në nivelin e duhur”, shtoi ai. 

Për më tepër, senatorët insistojnë që propozimet për avancim të kalojnë përmes votimit në Senat.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli i kërkoi rektorit që përgjegjësinë t’ia kalojë Senatit.

“Nëse ju z. rektor po mendoni se ne po ju detyrojmë me shkel ligjin, ti ke të drejtë mos m’i nënshkru vendimin që e voton ky Senat. Nëse ju nuk doni t’i përfillni institucionet e arsimit të lartë të akredituar nga shteti dhe i cilësoni ata (profesorët) pa vlerë, ai është problem tjetër. Vlerën e tyre e ka vlerësuar komisioni në krye me akademikë”, tha Dugolli gjatë mbledhjes së 10 shtatorit të këtij viti.

Kurse rektori vendosi ta hedhë në votim vetëm propozimin e tij dhe jo të Fakultetit Filozofik, i cili kërkonte që kandidati i propozuar të avancohej në profesorit të asocuar, sepse konsideronte që i plotësonte kushtet.

“Unë e hedh në votim propozimin tim pasi që kam të drejtë si kryesues i Senatit. Kush është për propozimin e rektorit?”, pyeti rektori.

Pasi nuk mori asnjë votë nga senatorët, ai e lëshoi mbledhjen, duke ua bërë me dije senatorëve, por edhe vetes për bartjen e përgjegjësisë.

“Faleminderit! Ky është pozicioni i Senatit. Pozicioni im është tjetër që nuk përputhet me Senatin. Secili le ta mbajë përgjegjësinë për vete, Senati e merr përgjegjësinë, edhe unë do ta marr përgjegjësinë”, tha rektori Zejnullahu duke e mbyllur mbledhjen para kohës.

Gazeta i ka shkruar dekanit Dugolli për t’i sqaruar qëndrimet e tij rreth avancimeve akademike, por ai nuk u është përgjigjur pyetjeve tona.

Njëjtë ka vepruar edhe dekani i Fakultetit të Edukimit, Et’hem Çeku, i cili në fakt është në garë për t’u avancuar në gradën e “profesorit të asocuar”. Ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Në këtë rast nuk është përgjigjur as profesori Muhamet Mala, i cili ka qenë kryetar i Komisionit Recensues që e ka propozuar Çekun për avancim.

Prorektorja për mësim, Eda Vula, tregon për defektet e punës së Komisioneve Recensuese.

“Për fat të keq në shumë raste, sidomos në propozimet për profesor të rregullt dhe të asocuar, propozimet – si të Komisioneve Recensuese, ashtu edhe të Këshillave të Fakulteteve, kanë qenë pothuajse me automatizëm. Ka raste kur kandidatët e propozuar për profesor të rregullt nuk kanë asnjë punim si autor i parë apo korrespondent, e as si bashkautor”, thotë Vula.

“Janë pikërisht senatorët dhe dekanët që janë në proces zgjedhor që  këmbëngulin që të merren si punime shkencore edhe ato punime që botohen në revistat të vendit apo në revista që nuk kanë fare proces të vlerësimit”, shton prorektorja Vula.

Ajo e pranon se janë kërkuar kritere minimale për avancim, por megjithatë thotë se është ndalur trendi i kalimit në pako të propozimeve.

“Jemi të vetëdijshëm për këto kërkesa minimale, por për dallim nga vitet e  kaluara, secili kandidat është shqyrtuar si individ e nuk kemi lejuar që propozimet në Senat të votohen në grupe“, thotë Eda Vula.

Kryetari i Parlamentit të Studentëve, Egzon Daku, i cili njëherësh është edhe senator, thotë se Komisionet Recensuese do të duhej ta thoshin fjalën e fundit si komision profesional. Por puna e tyre, sipas tij, ka vënë në pikëpyetje objektivitetin e vlerësimeve dhe propozimeve të kandidatëve për t’u avancuar.

“Më duhet të përmend se niveli i vetëm vlerësues profesional janë komisionet recensuese dhe do të duhej që ata ta japin fjalën e fundit pasi që janë hallka e vetme e vlerësimit profesional specifik në këtë proces. Por, ka pasur raste kur studentëve me mesatare 10.0 u janë shkruar recensione negative!”, thotë Daku.

“Nëse i referoheni Komisioneve Recensuese është mirë të shtrohet pyetja se sa janë objektivë këto komisione dhe çfarë nëse kemi subjektivitet në vlersimin e tyre?! Ndoshta do të duhej të krijohej një masë penalizuese për recensionet jo objektive”, shton ai. 

Por si e sheh gjithë këtë punë një ish-student i Universitetit të Prishtinës, Dren Ajeti, i cili tash është magjistër i shkencave juridike nga Universiteti i Tubingenit në Gjermani.

Ai thotë se kur profesorët të cilët duhet të jenë shembulli më i mirë për shoqërinë, tentojnë të avancohen kundërligjshëm, atëherë çfarë të presim nga studentët e tyre.

“Kur disa profesorë, njerëz ndaj të cilëve ushqej respektin më të thellë, tentojnë të avancohen duke mos i përmbushur edhe ato pak kritere që kërkohen nga Universitetet në Kosovë, thjesht ndjej mërzi”, thotë Dreni. “Mërzi për faktin se kur njerëzit që duhet të udhëhiqen nga parimet e drejtësisë dhe profesionalizmit duan të avancohen me mashtrime, atëherë shtrohet pyetja se çfarë të pritet nga të tjerët, nga ‘nxënësit’ e tyre”, shton ai. 

Madje ai thotë se është e turpshme kur profesorët kërkojnë të marrin tituj pa ua bërë “hyzmetin”.