“Vehabistët", e Kthyer nga Vjena Shqetësojnë Sanxhakun

Teksa shqetësimet rriten rreth pranisë së shtuar të ISIS në qytetin e dominuar nga boshnjakët në Serbi, Novi Pazar, një lider i ri polemik feta, Adem Demiroviç, ka mohuar të ketë rekrutuar luftëtarë në Siri dhe Irak nga rajoni.

Demiroviç, të cilin shërbimet sekrete serbe e konsiderojnë një anëtar të komunitetit radikal Vehabi, u kthye në qytetin e tij të lindjes Novi Pazar disa javë më parë.

Atje ai lutet dhe predikon në një teqe të Rinisë Islamike në Sanxhak, në shoqatën Furkan,  të cilën disa e shohin si një qendër rekrutimi për luftëtarët që shkojnë në Siri dhe Irak.

Një gjykatë në Beograd e përmendi Furkanin si një qendër të islamikëve radikalë në aktpadinë e pesë individëve të akuzuar për rekrutim të luftëtarëve të ISIS, të cilëve u filloi gjyqi këtë mars.

Megjithatë, në një intervistë të rrallë për median, Demiroviç tha për BIRN se ai nuk po i këshillonte ndokujt të luftonte për ISIS dhe tha se Furkani ishte vetëm një shoqatë e besimtarëve që ushqen islamin origjinal.

“Unë mbështeta personalisht luftimin në Lindjen e Mesme në kuptimin e mbrojtjes së të pafajshmëve që po vriteshin atje dhe i ndihmova, por kur konfliktet u shfaqën brenda opozitës islamike, menjëherë thashë se kjo nuk lejohet”.

“Sipas Sheriatit, është e ndaluar të marrësh pjesë në konfliktet e përbashkëta mes myslimanëve,” shpjegoi ai.

Demiroviç tha se ai mbërriti në qytetin e lindjes pa telashe, ku hyri në Serbi ligjërisht me makinë duke kaluar kufirin zyrtar pa asnjë mandat arresti në emër të tij.

“Nuk kam kryer vepër penale në Serbi. Nëse do të kishte ndonjë urdhër-arrest , unë nuk do të isha në gjendje të lëvizja kudo,” tha ai.

“E di që jam nën vëzhgim sepse kam kaluar orë duke pritur në kufij dhe kur erdha këtu kalova pesë orë në pyetje nga shërbimet e sigurisë,” shpjegoi ai, duke përsëritur se media gënjen për të.

Çfarë ka pas Furkanit?

Një burim nga shërbimet e sigurisë serbe tha për BIRN se ata besojnë se ka mbi 500 islamikë radikalë në rajonin jugperëndimor të Sanxhakut në Serbi.

Sipas këtij burimi, këto 500 ashtuquajturat vehabistë në Sanxhak veprojnë në Novi Pazar, Sjenicë dhe Tutin, e takohen në disa xhami në Novi Pazar dhe Sjenicë.

Më radikalët nga të gjithë, sipas të njëjtit burim, takohen në ambientet e Rinisë Islame të Sanxhakut, shoqatës Furkan.

Vehabizmi është një lëvizje saudite që pretendon të rivendosë një formë të pastër dhe origjinale të Islamit. Kjo e vë atë në kundërshtim me versionin tradicional sunit të besimit të praktikuar në Sanxhak. Lëvizja vehabite është gjithashtu aktive në Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën fqinje.

Gjatë disa viteve të fundit, vehabinjtë e Sanxhakut kanë qenë të përfshirë në disa incidente, përfshirë grindje dhe sherre të zjarrta në xhami, provokuar nga përpjekjet e tyre për të imponuar praktika të reja dhe të rrepta te besimtarët e zakonshëm.

I njëjti burim i sigurisë tha se Demiroviç kishte lidhje të forta me Nusret Imamoviç, nga qendra famëkeqe Vehabite Maoca në Bosnjë, dhe me Idriz Bilibanin, nga Kosova.

Imamovic dhe Bilibani shihen si udhëheqësit e ndjekësit e Vehabitëve në Bosnjë dhe Kosovë.

Të dy ata e kanë vizituar më parë Furqnin, predikuan idetë e tyre radikale dhe bënë thirrje për pjesëmarrje në xhihadin e Sirisë dhe luftën kundër të pabesëve,” tha për BIRN burimi.

Demiroviç nuk i konteston lidhjet e tij me ata që ai i quan pasuesit e islamit “të pastër” në Maoca dhe në Kosovë, por mohon se ka ndonjë bashkëpunim aktiv.

“Unë kam qenë në Bosnje vetëm dy herë në jetën time dhe unë e kam të ndaluar të hyj në atë vend, ” vuri në dukje ai.

“Në qoftë se ata e konsiderojnë faktin që njerëzit dëgjojnë ligjëratat e mia në internet dhe nganjëherë vijnë këtu [në Novi Pazar] si ‘bashkëpunim’, atëherë është bashkëpunim, por sigurisht jo si ai që e konsiderojnë ata, ” tha Demiroviç.

Demiroviç tha se shumë njerëz që kanë shkuar nga Ballkani për të luftuar jashtë vendit po lidhen gabimisht me Furkanin në Novi Pazar apo në fshatin Maoca në Bosnjë.

“Me aq sa di unë , dy myslimanë të cilët vizituan Furkan janë në fushëbeteja. Të tjerët na janë atribuar gabimisht neve. Nëse dikush vjen te ne një herë dhe pastaj shkon atje, ata thonë se ai është pjesë e jona. Kjo nuk është e vërtetë, “ tha ai.

Momir Stojanoviç, një ish-drejtor i shërbimit të sigurimit ushtarak të Serbisë, tha për gazetën përditshme në Beograd, Blic më 29 korrik se 37 persona nga Serbia shkuan për të luftuar në Siri dhe se shtatë ishte vrarë atje.

Stojanoviç, tani kryetar i komisionit parlamentar për sigurinë dhe mbrojtjen, tha se rreth 10 njerëz janë nën mbikëqyrje të policisë për lidhjet e tyre të dyshuara me ekstremistët islamikë, por nuk ka pasur kampe të trajnimit ISIS në Serbi.

Në tetor të vitit 2014, parlamenti serb parashikoi dënime me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet për qytetarët serbë të shpallur fajtorë për luftime në fushëbeteja të huaja.

Dënimet janë më të ashpra për ata që rekrutojnë luftëtarë apo që organizojnë trajnimin e tyre. Ata tani mund të marrin nga dy deri dhjetë vjet burgim.

Një ish-anëtar i njohur i Furkan ishte Mevlid Jasareviç, i cili erdhi nga Sanxhaku dhe që sulmoi ambasadën amerikane në Sarajevë në tetor të 2011. Ai u shpall fajtor për terrorizëm dhe u burgos me 15 vjet  burg në Bosnjë në nëntor të vitit 2013.

“Ata janë duke punuar sistematikisht për islamizimin radikal dhe të gjerë të shoqërisë duke lidhur pasuesit e ideologjisë në rajon me vendet e botës arabe”, tha burimi shërbimi i sigurisë për BIRN, në lidhje me aktivitetet e anëtarëve të Furkan.

Disa OJQ në Novi Pazar gjithashtu thonë se Furkan përbën një kërcënim të sigurisë në zonën etnikisht të përzier.

Fahrudin Kladnicanin, nga OJQ-ja Forum 10, kujton se Furkan u krijua në vitin 2009.

“Furkani është një kapitull i Kuranit dhe fjala përkthehet si: “Ai që ndan të vërtetën nga gënjeshtra,” tha ai për BIRN.

Ai është i bindur se organizata “në një mënyrë të veçantë ndikon në rekrutimin e të rinjve” për veprimtari militante radikale.

“Nëse shohim kush qenë krerët e Furkani, për çfarë u akuzuan ata, aktivitetet e tyre janë potencialisht të rrezikshme për rajonin. Ne kemi nevojë të parandalojmë funksionimin e qendrave që punojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi për rekrutimin e të rinjve”, tha Kladnicanin.

Demiroviç, megjithatë, thotë se ai po ndjek vetëm islamin e pastër dhe se besimtarët e tillë janë quajtur gabimisht vehabistë.

“Furkani nuk është një organizatë… ne thjesht ushqejmë islamin e vërtetë. Unë bëj të njëjtën gjë në teqenë në Vjenë, ku edhe unë mbaj ligjërata atje ku kam jetuar për 17 apo 18 vjet,” tha ai, duke vënë në dukje se policia austriake nuk lejojon asnjë lloj rekrutimi për luftë.

Furkani është përmendur edhe në aktakuzën e Gjykatës Speciale të Beogradit të pesë personave të akuzuar për rekrutimin e luftëtarëve të ISIS, gjyqi i të cilëve filloi këtë mars.

U ngritën akuza kundër Abid Podbicanin, 35, Sead Plojoviqi, 31, Tefik Mujoviç, 34, dhe Izudin Crnovrsanin, 35, të gjithë nga Novi Pazari, dhe Ferat Kasumoviç, 30, nga Beogradi.

Ata u akuzuan për planifikimin e sulmeve terroriste dhe për sigurimin e mbështetjes financiare dhe rekrutimin e qytetarëve serbë në mënyrë që të marrin pjesë në konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme. Aktakuza e quajti qendrën e aktiviteteve të tyre si Furkan.

Podbicanin dhe Mujoviç po gjykohen në mungesë. Disa media në Serbi kanë raportuar se Podbicanin u vra në Siri këtë shkurt, por kjo nuk është konfirmuar.

Të gjithë të pandehurit e tjerë i mohuan akuzat. Plojoviçi tha se ai u bë imam në Furkan pasi Podbicanin u largua nga vendi dhe se është përpjekur të jetojë në përputhje me “islamin e pastër”.

Crnovrsanin tha se ai u largua për në Siri në nëntor të vitit 2013, por jo për t’iu bashkuar ISIS-it, por sepse donte të jetonte sipas ligjit të sheriatit.

Militantët, një problem për Novi Pazarin:

Kryetari i bashkisë së Novi Pazarit, Meho Mahmutoviç, tha për BIRN se prania e islamikëve radikalë është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet qyteti.

“Mendësia dhe aktivitetet e tyre nuk kanë të bëjnë me Islamin. Të gjithë myslimanët normal janë kundër asaj që ata po bëjnë nën pretekstin e të qenurit luftëtarët e besimit,” tha Mahmutoviç.

Ai fajësoi aktivitetet politike të myftiut të Sanxhakut, Muamer Zukorliç, dhe Bashkësinë e tij Islame për situatën e tanishme.

“Është një gabim i madh që liderët fetarë në periudhën e shkuar kanë qenë më të përfshirë në politikë se sa në fe,” tha Mahmutoviç.

Kryetari pretendoi se Zurkoliç solli lëvizjen vehabiste në Sanxhak disa vite më parë, por vetëm tani po e distancon veten nga ajo.

Nga ana tjetër, Zukorliç thotë se ai e paralajmëroi potencialin e problemit tetë vjet më parë. Ai beson se problemi është shkaktuar kryesisht nga formimi i një tjetër Komunitetit Islamik në Serbi, përveç atij që ai drejton.

“Kjo farë e keqe e cila nuk mund të kontrollohet u rrit nga përçarja brenda Bashkësisë Islame në Serbi” thotë Zukorliç.

Megjithatë, Mahmutoviç beson se lufta kundër këtij fenomeni kërkon një reagim shumë më të gjerë.  “Të gjitha institucionet kompetente dhe faktorët e ndryshëm duhet ta zgjidhin këtë çështje,” tha ai.

Mahmutoviç tha se ai nuk parashikoi asnjë gjë të tmerrshme në Sanxhak, megjithatë, pati ndodhi të tilla si sulmi terrorist ndaj një stacioni policie në Zvornik në Bosnjë në prill. “Unë shpresoj që shërbimet e sigurisë të kenë gjithçka nën kontroll,” tha ai.

Ai thotë se vehabistët janë duke shkaktuar më shumë dëme vetë myslimanëve. “Ata janë një dëm i madh për qytetin”, tha kryetari i komunës.

Në Novi Pazar, vendasit reagojnë ndryshe ndaj idesë së një kërcënimi të mundshëm që vjen nga militantët fetarë.

Ejup Hamidoviç, një boshnjak i moshuar, tha se nuk ka pse të ketë frikë mes popullatës boshnjake në Sanxhak se do të jenë shënjestër e islamikëve radikalë.

Por një qytetare tjetër, Radica Vukiceviç, një serbe, tha se serbët që jetojnë në zonën me tri kufij mes Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës tani ndihen më pak të qetë.

“Tani shumë nga ne mendojmë se ky është një qytet jo i sigurt dhe mendojmë jo mirë për myslimanët dhe i kemi frikë,” tha ajo.