Nga Budva në Ulqin

Në qoshen e një rruge në Qytetin e vjetër të Budvës disa tregtarë koleksionues kanë hedhur në tenda monedhat dhe kartëmonedhat me portretin e Titos, portretin e princ Njegoshit, të mbretërve e personaliteteve të njohur malazez.

Pranë këtyre kutive të hapura shiten edhe grada gjeneralësh, fotografi të vjetra, rroba ushtarësh dhe relike të tjera që i thyejnë kohët dhe historitë e shkuara i vënë në ditët e sotme. Është ditë e nxehtë e megjithatë vizitorët nuk tregohen të pandjeshëm ndaj relikeve që të shkuarën e nxjerrin nga kujtesa.

Vizitorët e huaj janë të shumtë rrugëve të lashtësisë së qytetit malazez, me gjasë, vapa nuk trondit më shumë se skenari që mishëron me besnikëri të shkuarën.

“Janë historia e 50 viteve të komunizmit në shtetin tonë. Im atë i ka mbledhur për kohë të gjatë në dhomën e tij të gjitha këto që po i shihni në tendën time”, kështu e tregon praninë e materialeve në pazarin e Stari Gradit (Qytetit të vjetër) Sonja Jauković, 32.

Një histori 50 vjeçare në rrugën e qytetit qindravjeçar. Shitësja, e bija e koleksionuesit, ka vendosur që kujtimet t’i kthejë në vlerë materiale. Qoshja e rrugës në të cilën Sonja bën biznesin është një muze në miniaturë, pjesët e të cilit largohen pak nga pak përgjithnjë nga aty, varësisht xhepave të vizitorëve.
Turistët e shumtë nga perëndimi dhe ata nga ish-federata duket sikur i zbulojnë plot kurreshtje e po me aq besnikëri i ruajnë pasi paguajnë. “Është një pasuri e rrallë. Është e habitshme t’i gjesh kështu të ekspozuara në një qytet bregdetar si Budva” thotë Adelheida, turistja që nga Gjermania kish zbritur në detin Adriatik. Për të dhe partnerin e saj Mali i Zi është një vend i rrallë piktoresk, të cilin pohon se ka vite që e zgjedh për vendpushim.

Bregdeti i Malit të Zi është i bukur si në vargjet e Bajronit, poetit anglez, i cili gjatë vizitës në Ballkanin e fillimshekullit të 19-të e përshkroi këtë pjesë të Adriatikut “si pikëtakimin më të bukur mes tokës dhe detit”.

Riviera e qytetit të Budvës ndërkaq me resurset e saj përbën zemrën e kulturës së plazhit në vend. Qyteti i vjetër që konsiderohet ndër qendrat urbane më të vjetra në vijën e Adriatikut, me kështjellën e muret venecian, qyteti i ri që në tërësi nuk ka më shumë se 15 mijë banorë, plazhet përreth, jeta e pasur e natës, muzika tradicionale, simbolet kombëtare, po edhe plakat në te zeza që rrugëve kërkojnë të thithin myshterinjtë, e bëjnë atë destinacionin më të rëndësishëm turistik në Mal të Zi.
Budva renditet pas mrekullive të gjirit të Kotorrit, plazheve të Perastit e perlave pranë kufijve të lartë malazez.

Krenaria e malazezëve

Shenjën e madhe të Budvës dhe krenarinë e banorëve e jep Shën Stefani, Sveti Stefan siç i thonë vendasit. Një nga qendrat më atraktive të Malit të Zi dhe perla e vërtetë, sipas tyre, e bregdetit mesdhetar, është ky ishull-kështjellë. Një pikë e madhe njohëse në histori, për takimet dhe fatin e popujve, dhe pika më e rëndësishme turistike e bregut malazez.

Kompleksi plot restorante, kafe, hotele dhe jahte është pjesa luksoze e këtij bregdeti dhe një nga më të preferuarit e VIP-ave, për shkak të njerëzve që kanë pushuar aty dhe emrave të njohur hollivudian si Sofia Loren, Elizabet Tejlor, Silvester Stalone, Alberto Moravia e të tjerë.

Jahtet luksoze janë të shumta, siç janë dhe gjuhët e huaja, ku dominojnë ato sllave. Ishulli kështjellë është i shtrenjtë për xhepin e kosovarëve, por për rusët e pasur është një vend ideal. Irena Anishin, 35, thotë se kjo copë toke është një parajsë: “Është ishull magjik, i qetë, i cili sheh kah malet e errëta të bukura. Më kujton qetësinë e liqeneve italiane dhe bregdetin e thyer të ishujve grek, po njëkohësisht më përkujton se është një vend ballkanik”, kështu e përshkruan Irena derisa në tavolinë i shërbehet kafeja turke. çmimi i një kafeje në ishull është shumëfish më i lartë se një gjithë rivierën e detit Adriatik. Një vend ideal për të kamurit.

Bregdeti verior i malazezëve është padyshim i bukur dhe ka pjesë të jashtëzakonshme, por akoma larg standardeve me të cilat prezantohen kroatët pak më lart, apo greket poshtë dhe turqit në përballjen e tyre turistike në kontinent.

Në skajin tjetër

Parrullat e dikurshme për pavarësinë ndaj Serbisë nuk duken më në rrugët e Crna Gorës dhe vendi ashiqare duket se ka ecur përpara. Po të vazhdosh detit teposhtë, qytetit shqiptar në skajin jugor, tokave të dikurshme shqiptare shpesh të bien në mend vargje të “Lahutës së Malcisë”, kur me sy kap ekzistencën e tyre, njëqind vjet pas ndarjes. Megjithëse të sllavizuara dallimi me veriun lart është i qartë, nis nga gjuha, simbolet fetare, lypësit në rrugë dhe ajo që quhet infrastrukturë.

“Bishti i turizmit” malazias, Ulqini i folësve shqiptarë dhe i folesë shqiptare të ‘pushimeve verore’  të pret në daq shqip në daq serbisht, ose njëkohësisht shqip e serbisht. Qyteti i kalasë së vjetër të familjes shqiptare të Balshajve, i xhamive të shumta dhe simboleve fetare myslimane, ndonëse i papastër e i zhurmshëm, qyteti në stilin oriental është renditur poashtu si pika kryesore e turizimit në Malë të Zi, kjo sa falë bukurisë, më shumë falë resurseve natyrore.

“Bereqatvers!” thotë ulqinakët që flasin shqip kur i pyet se si po iu shkon sezona e këtij viti. Ndonëse vetë myslimanë, ankohen se muaji i Ramazanit viteve të fundit po ua prish goxha biznesin turistik. “Një muaj i turistave kosovarë po na humb gjatë Ramazanit, por bereqatvers, po e kapim diqysh mandej”, thotë pesëdhjetëvjeçari, pronar i apartamenteve private në Shtojin e epërm, M.Gecaj.

Ulur në terracën e shtëpisë trekatëshe me një panoramë të jashtëzakonshme kah Plazhi i vogël, Miki Abazoviç, 44, shqiptar nga i ati dhe malazez nga e ëma, vështron andej kah i bie Shkodra. Dorën mban në zemër kur tregon historinë e familjes së tij. “Ja sam albanac!”, thotë Miki me mburrje. “Baba im ka ardhur moti këtu në Ulqin. Dy hallat e mia jetojnë në Shkodër, kam shkuar edhe t’i vizitoj, por pjesën tjetër të familjes nuk e njoh” pohon ai në gjuhën serbe.

Miki thotë se krenohet se është shqiptar, edhe pse lidhjet e tij me shqiptarinë janë pothuajse inkezistente. Atij i pëlqejnë mysafirët nga Kosova dhe pranon se Ulqini mbahet gjallë nga turistët kosovarë. Gruaja e tij, Dragana, malazeze nga Tivari, Bari siç e quajnë vetë ata, thotë se mysafirët nga Kosova janë më të mirët: “Kosovarët janë plot edukatë, janë të qetë dhe e ruajnë pastërtinë, veçse u pëlqen të gatuajnë më shumë në shtëpi se të hanë jashtë”.

I ambli Ulqin!

Ulqini shqiptar, siç ka bërë gjithnjë, mbetet vendi që mbledh kosovarët e shqepur, dikur edhe kosovarët me pak pare. Sot Ulqini është i shtrenjtë, bile më i shtrenjtë se vendet turistike që të ofrojnë shumë më shumë se ai në rajon. Po si thonë: “Kush njëherë ishte, do të kthehet gjithmonë” sepse ka një magji që e tërheq një popull sidomos atë shqiptar nga Kosova.

Në Budvë a në Herceg Novi, sigurisht se mund të kalosh një pushim me më pak pare se në Ulqin, por Ulqini ka “plazhin e parajsës” që nuk e ndërrojmë as për njëmijë grosh. Ose është mikpritja ulqinake që të thanë në shpatull për pesë euro dhe ta “mposht” shqiptarinë vetëm për pak euro më shumë.

Në Ulqin edhe aty ku shkruan “free ëi-fi” passëordin ta tregojnë vetëm pasi ta paguash një euro. Edhe një picë kushton më shtrenjtë se në gjithë bregdetin malazez, edhe Skënderbegu shqiptar, birrat e verërat.

Po punë e madhe! Punë e madhe pse mikpritja ulqinake lë shumë për të dëshiruar, sepse çmimi i kujtimeve që të jep qyteti i vjetër me dritaret e kalasë qindravjeçare është i pallogaritshëm, siç nuk mund të llogariten as çmimet në rërën zharritëse.

Kohët kanë ndryshuar dhe Ulqini tashmë flet e shkruan shqip dhe të rrjep shqip, por boll që mysafirët e preferuar i ka kosovarët, edhe kur mërgimtarët kosovarë ankohen për çmimin e lart të një çadre në plazh apo çmimet e fryra të restoraneve. Po megjithatë të gjithë kthehen sërish! Kamarieri në restoranin mbi lumin Buna, thotë se fajin e ka magjia e qytetit që i hipnotizon si banorët, si vizitorët, “I ambli Ulqin, i ambli Ulqin!” pëshpërit. Edhe ai mban dorën në zemër kur sheh nga Shkodra dhe rrëfen historinë e tij.

Përtej lumit të Bunës shqiptare e Bojanës malazeze, ndodhet Shqipëria e kufijve zyrtar. Nga qetësia e Bunës Ulqini i ngjan një ure lidhëse, pikës që të përgatit se çfarë mund të të presë në bregdetin shqiptar, atij në veri.

Mbase Crna Gora, më e gurtë e më e shkretë se sa Shqipëria, me tre-katër fish më pak banorë, me një natyrë po aq të ashpër, po vend më i fortë në ekzistencën e tij, është bërë shumë më atraktive për turistët e huaj. Mund të ketë një mijë arsye pse populli “dembel” malazez dhe vendi i tyre kanë shkuar disa hapa përtej fqinjit jugor Shqipërisë e fqinjit tjetër Kosovës.

Ndoshta ata kanë qenë më të gjezdisur, ndoshta kanë ditur ta ruajnë më mirë tokën e vet nga ndërtimet marramendëse e koatike dhe ta shfrytëzojnë atë shumë më mirë se shqipet pak kilometra përtej.