Puna e Pashpërblyer e Grave

Në një shtëpi pritjeje në Vermosh- skaji verior i vendit në kufi me Malin e Zi, i zoti argëton turistët me videon e dasmës së të bijës. E veshur nuse, vajza shfaqet në ekran teksa kapërcen pragun e shtëpisë, e përkulur thuajse deri në tokë.

“Kështu martohen të gjitha vajzat këtu, është ritual,” thotë i ati. “Do doja të ndryshonte, por nuk mund ta bëj unë i pari”.

Rituali i dasmave në fshatrat Vermosh dhe Lëpushë të komunës së Kelmendit është pasqyrë e mendësisë që shoqëria shqiptare ka trashëguar për rolin e gruas dhe nënshtrimit të saj ndaj burrit.

Bashkë me përunjësinë e saj, i pranuar si i pandryshueshëm nga shqiptarët është edhe fakti që vajzës apo gruas i takon të bëjë të gjitha punët e shtëpisë. Paralelisht me punën për të cilën merr një rrogë, nëse e ka një të tillë.

Ky lloj mentaliteti po ndryshon me vështirësi nga brezi i ri, i cili tenton të ndajë në mënyrë të barabartë punën e papaguar brenda shtëpisë.

Megjithatë, një studim i Institutit të Statistikave, INSTAT tregon se raporti është ende larg të qenit i barabartë.

Tek punët e shtëpisë, studimi ka klasifikuar kujdesin për fëmijët, përgatitjen e ushqimit, pastrimin dhe blerjet. INSTAT ka arritur në përfundimin se 95 për qind e femrave të moshës 15-64 vjeç janë të përfshira në punët e shtëpisë. Ky raport zbriste në 39 për qind për meshkujt e së njëjtës moshë.

Sipas një studim të realizuar në Angli vite më parë, puna e papaguar e gruas në Mbretërinë e Bashkuar kapte shifrën e 18 mijë paundëve në vit. Nëse në llogari përfshihej edhe rritja e fëmijëve, vlera e punës së papaguar shkonte në 24 mijë paund.

Në Shqipëri mungon një studim që tregon se sa kushton puna e papaguar e grave, megjithatë besohet që ajo është me e përhapur në zonat rurale dhe ato malore, ku përveç punëve të shtëpisë gratë kujdesen për kafshët dhe punojnë tokën në fermat familjare.

Në Lepushë dhe Vermosh, dy fshatra të thellë të Bjeshkëve të Nëmura gratë i gjen të zhytura në punë; megjithatë, të gjitha janë të buzëqeshura.

Këto dy fshatrat të largët të lëna prej vitesh në harresë janë ringjallur vitet e fundit nga turizmi malor. Banorët kanë hapur dyert për turistët, ndërsa puna e grave të zonës është dyfishuar nga fluksi i vizitorëve.

Marjana Vukdedaj tregon për BIRN se çdo ditë e saj nis në orën 6:00 të mëngjesit me mjeljen e lopës. Gruaja kullon më pas qumështin dhe e ndan në pjesë; me të bën djathë apo mishavinë.

Dita vazhdon me punët brenda dhe jashtë shtëpisë, të cilat dyfishohen në kohë turistësh me pritjen e tyre, pastrimin e dhomave dhe gatimin për shumë vetë. Çdo ditë e Marjanës mbyllet në 10 të darkës.

“Nata ime është një gjumë i thellë pa ndjenja, pas një dite që ka zgjatur 14-15 orë në këmbë,” thotë ajo.

Pavarësisht punëve të rënda, gratë e Malësisë janë njësoj të shqetësuara sa burrat për rënien e numrit të turistëve këtë vit. Banorët ankohen se u është bërë një dëm i madh, pas vrasjes së çiftit të turistëve çekë në Prekal.

Në dy ditët e qëndrimit në Lepushë, në shtëpinë e Marjana Vukdedajt kishte vetëm 3 turistë kosovarë. Ndërsa në Selcë-një tjetër fshat i zonës-një grup prej 20 motoristësh polakë kishin kaluar natën në fshat.

Më shumë se sa reklama e keqe, zonën e Vermoshit duket se ka dëmtuar mungesa e reklamës. Natyra është e mrekullueshme dhe e begatë, por zona është më pak e njohur se Thethi në guidat turistike për të huajt.

Banorët kanë një marrëveshje të heshtur me njëri-tjetrin; nata për çdo turist shkon 25 euro ku përfshihen, fjetja dhe tre vaktet e ushqimit. “Çmim që jo të gjithë e respektojnë,” shprehet Florida, një vajzë e re që ka marrë përsipër administrimin e një hoteli në Vermosh.

Terreni i vështirë dhe mungesa e investimeve i mban larg turistët nga ky skaj i largët i Shqipërisë së Veriut. Rrugët janë më të mira nëse mbërrin aty nga Mali i Zi, ndërkohë që mungesa e shpeshtë e energjisë elektrike dëmton mundësitë e banorëve dhe shton mundin e grave në punët e shtëpisë.

Gjystina Grishaj nga Lëpusha ka të vetmin dyqan në fshat që shet produkte për turistë. Ajo është një grua “burrneshë”, që e pëlqen traditën dhe jeton në harmoni me vëllanë, kunatën dhe fëmijët e tyre.

Ndryshe nga gratë e tjera, Gjystina është e fokusuar në punët jashtë shtëpisë. E ka nisur me një libër me bimë popullore, që ia ka lënë trashëgimi babai dhe sot ajo njeh mbi 2000 bimë me të cilat bën produkte kurative për fshatin dhe turistët.

Në dyqanin e saj gjen reçel dhe raki boronice, komposto thane e raki me rrënjë genciane. Gjystina ndihmon gjithashtu të vëllanë të bëjë llaç për shtëpinë dhe organizon familjen në mbledhjen e sanës për dimër.

“Dita jonë është e ndarë mes punëve të shtëpisë, bujqësisë dhe blegtorisë,” thotë Gjystina për BIRN. “Nusja e tim vëllai harxhon 1 orë e 10 minuta çdo mëngjes për të mjelë tre lopët e familjes,” shton ajo.

Përveç ndarjes së pabarabartë të punëve, gratë në zonën e Kelmendit janë të penalizuara edhe nga emigracioni masiv i të rinjve. Në shtëpinë ku bujtëm natën e parë në Vermosh, familja e Nikollë Hysajt i kishte të tre fëmijët në Amerikë. Mungesa e ndihmës ia vështirëson punën Nikollës dhe zonjës së shtëpisë.

Në Vermosh, burrat janë të ndërgjegjshëm për punën e vështirë të grave të tyre, por ngurrojnë të hedhin një hap në drejtim e duhur duke i ndihmuar ato.

“Do donim të ndryshonim, por na pengon guximi se kush do ta hedhë i pari këtë hap,” përgjigjet me humor njëri prej tyre.a