Pështjellimi për Pozitën e Pasigurt në një Shkollë të Prishtinës

Fatos Berisha nga Prishtina, i diplomuar në Drejtimin Biologji Arsimore në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, ankohet se mosrespektimi i kritereve të punësimit i mohoi angazhimin në arsim.

Ai konkurroi që të punësohet si mësimdhënës për biologji në Shkollën e Mesme të Lartë “Sami Frashëri”, në konkursin e hapur nga Drejtoria komunale e Arsimit në Prishtinë më 5 janar  2015.

Konkursi sipas Berishës në fillim ishte për pozitën vend i lirë me normë të plotë, por më pas është shndërruar në konkurs për zëvendësim.

Berisha thotë se kokuroi në të dy rastet, ndërsa nga komisioni vlerësues u pranua një kandidate pa përgatitjen e nevojshme.

“Në të dy pozitat kam aplikuar, më kanë përcaktuar për pozitën 58 ku pas intervistimit do të thotë një kandidate ka marrë 0.26 pikë më shumë se unë, e cila pas shqyrtimit e kam vërejtur se është me drejtim joadekuat, do të thotë ka qenë biologji-ekologji,” thotë Berisha.

Në këtë vend pune u pranua Bedrije Lutolli-Syla që sipas databazës zyrtare për studentët të cilët kanë diplomuar në vitin akademik 2007/2008 të nivelit master në Departamentin e Biologjisë dhe ka përfunduar studimet master në drejtimin Biologji-Ekologji dhe Mbrojtje e Ambientit.

Neni tetë dhe pika dhjetë e Udhëzimit Administrativ 20/2013 mbi Kuadrin Profesional të Arsimit të Përgjithshëm për shkollat e mesme të larta precizon se për të ligjëruar lëndën e biologjisë kandidati duhet të ketë të kryer Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Degën Biologji-Arsimore në nivelin master, sistemin katërvjeçar, bachelor katërvjeçar dhe bachelor trevjeçar, e jo Biologji-Ekologji siç e ka Bedrije Syla.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës Arbërie Nagavci, thotë se kandidatja e përzgjedhur ka drejtimin biologji arsimore.

“Në bazë të kësaj databaze që e kanë punuar zyrtarët tonë, shkruan që ka biologji-arsimore, masterin”, u shpreh Nagavci.

Dorëheqje pas pranimit

Por Bedrije Syla nuk filloi punën në vendin për të cilin u përzgjodh, ngase sipas saj Osman Beka, drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri” i tha që vitin e ardhshëm nuk mund t’ia garantojë të njëjtin numër orësh.
“Kam dhënë dorëheqje, e kam shkruar një ankesë me shkrim që nuk e pranoj pozitën për shkak se nuk po m’i siguroni orët me atë konkurs që jam pranuar. Ata nuk më garantuan që m’i mbrojnë ato orë,” tregon Syla.

Drejtori Osman Beka mohon se i ka thënë Sylës që pozita në gjimnaz është e pasigurt.

 “Asnjëherë nuk e kam artikuluar një thënie të tillë se shuhet norma, apo nuk ka orë të mjaftueshme, kur ne dimë se në bazë të kurrikulës, sepse tek shkencat shoqërore veç është shtuar fondi i orëve, klasa e dhjetë, njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë kanë vazhdimisht biologji,” thotë Beka për Gazetën Jeta në Kosovë.

Por drejtoresha e Arsimit Arbërie Nagavci bën me dije se Bedrije Syla u tërhoq ngase nuk ndihej e sigurt për orët që do të kishte në dispozicion.

“Kandidatja në fjalë ka deklaruar se tërhiqet nga ky vend i punës sepse është ndier e rrezikuar se do të mbetet pa punë pas një kohe,” thotë Nagavci.

Megjithatë,  Ministria e Arsimit nuk planifikon shuarje të vendeve të punës për ndonjë lëndë të caktuar.
Rexhep Kastrati, udhëheqës i Divizionit për Planprograme dhe Tekste Shkollore në MAShT tha se që nga viti akademik 2012/2013, në “Sami Frashëri” kurrikulat e reja janë pilot-projekt, mirëpo ato në këtë fazë që tani janë nuk parashohin që ndonjë vend i punës të shuhet.

“ Ky plan do të rishikohet jo vetëm për lëndën e biologjisë, por të gjitha lëndët e tjera. Drejtoritë komunale të arsimit nuk duhet të marrin masa të ngutshme për asnjë lëndë të caktuar, qoftë mësimdhënësi të largohet nga puna, apo diçka tjetër,” bën me dije Kastrati.

Bedrije Syla e përzgjedhura që dha dorëheqje, edhe pse e pranon se nuk ka informata të sakta, mendon se drejtori i gjimnazit favorizonte kandidatin Fatos Berisha, ndërsa vetë Berisha sipas saj kishte intervenuar për t’u pranuar në atë pozitë.

Ndërsa drejtori i gjimnazit Beka tregon se Syla tashmë e kishte një vend pune.

“Bedrije Syla e bën një deklaratë dhe thotë se unë nuk jam e interesuar drejtor të vij te shkencat shoqërore-gjuhësore, por nëse ka mundësi unë do të kthehem në vendin e punës në shkollën ‘Asim Vokshi’ në Prishtinë, ku jam duke punuar si profesoreshë e lëndës së biologjisë,” shpjegon Osman Beka.

Anulimi i pozitës

Por Berisha edhe pas përzgjedhjes së Sylës nuk u pranua në këtë vend të punës.
 “Unë mbetesha kandidati i cili kisha më së shumti pikë, mirëpo  këta pas dorëheqjes së saj e qesin se anulohet pozita. Mendoj se ky anulim i pozitës ka qenë pikërisht për të më eliminuar mua,” thotë Berisha.

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë për anulimin e kësaj pozite përmend si argument pasigurinë e orëve, të cilën gjë si arsye e mohon MAShT-i.

“Kandidatja e renditur me më shumë pikë është deklaruar se nuk e pranon vendin e punës ngase sipas njoftimit zyrtar nga drejtori i shkollës i njëjti vend mund të shuhet për shkak të ndryshimeve kurrikulare    nga MAShT-i, prandaj jemi detyruar për anulimin e pozitës në fjalë. Për këtë vend pune angazhohet si zëvendësim një mësimdhënës nga databaza e DKA-së deri më 30 qershor 2015,” thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit.

Përzgjedhja nga Drejtoria e Arsimit

I përzgjedhuri nga baza e të dhënave të Drejtorisë së Arsimit për të dhënë lëndën e biologjisë në Gjimnazin “Sami Frashëri” është Fisnik Asllani.
Fatos Berisha thotë se kishte më shumë pikë se Asllani, kur të dy u intervistuan pas konkursit që më vonë u anulua.

 “E kanë angazhuar kandidatin i cili ka tri pikë më pak se unë për një kohë të caktuar, ndërsa unë mbetem i papunë prej 1 janarit e këtej,” tregon Berisha.

Por Fisnik Asllani që është edhe asistent i angazhuar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore-Dega e Biologjisë në Universitetin e Prishtinës thotë se ka më shumë punime shkencore se Fatos Berisha.

“Në të njëjtën ditë jam angazhuar në të dyja vendet e punës  dhe me 30 qershor do të përfundojë kontrata dhe do të mbetem prapë i papunë. DKA-ja ka vendosur, mbetet nën përgjegjësi të DKA-së, mirëpo unë kam dy punime shkencore, qëndrim hulumtues në Universitetin e Salsburgut në periudhë tremujore, si dhe kam qenë dy herë bursist si gjatë studimeve themelore bachelor ashtu edhe në studimet master,” shpjegon Asllani.

Drejtoresha Arbërie Nagavci mohon se ka njohuri që Asllani është edhe asistent në UP.
”Unë nuk kam njohuri, por ligjërisht është e rregulluar, mësimdhënësit mund të mbajnë mbinormë. Ata paguhen me 50 për qind të normës dhe sigurisht se kjo nuk do të kishte qenë mirë sa i takon dikujt që është i papunë,” deklaron Nagavci.

Por ajo që nuk ka informata për vendin tjetër të punës së kandidatit të përzgjedhur, tregon arsyen pse nuk u zgjodh Fatos Berisha mësimdhënës biologjie në “Sami Frashër”.
“Fatos Berisha ka qenë në marrëdhënie pune në Shkollën “Sami Frashëri “në të njëjtën shkollë si zëvendësim, ka qenë e pamundur që ai të jetë në të dy pozitat në të njëjtën shkollë në të njëjtën kohë,” thotë Nagavci.

Ankesat e Berishës

Pas zgjedhjes së Fisnik Asllanit si mësimdhënës, Fatos Berisha është ankuar në Inspektoratin e Arsimit të MAShT-it dhe Inspektoratin e Punës.

Shpresa Hyseni, inspektore e arsimit në MAShT thotë se Drejtoria e Arsimit është dashur ta punësojë në gjimnaz Fatos Berishën.

“Rekomandimi ynë ka qenë që Fatos Berisha të caktohet menjëherë në vendin e punës sipas kritereve të caktuara dhe të plotësuara sipas konkursit,” bën me dije Hyseni, por Drejtoria e Arsimit nuk e ka zbatuar këtë rekomandim.

Vendim të kundërt për ankesën e Berishës ka marrë Inspektorati i Punës.

“Në këtë kontekst është hedhë si e pabazë ankesa e zotëriut Berisha dhe është aprovuar vendimi i  Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës,” thotë Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Inspektoratin e Punës.

Sipas këtij inspektorati, Drejtoria e Arsimit ka pasur të drejtë edhe kur ka anuluar konkursin.
Por Berisha thotë se pas gjithë këtij pështjellimi, nuk e ka të qartë se pse mbeti i papunë.