Në Tokën e Dalmatëve

Emri i shkrimtarit irlandez Bernard Show në murin e vjetër të Dubrovnikut sikur do që ta vulosë menjëherë në sytë e vizitorëve kulturën e qytetit të Mediteranit. Ragusa e dalmatëve dhe e latinëve, e bizantinëve dikur, e venecianëve apo austriakëve, qyteti i kronikave të historisë e të kulturës që ruan në gurë e në mure mijëra faqe historie të shkruar e të pashkruar, është kthyer në perlën e turizmit në Ballkanin e sotëm.

Kronikat mediatike i thurrin lavdet e një pike që patjetër ia vlen të vizitohet, pikërisht këtë bëjnë edhe turistët e pafund, duke e shijuar skenën e shkrepjes së aparateve fotografike, moskokëçarës ndaj tragjedive e lumturive historike dhe rrjedhës së jetës mes gurëve të Ragusës së vjetër. 
Qyteti i fortifikuar, kaq i bukur siç është, megjithatë qe dëmtuar deri në palcë në dhjetorin e vitin 1991, gjatë luftës në Kroaci. Kujtimet e historisë së re akoma marrin frymën thellë në jetën e dubrovnikasve.

Maja Pavlina banon në një ndër pikat më të larta të qytetit. Nga terrasa, me dy macet e saja, shijon panoramën e jashtëzakonshme të qytetit historik. Maja (70), një dubrovnikave që gjithë jetën e ka kaluar në qytetin e lindjes, motër medicinale e dalë në pension, thotë se ka respekt dhe dashuri të madhe për shqiptarët. Derisa pijmë kafetë turke në terrasë, gruas me flokët e thinjur të lidhur bukur i pëlqen të flasë e të ndajë përvojën e saj të luftës që kapi Kroacinë dhe Kosovën pas shpërbërjes së Jugosllavisë. “Më ka ardhur shumë keq për atë që ju ka ndodhur juve në Kosovë. Kemi një të përbashkët, të kaluarën e dhimbshme”. Ftesa e saj për miqësi, vjen si e habitshme, por atë e përligj miqësia në tragjedi, të cilën Maja thjesht e formulon ‘vuajtja e njëjtë, armiku i përbashkët’.

Ajo tregon për rindërtimin e shtëpisë së bombarduar gjatë luftës, por dhimbja u bë e madhe për të me shkatërrimin e jetës dhe depresionin e pasluftës. Në periudhën 1991-1992 Maja Pavlina punonte motër medicinale në spitalin e qytetit. Në atë kohë ajo kishte arritur që bashkë me një grup mjekësh e punëtorësh të largojnë nga Dubrovniku për në Itali mbi njëqind fëmijë të sëmurë,  të ngujuar në objektet e qendrës spitalore. “Ishte një përvojë e tmerrshme! E kam të vështirë t’i harroj ato momente kur po përpiqeshim t’i shpëtonim fëmijët. Nuk kishim ilaçe e as mjete për t’i kuruar këtu në Dubrovnik”, Maja kujton e sytë i mbushën lotë. “Kjo na bashkon. Kam njohur shumë shqiptarë, janë njerëz të dashur e punëtorë”. Gruaja kroate flet me dashuri për shqiptarët dhe të kaluarën e tmerrshme që shndërrohet në të kaluar të përbashkët.

Nga terrasa, në ditën me diell, vëzhgon qytetin dhe anijet që shkojnë e vinë. Burri dhe djali i punojnë në marinë, kësisoj është mësuar që jetën ta kalojë në të shumtën në vetmi. Dubrovniku thotë të jetë për të një monument, siç është për gjithë Kroacinë, por fatkeqësisht fondet e mëdha janë orientuar në rindërtimin e rregullimin e qytetit,  por jo edhe për përmirësimin e jetës së banorëve të tij. Ajo është skeptike për udhëheqësinë kroate, të cilët i quan “të korruptuar e të pazotët”, po qëndrim të tillë ka edhe për hyrjen e Republikës Kroate në Bashkimin Evropian, gjë e cila vetëm se e ka shtrenjtëuar jetën e banorëve. Përshëndetja me Majën është e dashur e plot miqësi “Kthehuni prapë! Jeni në shtëpinë tuaj!”

Shqiptarët: zotër të arit, të bukës e akullores

Dëshmitë e bombardimeve në “Stari grad” (Qyteti i vjetër), i cili që nga viti 1979 ka hyr nën mbrojtje të UNESCO-s si pasuri botëre, ndodhen para Portës së qytetit, godinave të riparuara që megjithë përpjekjet që t’u ruhet pamja e dikurshme, meremetimet në mure e godina kallëzojnë fuqinë e shkatërrimit të artilerisë mbi to.

Turistët janë sërish moskokëçarës sepse shtëtija nëpër qytetin e vjetër i ngjan një parakalimi nëpër shekuj, si një dëshmi e superfuqive historike, kryesisht atyre veneciane e austriake, që e kanë shënuar identitetin në qytetin e fortifikuar. Muret e Dubrovnikut të vjetër, struktura e të cilëve konsiderohet ndër më komplekset në Evropë, shtrihen në hapësirën prej rreth dy kilometrash, në lartësi nga katër në gjashtë metra. Muret janë një aktraksion më vete, brenda të cilave kështjella me kullat prej guri i rri përkarshi realitetit.

Brenda tyre, në mesin e qindra fytyrave nga e gjithë bota, flitet edhe shqip. “Fol shqip, fol shqip!” sikur të urdhëron të flasësh shqiptari nga Gostivari, kur në anglishte i kërkon faturën e llogarisë. Kroatët thonë se shqiptarët në tokën kroate janë zotër të floririt, të furrave të bukës e të ambëltoreve. Kështu mendon edhe Maja “Askush nuk do të dinte ta bënte më mirë se ata këtë punë”.

Ambëltorxhiu i qytetit të vjetër ka tridhjetë vjet që e ka braktisur Gostivarin e tij për një jetë më të mirë pranë Adriatikut. Në mesin e turmës Besim Hajdari, burri rreth të pesëdhjetave, me rrudhat në ballë, sikur të thotë “shqip më shaj or vëlla!”, si në Stambollin e vargjeve të Agollit. Këtë togfjalësh, gjithnjë e të përsëritur, e dëgjova edhe me dhjetëra herë e në qytete të ndryshme të Dalmacisë.

Bozë e bakllava dhe një nostalgji për tokën mëmë andej, e zuri muhabetin në ambëltorën e shqiptarit në Dubrovnik. Jeta e mërgimatrit për të kish nisur në fillim të 80-ave, duke ikur nga e njëjta histori si ajo e të gjithë shqiptarëve. “Sfida qe e madhe në fillim, mandej erdhi lufta në Kroaci, por ka nja 20 vjet që kemi ecur me sukses në punën tonë në ambëltore”. Në pasticerinë e tij ka plot jetë, fytyra të qeshura të punëtorëve, njerëz të hapur e mikëpritës fisnik ndaj të huajve.

Kërkesat për një “akullore” shqiptare janë të shumta gjatë valës së turizmit në stinë të pranverës e të verës. Orët fluturojnë në gjallërinë e shpenguar si në kohën e lëpirjes së një akulloreje.

Drejt zemrës së Dalmacisë

Për kosovarët që ia pritojnë ngacmimeve të një grimce kufiri të Bosnjes në mes të Kroacisë, zgjidhja më e mirë për t’iu shmangur telasheve me dokumentet ‘e pavlefshme’ kosovare për boshnjakët që e ruajnë kufirin, vlen përralla e Kësulëkuqes “më mirë të zgjedhësh rrugën e gjatë se të të dalë ujku!”.

Një udhëtim ‘i detyruar’ në drejtim të ishullit të Korçullës: peisazhi, rrugët me gjarpërime, vreshtat e ullinjve e të verës, kalatë maleve të larta, drita që shkëlen aty ku zgjerohet deti, udhëtimi me traget që nis në Trpanj drejt zemrës së Dalmacisë, me një flamur të madh kroat, i ngjan një udhëtimi plot verë të kuqe.

Dalmacia që vizitorët mund ta shohin pas hyrjes së Republikës Kroate në Bashkimin Evropian, është e njëjta e shumë viteve më parë. Një tokë piktoreske që laget nga Adriatiku, një skenar i bukur i natyrës dhe i kulturës.

Spliti i vjetër të cilit romakët i lanë shenjën e krenarisë së sotme. Qyteti i dytë për nga territori në Kroaci, i pari në rajonin e Dalmacisë, që shtrihet në bregun lindor të detit Adriatik, port i rëndësishëm detar ndërajonal, i lidhur me ishujt e shumtë të Adriatikut dhe një destinacion i popullarizuar turistik, kryesisht atij kalimtar.

Ai që i jep bukurinë e ia shton rëndësinë në hartën botërore është pallati i perandorit romak Dioklecian, ndërtuar më vitin 305 të kohës sonë, si pallati i vetëm i plotë i mbijetuar kohës. 

Pallati rri hijerëndë e i bukur, me rrugicat e ngushta, dyqanet e markave të njohura botërore, antikuiteteve kroate, statujës së lart të shkrimtarit kombëtar Marko Maruliç, të cilit sipas thashemeve duhej prekur gishtin e madh të këmbës si akt fatsjellës, gjë që unë harrova ta bëj.

Pallati i Dioklecianit


Në hyrje të portës së djathtë të pallatit, në rrugën “Bosanska” vitrina e dyqanit shënon “Zlatar Mazreku”.

Palush Mazreku (53) ka gati tri dekada që Spalaton e vjetër e ka shndërruar në qytet të tij. Aty ku edhe ka vazhduar biznesin familjar të tregtisë me ar. Faktikisht dyqanet e shumta të floririt në pjesën historike shënojnë emrat e pronarëve shqiptarë në vitrinë. Në dyqanin e Mazrekut të gdhendura në flori janë vënë në ballë vargjet e Fishtës kushtuar gjuhës shqipe, mbi to flamuri kuq e zi dhe flamuri i shtetit të Kosovës.

“Atdheu është gjithçka”, thotë Palushi, një person shumë mikpritës e i dashur, fiziku i të cilit i ngjan shumë atij të aktorit Dani de Vito, edhe me humorin e të folurën plot gjallëri. Palushi është një patriot i flaktë, për këtë arsye ka vënë shenjat identifikuese aq të dukshme në dyqan. “Këto tregojnë se kush jam, nga vij dhe me çfarë identifikohem. I kam punuar në ar vargjet e poetit tonë Gjergj Fishtës sepse e adhuroj,  ishte njeri i madh i kombit shqiptar”.

Palushi është provuar gjatë me jetën e mërgimtarit dhe pajtuar me të, por edhe vizitat në qytetin e lindjes thotë se i ka të shpeshta. Familja Mazreku qe zhvendour nga Gjakova për në Kroaci. Ndalesa e saj e sotme është qyteza Supetar në ishullin Braç të Dalmacisë, ku ka të hapura disa dyqane rrobash.

Për këta njerëz mikëpritës e të përzemërt, identiteti shqiptar apo dalmatin, nuk përbën asnjë ankth, shqiptaria është ajo më e vlefshme që duhet mbrojtur nga çdo prekje, por e cila bashkëjeton paqësisht me kulturën e jetën dalmatine, duke i pasuruar dhe ruajtur lidhjet mes Kosovës e Kroacisë.


Dyçani i Palush Mazrekut, shqiptarit që jeton në Kroaci.

Varfëria dinjitoze

Pesë kilometra në dalje të Splitit, ndodhet Solini apo Salona, thesari arkeologjik i historisë së hershme të kroatëve dhe popujve të rajonit. Elemente shqiptare të gjetura në Solin, janë ekspozuar edhe në muzeun më të vjetër në Ballkan, Muzeut Arkeologjik të Splitit. I ngazëllyer për ta dëshmuar ndikim e shqiptarëve në këtë rajon të fisit të vjetër ilir është Fahredini, teknikë i stomatologjisë që me vite jeton në Split.

Insistimi në vizitat drejt dëshmive të mbetjeve të stemave të prijësve shqiptar, po sidomos rrëfimet e tij i ngjajnë personazheve donkishoteske, ndonëse të bukura për vesh. Rruga e tij më e dashur është ajo që quhet “Krajlica Teuta” në qendrën e Splitit. “Të gjitha këto janë dëshmi se të parët në këtë vend ishin shqiptarët”, thotë me krenari Fahredini. Ai ankohet për nacionalizmin e theksuar të banorëve në rajonin e Dalmacisë, e cila me apo pa dashje identifikohet me klubin e famshëm të futbollit Hajdukun e Splitit.
Kontradiktat mund të jenë të mëdha mes një vizitori që e shijon mbase vetëm bukurinë dhe njerëzve, detyrimet e obligimet e përditshme të të cilëve janë të lidhur sa me nacionalizmin kroat aq dhe me frymën e dialogun përtej tij.

Artistë e gazetarë nga Dalmacia ankohen për jetën e rëndë, papunësinë dhe politikën e korruptuar, ku shpesh plot mllef fjalitë thuhen në mënyrë akuzuese se “Të gjithë janë hajna!”. Ato shpërfaqin ekzistencën dhe trishtimin e jetës së përdishtme. Skenari i bukur i natyrës e i kulturës së pasur kroate, megjithëse i krijuar në rajonin me mundësi të jashtëzakonshme, lë shije të hidhur pas muhabeteve të kafesë, ani pse një kafe në “Lipa nasa hrvatska” paguhet me pak kuna. Një varfëri dinjitoze në mesin e një qytetërimi adriatik.